Përfaqësuesit e Misionit të ODIHR-it për vlerësimin e nevojave përpara zgjedhjeve të ardhshme, janë pritur sot në takim nga kryeministri Berisha. Misioni i ODIHR-it kryesohet nga znj. Nicola Schmidt, Zëvendësdrejtore e Departamentit të Zgjedhjeve në OSBE/ODIHR.
Pasi i shprehu përzemërsisht mirëseardhjen, Kryeministri Berisha theksoi se qeveria shqiptare dhe Shqipëria mbeten thellësisht të vendosur dhe të interesuar për të ftuar në Shqipëri numrin më të madh të vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it dhe të organizatave të tjera ndërkombëtare apo vendeve demokratike, për të vëzhguar zgjedhjet në Shqipëri.
Znj. Schmidt e falenderoi përzemërsisht Kryeministrin Berisha për pritjen miqësore, si dhe për ftesën që qeveria shqiptare i ka drejtuar ODIHR-it për të vëzhguar zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 23 qershorit.
Në takim u diskutua mbi përgatitjet për infrastrukturën zgjedhore dhe u vlerësua në veçanti implementimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, të cilat janë reflektuar në kuadrin e përditësuar të zgjedhjeve.
Kryeministri Berisha e njohu znj. Schmidt me masat e fundit të ndërmarra përsa i përket rritjes së numrit të qendrave të numërimit dhe atyre të votimit, të cilat do të japin një kontribut të rëndësishëm në shpejtësinë e procesit dhe shpalljen sa më të shpejtë të rezultateve të zgjedhjeve, por njëkohësisht do t’ju shërbejnë qytetarëve duke eliminuar radhët e gjata në qendrat e votimit, ku tashmë qytetarët mund të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës së lirë në kohën më të shkurtër të mundshme.
Kryeministri Berisha e njohu gjithashtu me dy projektet pilot që do zbatohen për herë të parë në Shqipëri sa i përket numërimit elektronik dhe kontrollit të kartave të identitetit, por edhe për kuadrin e përditësuar ligjor sa i përket financimit të partive politike gjatë fushatave elektorale, duke theksuar se fushata e ardhshme elektorale do të financohet tërësisht nga burimet e veta të partive politike dhe jo nga burimet publike.
Kryeministri Berisha i bëri me dije znj. Schmidt se kuadri i përditësuar ligjor i zgjedhjeve në Shqipëri ka adresuar qartësisht të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe është miratuar bazuar tërësisht në sugjerimet e opozitës shqiptare, ndërkohë që Shqipëria ka sot infrastrukturën më të mirë që ekziston sa i përket sistemit të numërimit, të cilat të marra sëbashku përbëjnë një garanci të madhe për mbarëvajtjen e zgjedhjeve dhe zhvillimin e zgjedhjeve të mira në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Nga ana saj, znj. Schmidt e falenderoj Kryeministrin Berisha duke vlerësuar faktin që rekomandimet e OSBE/ODIHR-it janë bërë pjesë e kuadrit ligjor të zgjedhjeve dhe e falenderoi njëkohësisht për ftesën e hapur e të përzemërt të qeverisë shqiptare ndaj ODIHR-it për vëzhgimin e këtyre zgjedhjeve. Në përfundim, znj. Schmidt theksoi se vendosmëria dhe angazhimi që ajo ka evidentuar si nga Kryeministri Berisha, ashtu dhe nga aktorët e tjerë politikë për të zhvilluar zgjedhje të mira është parakushti dhe garancia më e mirë që procesi i zgjedhjeve të 23 qershorit të zhvillohet në përputhje me standardet ndërkombëtare të lira dhe të ndershme.