English

Edi Rama feston Ditën e Verës në qytetin e origjinës së festës

Me rastin e ditës së verës, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka vizituar qytetin e Elbasanit, vendin e origjinës së kësaj feste që sot ka marrë përmasa kombëtare. Kryesocialisti është ndalur në Pallatin e Sportit ku nga pushteti vendor ishte zhvilluar panairi tradicional i kësaj feste. Pavarësisht shiut të pazakontë për një ditë të tillë, kryesocialisti është pritur me përzemërsi në hyrje të panairit nga dhjetëra qytetarë elbasanas. Më pas ai ka vizituar panairin dhe ka shkëmbyer urime, por edhe mendime për ecurinë e biznesit me përfaqësues të ndryshëm të kompanive pjesëmarrëse në Panair. Në përfundim të kësaj vizite kreu i PS është shprehur:

“Prej vitesh, kjo është dita e parë e verës me shi dhe unë jam i bindur që ky shi është bereqet dhe besoj që të gjithë ata që mbi zë ose nën zë sot, duke më dhënë dorën më thoshin presim 23 qershorin, po ashtu e ndjejnë dhe e prekin me forcën e imagjinatës atë që vjen pas këtij shiu. Një rilindje për ekonominë, për shoqërinë, për vendin tonë, i cili këtë verë do të hyjë në rrugën e duhur, në rrugën e shumëpritur, në rrugën ku do të mirëpritet krahëhapur nga bota demokratike dhe ku shqiptarët do t’i gëzohen demokracisë ashtu siç ajo është e krijuar që të jetë. Një hapësirë lirie, konkurrence, merite për të gjithë, pa dallim bindjesh partiake, pa dallim përkatësish krahinore, pa dallim gjinish, moshash por të gjithë së bashku si njerëz të barabartë që i përkasin të njëjtit atdhe.
Rilindja e 23 qershorit do të vijë pikërisht për të përmirësuar edhe klimën e biznesit, ku çdo njeri të ndjehet i lirë për të bërë biznes dhe të fitojë shumë më tepër duke paguar më pak taksa.
Gëzuar edhe njëherë!”

KOMENTE