Kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas së Shqipërisë, deputetja Albana Vokshi deklaroi gjatë një takimi dedikuar rolit të grave dhe vajzave në Elbasan se Partia Demokratike avancoi të drejtat e grave dhe vajzave në Shqipëri. Duke komentuar raportin më të fundit të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin tha se Shqipëria renditet në vendin e 41 për sa i përket arritjes së Barazisë Gjinore, ndërsa studimi merr në referencë zhvillimet në këtë kontekst në 148 vende të botës.
Znj.Vokshi vlerësoi zgjedhjen e grave dhe vajzave, duke theksuar se ata nuk kanë gabuar kurrë me votë, duke mbështetur gjithmonë alternativën qeverisëse të Partisë Demokratike.
Në takimin e organizuar nga Lidhja Demokratike e Gruas, dega Elbasan morën pjesë Ministri i Mbrojtjes, njëkohësisht deputet i PD-së në Elbasan, deputetja Ardiana Gjonaj dhe përfaqësuese të LDG-së, Elbasan, Zheni Gjergji dhe Mimoza Hasekiu.
Ministri i Mbrojtjes, deputeti Arben Imami, gjatë fjalës së tij theksoi se emancipimi i një shoqërie matet me emancipimin e gruas dhe se gratë janë ato që duan të mbrojnë të ardhmen e këtij vendi dhe që e prodhojnë këtë të ardhme.
Të gjithë bashkë deklaroi z. Imami duhet të punojmë për një mandat tjetër qeverisës të Partisë Demokratike, për një 4- vjeçar që të konsolidojë këtë rol të gruas në familje dhe në shoqërinë shqiptare, për një 4-vjeçar që ta shndërrojë Shqipërinë një vend të zhvilluar dhe të integruar në familjen e madhe europiane.