English

Doris Pack i bën thirrje Ashton të jetë e kujdesshme në ndërmjetësimin e bisedimeve midis Prishtinë dhe Beogradit

Deputetja gjermane në Parlamentin Evropian, Doris Pack i ka bërë ftesë shefes së diplomacisë së Bashkimit Evropian që të jetë e kujdesshme në ndërmjetësimin e bisedimeve midis Prishtinë dhe Beogradit për veriun e Kosovës e të mos tejkaloj planin e Martti Ahtisaarit, meqë përndryshe kjo do të nxiste probleme të reja në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Pack, për Newstv ka thënë se veriu nuk duhet që të trajtohet ndryshe nga pjesët e tjera të Kosovës dhe bisedimet midis Kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe homologut të tij Ivica Daçiq të ndërmjetësuara nga Catherine Ashton duhet të mos dalin përtej kufijve të planit të Ahtisaarit.

“Ne nuk kemi nevojë për asnjë ide të re për pjesën veriore të Kosovës, sepse plani i Martti Ahtisaarit është bërë për tërë Kosovën. Prandaj ata që po bëjnë dialog për situatën në vend, duhet të mos harrojnë se ky plan është bërë për tërë Kosovën”, tha ajo.

Pack, e cila vjen nga partia gjermane Unioni Kristian Demokratik (CDU), ka thënë se mosrespektimi i planit të Ahtisaarit, për veriun e Kosovës, do të shkaktonte hapjen e Kutisë së Pandorës, duke reflektuar kështu në situatën politike edhe në Luginë të Preshevës, Maqedoni e gjetiu nëpër rajon.

“Është e qartë se nëse fillohet t’i jepet pjesës veriore një strukturë tjetër kushtetuese, më tepër seç parasheh plani i Martti Ahtisaarit, atëherë do të hapim kutinë, siç e përmendet ju Luginën e Preshevës, apo Maqedoni apo diku tjetër…Mendoj se duhet që të jemi të kujdesshëm. Shpresoj se zonja Ashton dhe të tjerët ta kenë këtë parasysh, të mos e harrojnë”, theksoi ajo.

Deputetja e Parlamentit Evropian ndërkohë ka ftuar për luftimin e korrupsionit në Kosovë dhe ajo është treguar optimiste se pas përmbylljes së dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, misioni i BE-së, EULEX do të filloj që të jetë më i rreptë për të luftuar këtë fenomen, për të cilin ajo ka thënë se është problemi më i madh i cili e ka kapluar Kosovën, por edhe vendet e tjera të rajonit.

Sipas Doris Pack, puna e EULEX-it në luftimin e korrupsionit në Kosovë është ndërlikuar për shkak të trashëgimisë së shumtë çështjeve nga misioni i OKB-së UNMIK, por edhe në ngurrimin e tij që t’i rreket pa mëshirë kësaj beteje për shkak se në mesin e të korruptuarve ka edhe zyrtarë të lartë të Kosovës.

Ajo ka pohuar se personalitete të nivelit të latë në skenën politike në Kosovë janë të përfshirë në korrupsion dhe se kjo, sipas saj, mund të filloj të luftohet nga misioni i BE-së, EULEX, vetëm pas përfundimit të dialogut midis qeverisë së Kosovës e Serbisë për veriun.

“Po, ne kemi pasur kritika ndaj EULEX-it. Por EULEX-i ka trashëguar shumëçka nga UNMIK-u. Unë gjithmonë kam thënë se gjatë 10 viteve UNMIK-u nuk i ka zgjidhur problemet por i ka akumuluar problemet për fat të keq. Ata kanë lënë përplot raste, lëndë EULEX-it dhe tash EULEX-i është i stërngarkuar me gjëra që në të vërtetë edhe nuk është përgjegjës, fajtor. Problemi qëndron po ashtu edhe aty se disa njerëz në pozita të larta politike janë të ndërlidhur me disa prej këtyre rasteve dhe prandaj është gjithnjë e vështirë që të shkohet përpara në mënyrë të rreptë nëse ka negociata… Është një lëmsh i madh … Mendoj se nëse dialogu do të ketë rezultat, atëherë mendoj se EULEX-i mund të çoj gjërat përpara më lehtë. Siç e përshkrova kjo nuk është edhe aq e lehtë”, tha ajo.

KOMENTE