Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka vijuar prezantimin e Programit për një Rilindje Shqiptare në disa nga komunat e rrethit të Dibrës. Ai është takuar dhe ka biseduar me banorët e komunave Maqellarë, Muhur dhe Kastriot, ku është pritur me entuziazëm dhe mjaft optimizëm. Kreu i PS është ndalur në gjendjen e vështirë që po kalon fshati sot, si pasojë e paaftësisë dhe korrupsionit së qeverisë aktuale. Ai ka theksuar faktin se megjithëse Shqipëria është vendi i dytë në Europë për burime ujore në raport me territorin, pjesa më e madhe e komunave të vendit vuajnë mungesën e ujit për të pirë, por edhe për të vaditur tokat. Rama është angazhuar përpara banorëve të komunave Maqellarë, Muhur dhe Kastriot se qeverisja socialiste e pas 23 qershorit do të ndërhyjë menjëherë në infrastrukturën rrugore si dhe për të siguruar ujitjen e pandërprerë të tokave bujqësore, çka do të rriste prodhimin bujqësor dhe atë të drurëve frutorë.
“Duhet të prodhojmë në radhë të parë ushqimin, sepse ky është cikël. Nëse ne nuk prodhojmë ushqimin atëherë edhe çmimet e ushqimeve në treg do jenë shumë më të larta. E duke qenë çmimet shumë më të larta atëherë edhe pamundësia është shumë më e madhe.
Si mundet ne të rilindim këtë vend në qoftë se nuk rilindim fshatin, në qoftë se nuk rilindim shpresat dhe ëndrrat e njerëzve që jetojnë në fshat. Edhe ata që me sakrifica, me çmime të larta, me mundime të mëdha prodhojnë ca domate e prodhojnë ca patate, shpesh herë iu del më keq, sepse iu kalben në dorë, nuk i shesin dot, nuk i nxjerrin dot në treg”, është shprehur kreu i PS përpara banorëve të Maqellarës, ndërkohë që ka rikujtuar edhe një nga premtimet më boshe të kryeministrit: “Sali Berisha ju tha katër vjet më parë, apo 8 vjet më parë, do t’ua bëj naftën 400 lekë, por vetëm taksën e naftës e bëri 800 lekë. Taksën 800 lekë!”
Duke ju referuar gjendjes skandaloze të mungesës së ujit në Maqellarë, por edhe në gjithë territorin e vendit Rama ka theksuar faktin se aktualisht PS në Programin e saj ka një projekt për vaditje-kullim me një kosto financiare të përllogaritur saktësisht: “Jemi të dytët në Europë për sasi uji në raport me territorin dhe nuk kemi ujë për të vaditur tokat dhe nuk kemi ujë për të pirë në pjesë të tëra të vendit. Ky është një turp. Ne kemi një pjesë të programit tonë për ujitjen, që është uji në parcelë. 160 milionë dollarë për ta “mbuluar” të gjithë territorin e Shqipërisë me ujë dhe për t’u dhënë mundësi njerëzve që të fillojnë të prodhojnë”.
Në Komunën Muhur, kryesocialisti i ka garantuar banorët për mbështetjen më të madhe që ata kanë parë ndonjëherë nga ndonjë qeveri dhe kryeministër deri më sot. “Unë vetë do të jem mbrojtësi më i flaktë dhe mbështetësi më i fuqishëm i çdo shqiptari që jeton në fshat dhe që do të jetojë me punën e ndershme me tokën.”
“Një varfëri, një papunësi, një mizerabilitet, a thua se jetojmë në mesjetë, jo në shekullin e XXI në mes të Europës”, u ka thënë Rama banorëve në Kastriot, ndërsa ka analizuar edhe arsyet se përse zonat që votojnë më shumë PD-në janë dhe zonat më të varfra. “Pjesa që i jep Partisë Demokratike votat më me shumicë, është pjesa më e varfër, më e braktisur, më e shkatërruar. Si ka mundësi kjo? Sepse ashtu i duheni PD-së. I duheni të varfër, i duheni të papunë, i duheni të uritur, i duheni sot për sot. Ata nuk i shikojnë njerëzit e këtij vendi si njerëz, por i shikojnë si zgjedhës”, ka theksuar ndër të tjera në Kastriot të Dibrës Edi Rama.