Ndërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Institutit Europian të Tiranës dhe Komitetin Shqiptar të Helsinkit është nënshkruar sot një marrëveshje bashkëpunimi “Për përmirësimin e trajtimit dhe respektimit të të drejtave të personave të arrestuar, ndaluar dhe të shoqëruar në ambientet e Policisë së Shtetit”.
Në ceremoninë e organizuar në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit ishin të pranishëm Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Z. Hysni Burgaj, Drejtoresha e Institutit Europian të Tiranës. Zj. Marta Onorato dhe Drejtoresha Ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit Zj.Vjollca Meçaj.
Duke vlerësuar iniciativën dhe predispozicionin e këtyre organizatave për të nënshkruar këtë marrëveshje bashkëpunimi me Policinë e Shtetit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, theksoi:
“Këto dy marrëveshje përcaktojnë drejtimet dhe fushat kryesore të bashkëpunimit si dhe modalitetet për realizimin e tyre në funksion të përmirësimit të trajtimit dhe respektimit të personave të privuar nga liria në ambientet e Policisë së shtetit.
Marrëveshjet kanë për qëllim ngritjen në një shkallë më të lartë të bashkëpunimit, nëpërmjet dhënies së aksesit të plotë dhe krijimin e kushteve dhe lehtësirave përfaqësuesve tuaj në funksion të rritjes së transparencës të punës së Policisë Shtetit në trajtimin dhe respektimin e të drejtave si dhe personave të privuar nga kjo liri në ambientet e Drejtorive dhe Komisariateve të Policisë në të gjithë vendin”.
Gjatë fjalës së tij Z. Burgaj evidentoi se Policia e Shtetit do të rrisë në nivele maksimale të mundshme bashkëpunimin në këtë drejtim me dy organizatat e shoqërisë civile, duke u krijuar të gjitha lehtësirat e nevojshme për të kontrolluar, monitoruar në çdo kohë ambientet e Policisë së Shtetit, përsa i përket respektimit të të drejtave dhe lirive të personave të arrestuar, ndaluar apo shoqëruar.
Z. Burgaj, duke shprehur angazhimin e tij personal dhe të organizatës së policisë për të respektuar deri në fund liritë dhe të drejtat e njeriut në këto ambiente, vuri në dukje nevojën e bashkëpunimit të Policisë së Shtetit me këto dy organizata të shoqërisë civile si në fushën e trajnimeve, seminareve në drejtim të përmirësimit të akteve ligjore në fuqi, apo eksperiencave më të mira të vendeve të tjera, me qëllim që puna në këtë drejtim të jetë e pandarë, e përbashkët dhe të arrijmë atë që ne kemi objektiv: përmirësimin e sjelljes, etikës, komunikimit, respektimit të të drejtave të njeriu në të gjitha ambientet e Policisë së Shtetit.
Ndërkohë Drejtorja e Institutit Europian të Tiranës, Zj. Onorato duke evidentuar ndihmën e dhënë nga kjo organizatë për forcimin e demokracisë shqiptare, evidentoi faktin se:
“ Është në këtë perspektivë fakti që unë e konsideroj si shumë të rëndësishme hapin e bërë nga Policia e shtetit shqiptar në hapjen e dialogut konstruktiv me shoqërinë civil dhe në përforcimin e bashkëpunimit tonë të përbashkët. Duke bërë këtë, Policia e Shtetit Shqiptar është duke treguar gatishmërinë e saj për të luajtur plotësisht rolin e saj në procesin shqiptar të integrimit evropian dhe veçanërisht në përmbushjen e prioriteteve kryesore të vendosura nga Komisioni Europian.”
Minitorimi i pavaruar i punës së policisë në respektimin e standardeve të të drejtave të njeriut do të garantohet nga kjo marrëveshje. Policia e Shtetit Shqiptar do të sigurojë dhe përforcojë në këtë mënyrë transparencën dhe llogaridhënien, të cilat janë dy parime të rëndësishme të një shoqërie demokratike.”
Po ashtu Zj. Onorato shprehu mirënjohjen e saj për Z. Burgaj dhe stafin që ai drejton, të cilën bënë të mundur realizimin e kësaj marrëveshje, si rezultat i kësaj, sigurimin e një dialogu të frytshëm dhe konstruktiv midis palëve.
Në emër të Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Zj. Meçaj, e cilësoi nënshkrimin e kësaj marrëveshje si një moment i rëndësishëm, pasi e ngre në një nivel më të lartë bashkëpunimin e deritanishëm me Policinë e Shtetit.
“Në fakt bashkëpunimi me Policinë e Shtetit ka ekzistuar dhe më përpara. Kemi pasur mirëkuptim dhe kemi bashkëpunuar, jo vetëm në fushën e legjislacionit të ri , por edhe në fushën e mbrojtjes e respektimit e të drejtave të njeriut. Megjithatë nënshkrimi i kësaj marrëveshje e ngre bashkëpunimin tonë në një nivel më të lartë, se ne e institucionalizojmë, ne tani biem dakort me një marrëveshje për të njohur dhe respektuar njëri-tjetrin në një punë të përbashkët, duke shënuar objektiva të përbashkëta, pra mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave njerëzore edhe të njerëzve që mund te jenë me liri të privuar. Këtej e tutje ne përpara gjithë shoqërisë angazhohemi bashkarisht se edhe njerëzit që u hiqet liria, që shoqërohen arrestohen apo ndalohen nga organet e policisë, do të trajtohen si qenie njerëzore dhe për këtë do të jetë garant, jo vetëm policia, por edhe shoqëria civile, e cila do ti ketë dyert e hapura për të monitoruar.” – u shpreh Zj. Meçaj.
Po ashtu Zj. Meçja theksoi se integrimi evropian është një çështje që nuk i takon vetëm administratës publike dhe politikës, por është një çështje që i takon gjithë popullit shqiptar.
“Kjo marrëveshje, sot, është një shprehje konkrete e asaj që edhe policia e shtetit po bën po hapet drejt qytetarit pasi zhvillimet demokratike të vendit janë cështje që na takojnë të gjithëve bashkë, duke punuar të gjithë bashkë do kemi rezultate shumë më të mira se sa do të shënojë secili më vehte.”- vuri në dukje Zj. Meçaj.
Marrëveshjet e nënshkruar sot mes Policisë së Shtetit dhe Institutit Europian të Tiranës dhe Komitetin Shqiptar të Helsinkit kanë si qëllim kryesor:
vendosjen e bashkëpunimit dhe marrëdhënieve midis organizatave të shoqërisë civile që mbrojnë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut dhe strukturave të Policisë së Shtetit - në funksion të rritjes së transparencës së punës së Policisë së Shtetit në trajtimin dhe respektimin e të drejtave të personave të shoqëruar, arrestuar/ndaluar dhe trajtimit të tyre në ambientet e drejtorive dhe komisariateve të policisë vendore,
dhënien e aksesit të plotë organizatave të shoqërisë civile për të monitoruar, inspektuar e vizituar ambientet ku mbahen e trajtohen kjo kategori personash për të takuar e komunikuar me personat e shoqëruar, ndaluar /arrestuar, për të verifikuar edhe nëpërmjet dokumentacionit përkatës, (drejtori policie qarku/kufiri dhe migracioni, komisariate të policisë/kufirit dhe migracionit, stacionet e policisë/kufirit dhe migracionit) si dhe trajtimin e respektimin e të drejtave të tyre nga personeli policor dhe atij civil pranë këtyre organeve.