English

Gërdeci së shpejti jo më, i infektuar

Zëvendësministri i Mbrojtjes, z. Ekrem Spahiu dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA, gjeneral major Xhemal Gjunkshi kryen një inspektim mbi ecurinë e procesit të pastrimit të zonës së Gërdecit. I pranishëm ishte edhe kryetari i Bashkisë së Vorës, z. Fiqiri Ismaili.
Zëvendësministri i Mbrojtjes, Ekrem Spahiu ka falënderuar forcat e EOD për punën e shkëlqyer që kanë bërë për pastrimin e zonës së Gërdecit. “Dua të bëj me dije të gjithë opinion publik që procesi i demilitarizimit është në përfundim e sipër.
Që nga shtatori 2009 e deri më sot janë demilitarizuar mbi 83 mijë ton municione të tepërta. Qendra e Asgjësimit të Municioneve pranë Brigadës Logjistike është përqendruar në zonën e Gërdecit për ta pastruar dhe certifikuar këtë zonë, pas ngjarjes së 15- marsit 2008. Puna tashmë është përqendruar më shumë në sipërfaqen përtej ish-repartit ushtarak dhe brenda pak ditësh do t’i dorëzohet komunitetit”, - ka theksuar zëvendësministri, Ekrem Spahiu.

Ndërsa, shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA, gjeneralmajor Gjunkshi theksoi se kemi ardhur të shohim nga afër punën e bërë për pastrimin e zonës së infektuar, punë e cila vlerësohet maksimalisht nga Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm. Me këtë rast, gjeneralmajor Gjunkshi ka siguruar përfaqësuesit e pushtetit lokal dhe gjithë komunitetin e kësaj zone se Forcat e Armatosura do të vazhdojnë të angazhohen me qëllim që ta kthejnë zonën e Gërdecit, që deri dje ishte e kontaminuar, në një zonë të pastër dhe që gjithçka t’i kthehet normalitetit.

Forcat e Armatosura vijojnë të jenë prezentë në zonën e operacionit në Gërdec që nga data 15 mars 2008. Gjatë fazës së parë të operacionit, që përfshin periudhën kërkim 15-31 mars 2008, u angazhuan mbi 1500 forca nga Brigada e Reagimit të Shpejtë, Regjimenti Komando, Brigada e Mbështetjes Rajonale, Policia Ushtarake, Brigada Logjistike, Agjencia e Sistemeve të Ndërlidhjes dhe Informacionit, Regjimenti i Infrastrukturës, Regjimenti i Helikopterëve dhe Spitali Ushtarak Qendror Universitar. Gjatë kësaj faze u krye operacioni i kërkim-shpëtimit dhe pastrimi në sipërfaqe i zonës nga municionet e shpërndara nga shpërthimi.

Faza e dytë ka filluar më 1 prill 2008, me synim rehabilitimin e zonës në distancën 300 m nga vatra e shpërthimit. Gjatë kësaj faze krahas operacionit të pastrimit në sipërfaqe të municioneve u kryen edhe dy operacione në ndihmë të popullsisë së zonës, shtrimi i rrugës Marqinet-Gërdec dhe shembja e banesave të dëmtuara nga shpërthimi dhe transportimi i inerteve. Në muajin korrik 2008, në kuadër të zbatimit të Marrëveshjes Teknike të nënshkruar ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes dhe Departamentit të Shtetit të SHBA, të datës 22 shkurt 2008, kontraktor për pastrimin dhe rehabilitimin e zonës në Gërdec u përzgjodh Kompania EOD Solution. Kjo kompani ka kryer operacionin për pastrimin në sipërfaqe dhe nën sipërfaqen e tokës në të gjithë zonën, pastrimin dhe asgjësimin e djegoreve të paplasura si dhe demilitarizimin e gëzhojave të shtimeve të artilerisë të grumbulluar në zonë. Që nga muaji janar 2013, operacioni për pastrimin e vatrës së djegoreve në zonën e shpërthimit ka vijuar nga Qendra e Asgjësimit të Municioneve dhe Eksplozivave, pjesë e strukturës së Brigadës Logjistike. Aktualisht për vijimin e operacionit janë angazhuar rreth 50 specialistë të Asgjësimit të Municioneve dhe Eksplozivave, ndërsa me dy mjete transporti vetëshkarkuese dhe një mjet tip “Fadromë” kryhet transportimi i inerteve nga zona e shpërthimit.

Në fund, zëvendësministri i Mbrojtjes, Ekrem Spahiu dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi inspektuan zonën e infektuar dhe punën që është bërë për kthimin e saj në normalitet duke takuar nga afër edhe punëtorët e EOD.

KOMENTE