English

4 HEC-et hapin portat e shkarkimit. A do të ketë përmbytje përsëri të Shkodrës dhe Lezhës?

Sipas informacioneve të fundit janë hapur portat e HEC-eve, Ulëz, Shkopet, Koman dhe Vaun e Dejës duke rrezikuar që të përmbyten zona e Nënshkodrës, Lezha, Miloti dhe rrethinat përreth.
Reshjet e dendura të shiut të rëna gjatë ditëve të fundit dhe prurjet e shumta nga zonat malore kanë detyruar 4 hidrocentralet të hapin portat e shkarkimit.

Nga hidrocentrali i Vau Dejës kanë nisur shkarkimet sot në 08:30 dhe portat po shkarkojnë 250-300 m3 ujë për sekondë.

Prefektura ka njoftuar drejtuesit lokalë sidomos të komunave të nën Shkodrës, zona e Dajçit, e Bërdicës dhe Velipojës të monitorojnë situatën pasi mund të ketë probleme

Gjithashtu janë hapur edhe dyert e hidrocentralit të Komanit ku po shkarkohen nga 500 metër kub në sekondë. Rrezikohen komunat Berdice, Ana e malit dhe Velipoja.

Është rritur dhe niveli i lumit Kir, Buna dhe Drini. Deri tani e vetmja zonë që ka probleme për shkak të gërryerjes së tokave është komuna Rrethina fshati Bardhaj, ndërkohë që nën ujë janë tokat e Trushit të poshtëm dhe këneta e Velipojës te ura e Ded Gjo Lulit.

Ndërkohë që hapja e portave të Hec Ulëz e Shkopet rrezikojnë fushat e Lezhës dhe të Kurbinit.
Sipas të dhënat më të fundit të KESH-it Fierza është në nivelin 287.18 m, prurjet 1000 m3/s; HEC-I i Komanit është në nivelin 174.94 m, prurjet 1160 m3/s; HEC-I Vaut të Dejës 75.42 m ndërsa prurjet anësore 200 m3/s.
KESH gjithashtu thekson është në gadishmëri të plotë për të menaxhuar sa më mirë këtë situatë dhe për të garantuar me energji elektrike konsumatorin shqiptarë.

KOMENTE