Tirana do të ketë një nga qendrat e kontrollit të trafikut më moderne në Evropë
Pas dy muajsh, Tirana do të ketë një nga qendrat më moderne në rajon dhe të vetme në Shqipëri të kontrollit të trafikut urban. Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka inspektuar sot punën që po kryhet në realizimin e këtij projekti i cili nisi zbatimin në muajin qershor 2012. Ndonëse kohëzgjatja e realizimit të projektit ishte 18 muaj, kontraktori po e mbaron 6 muaj para afatit.
“Këtu ndodhemi në Qendrën e Kontrollit Operativ të gjithë kësaj infrastrukture të re, qendër e cila nga njëra anë mundëson funksionimin automatik të semaforëve në kryeqytet, pra jo më me çelës çdo semafor por ajo që quhet “vala e gjelbër” anembanë qytetit në të 65 nyjet semaforike të Tiranës sot dhe nyje të tjera që do të shtohen në të ardhmen; procesimin në kohë reale të të dhënave të trafikut, pra volumin e trafikut në rrugët kryesore, çka natyrisht besoj se do të jetë edhe nëpërmjet mediave në funksion të shërbimit ndaj qytetarëve, duke informuar se cilat arterie janë më të përdorshme në një moment të caktuar të ditës dhe duke e bërë lëvizjen e automjeteve më racionale, në infrastrukturën e Tiranës dhe po kështu një monitorim në kohë reale përmes ekraneve të asaj çka ndodh në të gjithë interseksionet që do të vëzhgohen me kamerat e instaluara në këtë sistem gjatë 24 orëve “ – u shpreh z. Basha.
Aktualisht janë lëvruar të gjithë pajisjet e nevojshme dhe janë instaluar në 49 kryqëzime ekzistuese, nga 51 të tilla si dhe janë instaluar dhe ndezur 4 kryqëzime të reja, nga 9 të kontaktuara gjithsej. Deri tani ka përfunduar bazamenti i 5 vendndodhjeve të tabelave elektronike të cilat do të përcjellin tek qytetarët mesazhe të trafikut por edhe sigurisë rrugore në kohë reale. Ka përfunduar instalimi dhe janë vënë në funksionim 2 prej tyre (afër Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” dhe në hyrje të qytetit, nga Sauku). Brenda muajit do të realizohet instalimi i 3 tabelave të tjera të parashikuara në projekt. Në 23 pika ku dhe trafiku është më i dendur do të instalohen kamera për monitorim 24 orë, të lidhura me Qendrën e Kontrollit të Trafikut. Një qendër e këtyre përmasave ekziston vetëm në disa qytete të Evropës.
“Kemi pra arsye të themi se në këtë fushë po instalojmë praktikën më moderne evropiane, standardin më modern evropian që ekziston në kontinent dhe BE. Shërbimi që kjo qendër dhe të gjithë komponentët e infrastrukturës do u ofrojnë qytetarëve ka të bëjë së pari me ofrimin e një sigurie më të madhe në lëvizshmëri, në trafik, si për automobilistët edhe për këmbësorët; së dyti, duke siguruar një përdorim më efikas, më racional të infrastrukturës të qytetit e cila po përmirësohet, po zgjerohet e zmadhohet, por që megjithatë me një përdorim më efikas do të bëjë të mundur më pak radhë të gjata në trafik; së treti nëpërmjet eliminimit të radhëve të trafikut në pjesë të mëdha të qytetit dhe reduktimit në pjesë të tjera të qytetit, për të kontribuar në një mjedis më të shëndetshëm, cilësi ajri më të pastër dhe natyrisht efiçencë më të madhe ekonomike. Ne dimë se radha në trafik është gjithashtu një humbje kohe, durimi, karburanti, pra në tërësi është një dëm në efiçencën ekonomike dhe lëvizshmërisë në qytet” – u shpreh kreu i Bashkisë së Tiranës.
Kryebashkiaku Basha ka vlerësuar punën cilësore që është kryer nga një prej kontraktorëve më të njohur të kësaj fushe si dhe i ka inkurajuar që puna të përfundojë sa më shpejt, si në instalimin e paisjeve, ashtu dhe në trajnimin e stafit i cili do të merret me operimin e Qendrës.
“Së shpejti do të rikthehemi për të parë se si funksionon kjo qendër por sot për sot do të doja të falënderoja të gjithë ata që janë përfshirë në realizimin e këtij projekti, si nga Bashkia e Tiranës, si nga kontraktori, si nga Policia Bashkiake, t’u uroj vazhdim të mbarë të punës deri në përfundimin e saj si dhe të shikojmë sa më shpejt trupën e specializuar dhe trajnuar e cila do të marrë në dorë këtë sistem modern dhe unik deri më sot në Tiranë, në Shqipëri por edhe me pak të tillë në rajonin e Ballkanit, në mënyrë që cilësia e jetës në qytet për qytetarët e Tiranës dhe pothuajse gjysmën e Shqipërisë që ndodhet këtu pothuajse përditë, të ketë një përmirësim të ndjeshëm dhe ne të hedhim një hap domethënës, të prekshëm drejt objektivit tonë për një Tiranë moderne evropiane” – theksoi z. Basha.
Kreu i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka bërë të ditur se do të ketë bashkëpunim edhe me Policinë e Shtetit dhe konkretisht me dhomën e saj operative, e inauguruar rreth 3 vjet më parë, për të bërë të mundur shkëmbimin e të dhënave të cilat do të rrisin edhe sigurinë në qytet.