English

Berisha i dergon telegram urimi Kryeministrit të Izraelit, zotit Benjamin Netanyahu

Kryeministri Berisha i ka dërguar një telegram urimi Kryeministrit të Izraelit, zotit Benjamin Netanyahu, me rastin e formimit dhe fillimit nga puna të qeverisë së re.
Në këtë telegram, Kryeministri Berisha shprehet:

“I nderuar zoti Kryeministër,

Kam kënaqësinë e veçantë që, me rastin e formimit e fillimit nga puna të qeverisë suaj të re, t’Ju përcjell, në emrin tim, të qeverisë shqiptare dhe të Partisë Demokratike të Shqipërisë përshëndetjet më të përzemërta dhe urimet më të ngrohta e miqësore për sukses të plotë në detyrat e rëndësishme përpara.

I kam ndjekur me vëmendje përpjekjet tuaja për një koalicion vizionar dhe prezantimin e platformës suaj qeverisëse dhe mbetem thellësisht i bindur se nën udhëheqjen Tuaj, me largpamësinë e vendosmërinë që Ju karakterizon, Izraeli do të shënojë suksese të reja në rrugën e zhvillimit e të modernizimit të mëtejshëm dhe prosperitetit për qytetarët e kombin Tuaj, mik të Shqipërisë dhe shqiptarëve, sikundër besoj se qeveria juaj e re do të sjellë kontribut të rëndësishëm në drejtim të konsolidimit të paqes e stabilitetit në rajon.

Duke qenë se marrëdhëniet ndërmjet të dyja qeverive e vendeve tona janë në një nivel të shkëlqyer e të bazuara në ndjenjat më të sinqerta dhe miqësinë tradicionale e të veçantë ndërmjet të dyja kombeve tona dhe duke u mbështetur te premtimi i juaj gjatë vizitës sime në Izrael, dëshiroj, me këtë rast, t’Ju ripohoj dëshirën time e të gjithë shqiptarëve t’Ju presim së shpejti në Tiranë, si mik i madh dhe i shquar i Shqipërisë dhe kombit shqiptar.

Kjo vizitë do të përbëjë një kontribut të çmuar për ti thelluar edhe më tej këto marrëdhënie të ngushta me Ju dhe qeverinë Tuaj si edhe për të nxitur e promovuar bashkëpunimin e frytshëm e të gjithanshëm, në veçanti atë ekonomik, e inkurajimin e investimeve të ndërsjella, në të gjitha fushat, në dobi të interesit më të mirë të qytetarëve e vendeve tona.

Me sigurimet e konsideratës e të respektit më të lartë,

Juaji,

Sali Berisha”.

KOMENTE