English

Hapet në Kukës Qendra e formimit profesional

Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, z.Spiro Ksera, dhe Ministri i Punës dhe Mirëqënies Sociale të Kosovës, z.Nenad Rasiç, kanë marrë pjesë në inagurimin e Qendrës së Formimit Profesional në Kukës, një investim i Qeverisë shqiptare.

Ditë të veçantë për Kuksin dhe gjithë zonën e ka konsideruar Ministri Ksera, inagurimin e ambienteve të Qendrës së Formimit, duke theksuar se po bëhet realitet synimi i Ministrisë për ofrimin formimit profesional edhe në qytetet dhe rajonet e vogla dhe më pak të zhvilluara. Deri më sot banorët e Kuksit dhe të zonës Verilindore të vendit kanë marrë formim profesional në qendrat e Prizrenit dhe Gjakovës, pas Memorandumit të bashkëpunimit të nënshkruar në 2006 mes dy Ministrive të Punës, si dhe në kurset e ofruara nga Qendra e Lëvizshme, ngritur në 2008.

“Jemi të bindur se kjo qendër, e cila hapet në një nga zonat me nivelin më të lartë të papunësisë dhe varfërisë, do të krijojë mundësi për punëkërkuesit e kësaj zone për të marrë kualifikim në përputhje me kërkesat e tregut, duke u krijuar akses më të madh në mënyrë të veçantë të papunëve afatgjatë për t’u integruar në tregun e punës”, vuri në dukje Ministri Ksera.

“Qeveria shqiptare e ka prioritet punësimin në mënyrë të veçantë punësimin e të rinjve dhe nisma më e fundit e Kryeministrit Berisha për heqjen e taksave për tre vjet për të rinjtë që hyjnë për herë të parë në tregun e punës do t’i japë një frymëmarrje të re tregut të punës dhe do të rrisë punësimin në mënyrë të ndjeshme të kësaj kategorie. Edhe qendra e formimit që çelim sot do t’i shërbejë para së gjithash të rinjve të Kuksit, të cilët tashmë do të kenë mundësi që nëpërmjet ndjekjes së kurseve profesionale të marrin aftësitë e nevojshme për t’u integruar në tregun e punës. Qendra ka një kapacitet prej 60 kursantësh, të cilët do të mund të ndjekin kurse për hidraulikë, rrobaqepsi, kompjutër dhe gjuhë të huaja dhe, shumë shpejt, edhe kurse guzhine.”

Ministri vlerësoi bashkëpunimin dhe mbështetjen e pushtetit në ngritjen e të parës qendër të formimit profesional në Kukës.

Ksera falenderoi homologun nga Kosova, Rasiç, për bashkëpunimin e deritanishëm në fushën e formimit profesional dhe theksoi se përvoja e suksesshme e Kosovës në ngritjen e një sistemi të formimit profesial të standarteve europiane duhet të ndiqet nga qendrat e formimit në Shqipëri, nëpërmjet shkëmbimit të eksperiencës në ngritjen e kabineteve të reja, korikulave bashkëkohore etj.

Ministri Ksera njoftoi se së shpejti përgatitet një memorandum i ri bashkëpunimi me Kosovën në fushën e formimit profesional dhe punësimit, e cila do të çojë në stad të ri bashkëpunimin me dy vendeve dhe do të krijojë mundësi reale për qytetarët e të dy vendeve për të patur informacion në kohë reale rreth tregut punës në të dy vendet dhe më gjerë dhe për të përfituar nga kërkesë-oferta në secilin prej vendeve.

Ksera deklaroi se në 2009 Ministria e Punës kishte marrë angazhimin që në katër vite të mandatit qeveritar të punësonte gjashtëdhjetëmijë persona dhe se sot gjithkush mund të verifikojë se ky angazhim është mbajtur. Referuar deklaratave të opozitës për një milionë të papunë, Ministri i Punës deklaroi se manipulimi i shifrave të papunësisë nga ana e PS nuk është rruga që të çon në fitoren e zgjedhjeve të qershorit, përkundrazi paralajmëron humbjen e sigurt të saj.

Ministri i Punës dhe Mirëqënies Sociale të Kosovës, Z. Rasiç, u shpreh i lumtur që Memorandumi i 2006 ka pasur rezultate pozitive dhe deklaroi se tashmë bashkëpunimi mes dy vendeve të fushën e punësimit dhe formimit profesional po zhvillohet me ide vizionare dhe do të njohë hop të ri me ngritjen së shpejti të portalit të punësimit mes tri vendeve të Rajonit, Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë. “Kështu ne do të bëjmë të mundur edhe lëvizjen e lirë të punëtorëve në vendet e Rajonit”, deklaroi Rasiç.

Ministri i Kosovës vlerësoi shumë të rëndësishëm kualifikimin e punëkërkuesve dhe përgatitjen e tyre me aftësitë e duhura që kërkon tregu i punës. “Ne duhet t’i ndërgjegjësojmë qytetarët tanë se kualifikimi është esencial për ta”, vuri në dukje Rasiç, duke vlerësuar se marrëveshja e përbashkët për aftësimi dhe punësimin ka një vlerë të madhe për punëkërkuesit në të dy anët e kufirit.

Në ceremoninë e inagurimit të Qendrës së Formimit Profesional në Kukës merrnin pjesë edhe Prefekti i Qarku Elez Maçi, Kryetari i Bashkisë Hasan Halilaj, Kryetari i Qarkut Ibsen Elezi, si dhe mjaft qytetarë.

Më tej, dy Ministrat vizituan Komunën e Prizrenit, ku u pritën nga Kryetari i Komunës prof.dr. Ramadan Muja, i cili bëri një prezantim të zhvillimit ekonomiko-social dhe kapaciteteve të Komunës, duke theksuar se “me ndërtimin e Rrugës së Kombit mundësitë për zhvillimin e zonës së Prizrenit janë shumëfishuar, pasi tani tregjet dhe portet janë më pranë”.

KOMENTE