English

Pse CV-ja përfundon në kosh

Edona Bilali, MSc - Gjatë viteve të fundit kam lexuar dhjetra artikuj sesi duhet të formulohet një CV, cili është standardi që duhet përdorur, çfarë duhet por kryesisht çfarë nuk duhet të përfshijmë në të.

Jam e bindur që dhe ju që po lexoni këtë artikull keni lexuar shumë për hartimin e CV në formatin e duhur.

Kur ju aplikoni për një vend pune nuk keni informacionin sesa persona të tjerë kanë aplikuar përtë njëjtin pozicion. Ja disa shifra të vitit 2013:

• Pozicioni: Drejtor i Burimeve Njerëzore në një kompani ndërkombëtare në Shqipëri - numri i aplikimeve 312.
• Pozicioni: As. Manaxher në një bar në një qendër tregtare, numri i aplikimeve 334
• Pozicioni: Agjent Shitjesh për produkte kozmetike në rrethin e Tiranës, numri i aplikimeve 117
• Pozicioni: Banakier në një qendër tregtare, numri i aplikimeve mbi 1000

Nëse ju nuk keni marrë një telefonatë pas aplikimit për pozicionin e dëshiruar atëherë diçka ka shkuar keq dhe më poshtë do të shikojmë çfarë.

Personi që po shikon CV e ardhur për një pozicion të veçantë pune, analizon gjithashtu edhe pozicione të tjera paralelisht ndaj koha që i dedikohet një pozicioni varion nga gjysëm dite në një ditë sipas numrit të CV të mbledhura për atë pozicion. Mënyra më e thjeshtë e filtrimit të këtyre CV është kalimi i shpejtë i tyre për të parë për elementë të cilët i skualifikojnë që në këtë
fazë kandidatët.

Në shikimin e parë te të gjitha CV, rreth 25-30% e tyre skualifikohen menjëherë.

Sa më me ekperiencë të ketë personi që po analizon CV aq më pak kohë i nevojitet atij për të bërë këtë filtrim.
Ja disa elemente të cilët cilësohen si kyq për filtrim:

• Arsimi: Nëse pozicioni i shpallur kërkon p.sh: një Specialist Marketingu, atëherë aplikantët me arsim në drejtësi, financë-kontabilitet, informatikë, inxhineri e shumë të tjera eliminohen menjëherë. Përjashtime mund të bëjnë rastet kur personi ka një arsim të ngjashëm (psh profili Manaxhim) dhe ka ekperiencë të konsiderueshme në fushën e kërkuar atëherë mund të ketë një shanc për të kaluar këtë fazë.
• Eksperienca: Personat që bëjnë shpalljen kur përcaktojnë vitet e ekperiencës së kërkuar nisen nga disa faktorë siç janë: ngarkesa, vendimmarrja, fondi që ka në administrim pozicioni, personat në varësi etj, pra nuk është rastësor numri i viteve në njoftim. E theksoj këtë për të qartësuar 10-15% të sapo diplomuarve të cilët aplikojnë në çdo pozicion vakant të mundshëm. Dakord duhet nisur nga diku ekperienca, por shancet për të kaluar këtë fazë ku ekperienca e kërkuar për pozicionin që po aplikoni është p.sh: 5 vjet janë zero.

• ‘Çudira’ në CV. Tek kjo kategori futen shumë elementë që nuk do të mjaftonte një artikull i tërë për t'i listuar megjithatë më poshtë po listoj disa që janë të përhapur më shumë tek CV e analizuar deri tani:

Fotografia: përmasa shumë herë më të mëdha se ajo e pasaportës, ku
shfaqet gjithë gjatësia e kandidati.
Fotografi me njerëz të tjerë gjysëm të prerë ose në sfond, fotografi në ambiente diskotekash ose klubesh ku veshja dhe grimi janë të papërshtatshme etj.

Simbolet dhe shkurtimet: Nga të rinjtë vihet re përdorimi masiv i
simboleve dhe shkurtimeve në CV përgjithësisht tek seksioni i qëllimit të
karrierës, praktikë e cila rrjedh nga mesazhe telefonike dhe komunikimet
në rrjete sociale mendoj. Do t'ju duken qesharake por më poshtë keni disa
shembuj të shkëputur nga CV
§ ‘‘Dua të drejtoj & org. njerëzit’’;
§ ‘’E marr punën me sh sportivitet J’’

Gabimet drejtshkrimore dhe zhargoni: Sigurisht që nuk bëhet fjalë për
një ose disa gabime drejtshkrimore apo për dialekte, bëhet fjalë për
shumë më tepër. Ja një paragraf i shkëputur nga një pozicion ‘’Agjent
Marketingu’’:
§ ‘’Unë….. jam i interesun për pun pran firms e juaj, di gjermanisht,
kam punuar si gazetar që shprëndajsha gazeta për firmën…’’

Informacioni i tepërt: Me dëshirën që personi që lexon CV tuaj t'ju
njohë më mirë, pra të rriten shancet për të kaluar këtë faze, shpesh kjo
tejkalohet me shprehje të cilat bëjnë efektin e kundërt:
§ ‘’Mendoj që jam e duhura për këtë pozicion pune pasi të gjithë
kemi pak Mikelanxhelo brenda ’’;
§ ‘’Profesioni i prindërve motrave dhe vellezërve është……’’

Bashkëlidhja e çdo çertifikimi të mundshëm të marrë në çdo fushë të jetës. Asnjë nuk vë në dyshim vërtetësinë e atyre çfarë shkruhet në CV në fazën e filtrimit të CV sepse të gjitha janë objekt verifikimi në një fazë të mëvonshme, ndaj në rastet kur nuk ju kërkohen dokumenta shtesë, CV mjafton. Ky mund të mos jetë kusht përjashtues por ngjan si veprim i dëshpëruar para
kompanisë dhe megjithëse mund të mendoni që kjo është një mënyrë për të treguar seriozitetin, përkushtimin etj kjo nuk është mënyra për të hyrë në një organizatë.
Herën tjetër, para se të dërgoni një CV, sigurohuni që t'i keni marrë parasysh faktorët e përmendur me lart. Mos harroni se për shumë pozicione pune, suksesi fshihet pas detajeve.

KOMENTE