Policia e Tiranës ka arrestuar Bashkim Tahirin, të atin e deputetit të PS-së, Sajmir Tahiri për kontrabandë barnash mjekësore.
Sipas policisë për tre muaj me radhë të arrestuarit ishin mbajtur nën përgjim. Sipas dyshimeve të Policisë së Tiranës, shtetasit në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë mundësuar transportimin e medikamenteve, ku siguroheshin në mënyrë të jashtëligjshme në një qëndër shëndetësore në Itali dhe shiteshin në Tiranë.
“Zëdhënësja e policisë sqaroi se nga hetimet është konkluduar se të arrestuarit e kryejne këtë aktivitet në bashkëpunim prej 1 viti, për të shmangur detyrimet tatimore.
Pas një punë operative hetimore dhe proçeduriale u mundësua dokumentimi ligjor i përfshirjes së shtetasve të sipër cituar për një periudhë 3-mujore hetimi, ku është arritur të sigurohen provat e mjaftueshme për t’u vërtetuar faktin, që shtetasit në bashkëpunim me njëri - tjetrin kanë mundësuar trasportimin e medikamenteve, ku siguroheshin përmes shtetases me iniciale N.P (vjerra e shtetasit Dritan Gjiza), e cila i siguronte në një mënyrë të jashtëligjshme në një qëndër shëndetësore në Itali.
Pas hetimit, u konkludua se shtetasi, Dritan Gjiza, pasi siguronte transportimit me mjete të ndryshme, përmes Pikës së Kalimit Kufitar Durrës, duke bashkëpunuar edhe me shtetasit e sipër cituar, i tregonin më pas në farmacinë e shtetasit Bashkim Tahiri e ndodhur në afërsi të Q.S.U.T. në Tiranë.
Në momentin e arrestimit të 3 – shtetasit u kapën në flagrancë duke shkëmbyer medikamentet me shumën e parave, në afërsi të rrugës “Todi Shkurti” në Tiranë, ku u gjënden dhe u sekuestruan një sasi e konsiderueshme medikamentesh për diagnoza të ndryshme kurimi si : sëmundje kancerogjene, sëmundje nervore etj, ku vlera e tyre arrin në mbi 10 mijë euro”- përfundoi deklarata e zëdhënëses së policisë.