Në prag të sezonit turistik që po vjen, Kryeministri Berisha zgjodhi qytetin bregdetar te Durrësit për të zhvilluar një bashkëbisedim me pronarë, menaxherë hotelesh, restorantesh, operatorë, drejtues të kompanive të mëdha turistike të vendit.
Në një bashkëbisedim për më shumë se dy orë kryeministri dëgjoi vlerësimet, propozimet, mendimet, vërejtjet, kritikat, sugjerimet e tyre për zhvillimin e mëtejshëm te turizmit dhe formave te tij ne Shqipëri. Duke theksuar potencialin e madh turistik që ofron Shqipëria, kryeministri u shpreh se turizmi sot është shndërruar ne dege kryesore te ekonomisë ndërsa numri i turisteve dhe vizitoreve është rritur nga 300 mije qe ishin ne vitin 2004 ne 4.7 milionë ne vitin 2012 ndërkohë që të ardhurat nga ky sektor u rriten disa here, numri i te punësuarve kalon mbi 150 mije. Kryeministri theksoi se me uljen e TVSH-se, lehtësimet e reja fiskale dhe hartimin e projekteve te mëdha te zhvillimit te turizmit, synohet qe numri i turisteve dhe vizitoreve ne 4 vitet qe vijnë te rritet ne 7 milionë dhe numri i te punësuarve ne këtë fushe te rritet me 30%. Në takimin me operatorët turistikë të vendit, kryeministri tha se për katër vitet e ardhshme parashikohet një rritje prej rreth 45 mijë të punësuarish më shumë: “Turizmi është degë kryesore e ekonomisë dhe me potencialin më të madh të punësimit. Për ne, punësimi ka rëndësi të jashtëzakonshme.”
Në këtë takim, kryeministri Berisha pranoi kërkesën e bërë prej tyre për uljen e TVSH-së mbi disa shërbime turistike, përfshirë hotelet, pasi përvoja e vendeve të rajonit tregon për një “bum” turistik duke i bërë shërbimet dhe paketat më të lira për turistët: “Jam dakord dhe do të nisin diskutimet për ta ulur në nivelin minimal.”, u shpreh Kryeministri. Kryeministri theksoi gjithashtu se shumë shpejt do të miratohet edhe një ligj tjetër që përjashton nga çdo taksë për 7 vjet të gjithë ata që investojnë në turizmin malor. Kryeministri garantoi operatorët turistikë dhe bizneset në tërësi për ruajtjen e politikës së taksave të ulëta: “Jemi dhe do të mbetemi qeverisje e taksave të ulta. Besojmë se paraja tek biznesi është më i vlefshëm për Shqipërinë sesa paraja në arkën e shtetit.”