English

Rama: Pas 23 qershorit ndryshim radikal në biznesin e vogël

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka qenë sot paradite në qytetin e Elbasanit ku ka zhvilluar takime me të vetëpunësuar në biznesin e vogël. I shoqëruar nga sekretarët, Ilir Beqja e Arben Ahmetaj, si dhe nga kryebashkiaku i Elbasanit, Qazim Sejdini, kryesocialisti ka vizituar disa njësi shërbimi, kryesisht dyqane ushqimore si dhe ka biseduar nga afër me familjarët e vetëpunësuar në to. Këta të fundit e kanë njohur kreun e PS me gjendjen dramatike në të cilën ndodhen, një situatë që siç e përshkruajnë ata nuk është parë prej më shumë se 20 vjetësh.

“Mysybet jemi! Ça të thush?! Unë jam në një dyqan me qira. Të parën paguaj qeverinë, të dytin paguaj të zotin e dyqanit, ç’të ngelet ha unë. Jam vetë i katërt. Nusen e kam pa punë. Ka mbaruar shkollën e lartë dhe ka 7 vjet që është pa punë. Që ta fusësh në punë duhet të kesh 5 mijë euro. Unë po të kisha 5 mijë euro nuk rrija këtu në dyqan. Dhe kështu detyrohem të mbaj familjen me këtë unë. Lista e borxhlinjve është plot. Tre fletore m’i ka gris çuni dhe unë prapë vazhdoj e jap veresie, se më vjen keq. Vijnë njerëzit këtu e qajnë për një kafshatë bukë. Numërojnë riskat e bukës, dy në mëngjes, dy në drekë e dy në darkë. Jo se mbajnë dietë, po s’kanë të blejnë”, thotë një grua e moshuar në njërin prej dyqaneve me mallra ushqimorë të Elbasanit. Ajo thotë se krahasuar edhe me një vit më parë situata është akoma dhe më e keqe: “Në krahasim me një vit më parë ka rënë shumë, shumë, shumë. Unë kam 10 vjet me këtë dyqan, por këtë vit ka rënë shumë. Është si nata me ditën nga viti i kaluar në këtë vit. Vetëm më teposhtë po shkon, lart jo. Jemi në gjendje shumë të keqe”. Pyetjes së kryesocialistit se a do t’i lehtësonte heqja e taksës së biznesit të vogël, gruaja i është përgjigjur: “Aq më mirë. Patjetër që lehtësohemi, se unë 300 mijë lekë i pagova pardje. Ia hoqa gojës dhe ia çova qeverisë”
Pak më tutje një tjetër dyqan, edhe më i vogël se i pari. Sërish një grua, e cila shet byrekë dhe bugaçe i ankohet kreut të PS për nivelin e lartë të taksave dhe tatimeve. “Unë te ky dyqan që punoj, kaq i vogël sa është dhe kam shumë taksa e tatime, duke nisur që nga kasa fiskale që unë e kam marrë me kredi në bankë se nuk kisha lekë. Edhe unë punoj me lista. Ja ta shikoni fletoren për kuriozitet, sa kanë marrë veresie dhe mua nuk më del për të ngrënë për vete. Burri ka punuar 35 vjet në fabrikën e çimentos, dhe ka tre vjet që e nxorën nga puna. Të dy çunat i kam në shkollë, dhe me këtë dyqan kaq të vogël unë ha bukë bashkë me gjithë familjen, katër vetë”, tregon gruaja, që nuk e fsheh dëshpërimin për situatën ku ndodhet.
Në derën e një dyqani me materiale ndërtimi dhe pajisje elektrike, Rama është takuar me tregtarin që shiste aty, një burrë i moshuar, që dukej se po gëzohej rezeve të diellit, por aspak punës, pasi deri në mesditë nuk kishte shitur asgjë. “As neve nuk e dimë se çfarë po bëjmë. Ja sot asnjë njeri nuk më ka hyrë në dyqan. S’ka ndërtime që të vijë të blejë njeri materiale. Kush merr ndonjë llambë që i digjet, ndonjë rezistencë dushi edhe absolutisht asnjë gjë më shumë. Në krahasim me vitin e kaluar, unë sa bëja fitim vjet këtë vit nuk kam xhiron. Ne po e vuajmë në kurriz këtë punë, po e vuajmë shumë keq”, ka thënë tregtari. Në krahun tjetër të rrugës, kreu i PS është ndalur në një bar restorant, i cili nuk kish si të ishte më mirë se sipërmarrjet e tjera të Elbasanit. “Ka rënë klientela shumë. Ja siç e shikon ora 12 e ca dhe restoranti nuk ka këmbë robi. Në krahasim me vitin e kaluar është shumë më poshtë”, i ka thënë kryesocialistit i pronari i restorantit.
Nga ana e tij Edi Rama u ka bërë të qartë përfaqësuesve të biznesit të vogël, se menjëherë pas 23 qershorit qeverisja socialiste do të angazhohet për të realizuar një ndryshim radikal në ecurinë e këtij sektori mjaft të rëndësishëm. “Me biznesin e vogël duhet bërë një ndryshim radikal komplet. Duhet lehtësuar maksimalisht te të gjitha peshat fiskale dhe administrative, në mënyrë që të fillojnë të marrin pak frymë, sepse ky është jo vetëm degradim ekonomik, por është degradim social, është degradim komunitar, është degradim shpirtëror masiv. Prandaj këtu duhet ndërhyrë urgjentisht”, është shprehur kreu i PS gjatë takimeve të zhvilluara sot në qytetin e Elbasanit.

KOMENTE