English

Ish-themeluesit e PD-së, takim me Edi Ramën në Bulqizë

Gjatë vizitës së tij në qytetin e Peshkopisë Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka zhvilluar një takim me një grup prej rreth 200 qytetarësh me prirje politike të djathta. Në takimin e organizuar nga përfaqësuesit e këtij grupimi qytetarësh, merrnin pjesë ish-themelues të PD-së, ish-drejtues të seksioneve dhe grup seksioneve, si edhe ish-anëtarë e mbështetës të kësaj partie në rrethin e Dibrës, të cilët të zhgënjyer nga politikat diskriminuese të qeverisë kishin vendosur të shkëputeshin përfundimisht nga kjo forcë politike dhe të mbështesin në zgjedhjet e 23 qershorit programin e Partisë Socialiste, për një Rilindje Shqiptare.

Takimi i zhvilluar në një nga sallat kryesore të Pallatit të Kulturës së Peshkopisë është moderuar nga Hekuran Vladi, një nga aktivistët më të spikatur të PD në vite si dhe një nga drejtuesit kryesorë të fushatës së PD në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009. Në fjalën e tij hapëse Vladi është shprehur: “Unë jam demokrat se dua që ligjin ta bëjë shumica e vërtetë, duke e konsideruar pjesën tjetër jo si armike, por duke e pranuar si alternativë ndryshe. Unë jam demokrat se dua që ligjin ta zbatojë shumica, jo në favorin e klientëve të vet mafiozë, por në favorin e së drejtës. Unë jam demokrat se dua votën e lirë, se dua një treg të lirë të mallrave dhe të punës, të varur nga cilësia e meritës dhe jo nga dallaveret e votave dhe ryshfetet. Dua një gjykatë që të më shërbejë të drejtën dhe jo padrejtësinë. Dua një spital që të më shërbejë shëndetin dhe jo infeksione shtesë. Dua një shkollë që të më shërbejë dijen dhe jo injorancën. Dua rrugë dhe jo shirita e gërshërë një herë në katër vjet. Fjala demokraci në shqip perifrazohet “pushteti i popullit”, por sot veç pushtet nuk ka populli. Nuk ka demokraci, por ka Salikraci. Pushteti është i Saliut. Ai është një dhe i vetëm, duke blasfemuar edhe me zotin”.
Më pas fjalën e ka marrë një mësuesi në pension, ish-themeluesi i PD-së në këtë rreth, Mentor Dumazeti, i cili po ashtu ka folur për gjendjen e rëndë ku e ka zhytur vendin qeverisja e Sali Berishës. “Kjo mazhorancë që drejton në qeveri sot, ka dështuar në të gjitha drejtimet, sipas nesh dhe të gjithë atyre që e shohin realitetin në sy. Ata e kanë zhytur Shqipërinë në kaos dhe anarshi, ku ka lulëzuar krimi dhe korrupsioni, droga dhe prostitucioni, varfëria dhe mjerimi. Deri aty është tronditur koshienca shqiptare sa që shumë shqiptarë e shikojnë veten të pamundur për të jetuar në këtë vend”, ka thënë mësuesi i moshuar. E menjëherë pas tij stafeta i kaloi një tjetër përfaqësueseje të arsimit në këtë rreth lektorja e Universitetit “Aleksandër Moisiu”, Uarda Hoti është fokusuar te situata skandaloze dhe tejet e politizuar që po kalon shkolla dhe universiteti shqiptar. Ajo ka theksuar: “Shoh me keqardhje se si çdo ditë institucionet arsimore vishen me petkun e militantizmit. Se si auditorët mbushen dhe zbrazen nga një rini e pashpresë, se si përdoren kolegët e mi padrejtësisht për interesa klienteliste. Masivizimi i institucioneve të arsimit të lartë ka shkaktuar një krizë të thellë. Është e turpshme që shkollat dhe universitetet të politizohen pa shkak, të humbasin në tymnajë misionin e tyre fisnik, dhënien e dijes”.
Një tjetër pjesëmarrës, që ka marrë fjalën në takim ka qenë Baki Bajraktari, Sekretar i Sindikatës së minatorëve të Bulqizës, ish-themelues i degës së PD-së në këtë rreth. Ai ka kujtuar kohën kur e gjithë Bulqiza ishte ne grevë dhe qeveria as që denjoi t’i dëgjonte kërkesat e minatorëve, ndërsa kryeministri nuk guxoi t’i takojë grevistët që ndenjen 5 ditë e 5 netë poshtë zyrës së tij në qiell të hapur. “Duke parë katrahurën që është bërë në të gjithë Shqipërinë, por veçanërisht në Bulqizë, duke e parë që Sali Berisha abuzoi me drejtësinë tonë, me pastërtinë tonë, unë bashkë me disa kolegë të mi vendosëm që të shkëputemi një herë e përfundimisht nga ky njeri. Siç e dini edhe ju, Bulqiza kaloi një grevë 3-mujore dhe pa pikën e turpit, 5 ditë e 5 net përpara derës së kryeministrisë, edhe natën flinim aty te dera e kryeministrisë dhe Sali Berisha duke e parë se të gjithë ne ishim anëtarë të PD-së nuk pat guximin që të na priste qoftë edhe 5 minuta. Berishës neve i kemi vënë vizën e kuqe”, është shprehur minatori i zhgënjyer nga ish-partia e tij.
Duke marrë fjalën në këtë takim, kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama pasi i ka falënderuar organizatorët dhe pjesëmarrësit në takim ka theksuar rëndësinë e shembullit të tyre, për të frymëzuar edhe qytetarë të tjerë në këtë rrugë. “Për ne njerëzit janë njerëz, për ta njerëzit janë zgjedhës. Për ne njerëzit janë qytetarë me të cilët duhet të kemi një marrëdhënie të bazuar tek angazhimi reciprok, për ta njerëzit sa më të varfër, sa më të papunë, sa më në errësirë, aq më të manipulueshëm janë, me një thes miell apo me 50 mijë lekë. Unë dua t’ju falënderoj më shumë mirënjohje se unë besoj që është një kohë për Shqipërinë kur kurajo qytetare dhe vetëdija se përpara se të jemi zgjedhës jemi njerëz dhe jemi qytetarë duhet të triumfojë përmes shembullit dhe shembulli juaj jam i bindur që do të frymëzojë edhe të tjerë, për t’u shkëputur nga rreshti, për t’u shkëputur nga ajo zonë tërësisht gri që ka imponuar partia në pushtet dhe për të dalë hapur jo në emër të PS-së, por në emër të nevojës për të pasur një marrëdhënie të re me partitë, që kërkojnë votën për të qeverisur”, është shprehur kreu i PS-së, në këtë takim mjaft të ngrohtë të zhvilluar me përfaqësuesit e vërtetë të së djathtës dibrane.

KOMENTE