Kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç, përfunduan raundin e shtatë të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, që është kusht për integrimet e evropiane.
Për herë të parë me video, të dy kryeministrat janë parë bashkë kur kanë dalë në konferencë shtypi me baroneshën Ashton, por pa komunikuar pajtimin përfundimtar.
Të dy kryeministrat kanë thënë se është shënuar përparim në bisedime. Vetë Ashton, i ka falënderuar kryeministrat për angazhimin e tyre, duke thënë se palët janë shumë afër zgjidhjes për disa çështje shumë të rëndësishme, në lidhje me veriun e Kosovës.Kryeministri i vendit Hashim Thaçi duke e quajtur këtë takim si jo të lehtë, ka thënë se takimi është zhvilluar në një atmosferë pozitive dhe konstruktive.
Takimi i radhës është caktuar për datën 2 prill dhe zyrtarët evropian shpresojnë që ajo datë të çojë në marrëveshje ndërmjet të dyja palëve.
Kryeministri serb, Ivica Dacic tha se Serbia është e përkushtuar për bisedimet jo vetëm për shkak të datës së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por për të gjetur zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme që respektojnë interesat e të dyja palëve.
Të dy kryeministrat do të udhëtojnë për në New York, ku të premten do të marrin pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën. Përgjatë kësaj mbledhjeje, ata pritet të takohen edhe me sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon.
Zonja Ashton tha se të dy kryeministrat do të udhëtojnë me një avion dhe mbase kjo mund të jetë një mundësi e vazhdimit të debateve ndërmjet tyre.