Kryeministri Berisha do të niset nesër në Romë (Itali), me ftesë zyrtare të Selisë së Shenjtë, për të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Papa Françesko I. E pranishme do të jetë gjithashtu Kryetarja e Kuvendit, zonja Jozefina Topalli.
Në meshën solemne që do të mbahet në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan do të jenë të pranishëm personalitete të larta botërore, kryetarë shtetesh e qeverish, si dhe dhjetëra mijëra pelegrinë, besimtarë nga mbarë bota.
Papa Françesko (Jorge Mario Bergoglio) është Papa i 266-të i Kishës Katolike, i zgjedhur më 13 mars 2013. Nga viti 1998 dhe deri në zgjedhjen e tij si papë, ai shërbeu si Arqipeshkv i Buenos Airesit dhe u bë kardinal në vitin 2001 nga Papa Gjon Pali II.