Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka bërë të ditur sot se çdo vendim i njëanshëm për rritje të çmimit të biletave nga operatorët e transportit publik do të çojë në heqje të menjëhershme të liçencës. Në përgjigje të interesimit të medias, lidhur me deklaratat e bëra një ditë më parë nga operatorë të transportit publik, për rritje të çmimit të biletës, kreu i Bashkisë ka bërë të ditur se nuk do të ketë rritje të çmimit të biletës pa përfunduar më parë studimi i cili do të vërtetojë nëse ka apo jo nevojë për rritje të çmimit.
“Ne jemi në proces të një studimi i cili do të vërtetojë nëse ka apo jo nevojë për të ndërmarrë hapa në drejtim të strukturës së çmimit. Pas këtij studimi, autoritetet përkatëse, pasi është një proces i cili kërkon një vendimmarrje më të gjerë, do të shqyrtojnë hapat e nevojshëm në këtë drejtim dhe në mënyrë transparente me operatorët do të diskutohen konkluzionet e studimit.
Ne jemi dhe gjithmonë kemi qenë të hapur për një komunikim serioz me operatorët e transportit publik në Tiranë. Sigurisht, ata sikundër edhe ne jemi në shërbim të qytetarëve të Tiranës. Operatorët e transportit publik, ndërkohë që kanë qenë dhe shpresoj se do të vazhdojnë të jenë një ndihmë në ofrimin e një shërbimi sa më të mirë për qytetarët e Tiranës nuk janë qëllim në vetvete, janë thjesht një instrument. Qëllimi është një shërbim sa më i mirë, cilësor e me kushte të pranueshme për qytetarët e Tiranës dhe për këtë ekziston kontrata. Këto kontrata duhet të zbatohen në mënyrë të plotë dhe rigoroze. Çdo hap i njëanshëm deklarativ apo faktik i çdo operatori apo i çdo përfaqësuesi të operatorëve do të vendosë automatikisht në lëvizje hapa të njëanshëm sipas kontratës, deri në revokimin e kontratës ndaj atyre që shkelin kontratën” – u shpreh z. Basha.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës ka qenë i prerë në qëndrimin e tij. I pyetur se çfarë ndodh nëse dikush nga operatorët rrit çmimin në mënyrë të njëanshme, Kryebashkiaku u shpreh:
“Nëse ndonjë operator mendon se mund të diktojë kushte jashtë kontratës, siç është rritja automatike e çmimit do të përballet me heqje automatike, të menjëhershme të licencës” – u shpreh z. Basha