Sot paradite në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë, Ministri Eduard Halimi, ka takuar Prof. Dr. Cherif Bassiouni, personalitet i rëndësishëm i jurisprudencës ndërkombëtare, i cilësuar si babai i të drejtës ndërkombëtare penale, i nderuar me titullin “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti i Tiranës.
Si president i i Institutit të Lartë Ndërkombëtar të Studimeve Penale të Siracusez, Prof. Bassiouni ka kontribuar gjerësisht në përgatitjen e brezave të tërë juristësh shqiptarë në fushën penale dhe të drejtave të njeriut. Ky takim realizohet në kuadër të zhvillimit të konferencës së parë ndërkombëtare “Mbi Ligjin dhe Praktikën e Gjykatës Ndërkombëtare Penale, Arritjet, Impaktet dhe Sfidat” e cila organizohet në Tiranë në datat 25-26 nëntor, në kuadër të 10- vjetorit të ratifikimit të Statutit të Romës nga Shqipëria.
Ministri i Drejtesisë e falenderoi Prof. Bassiounin mbi kontributin e madh që ai ka dhënë për sistemin e drejtësisë në Shqipëri nëpërmjet përgatitjes së magjistratëve të rinj pranë këtij Instituti, Institut i cili hodhi bazat e krijmit të Gjykatës për Krime të Rënda në Shqipëri e cila deri me sot ka pasur një performancë shumë të mirë në dhenien e drejtësisë dhe respektimin e të drejtave të njeriut.
Ministri i Drejtesise gjithashtu informoi Prof. Dr. Bassiounin, mbi reformat në sistemin e drejtësisë, nëpërmjet digitalizimit të sistemit me impakt të drejtpërdrejtë në uljen e korrupsionit dhe luftën kundër kriminalitetit.
Ministri i Drejtësisë dhe Presidenti i Institutit të Sirakuzës, u angazhuan plotësisht për vazhdimin e bashkëpunimit për të mundësuar trajnimin e të brezit të ri të magjistratëve si një nga elementët kryesor për konsolidimin e sistemit tonë të drejtësisë.