Në vitin e ri akademik pritet të hyjë në fuqi vendimi për studentët, të cilët kanë kërkuar një sezon shtesë, ku të japin provimet ku kanë mbetur apo të përmirësojnë notën.
Përveç dy sezoneve normale pritet që të ketë edhe një sezon shtesë, në të cilën në bazë të profilit dhe fakultetit, studentët të bëjnë edhe pagesën për këtë “shërbim”.
Universiteti i Tiranës ka qenë i pari i cili ka miratuar në rregulloren e brendshme këtë risi, madje dy vjet më parë ky institucion përcaktoi edhe tarifat dysheme dhe tavan për secilin fakultet. Por lista e propozimit mbeti në Ministrinë e Arsimit e pambyllur. Për një vendim që ka lidhje me financat e universitetit, verdiktin përfundimtar e miraton vetëm ministri i Arsimit dhe i Shkencës.
Sipas Ministrisë së Arsimit, këto propozime, me disa ndryshime të cilat do të konsultohen do të miratohen për vitin e ri akademik, si dhe do të bëhen të zbatueshme jo vetëm për Universitetin e Tiranës, por për një pjesë të mirë të universiteteve në vend.
Shërbimet
Shërbimi i sekretarisë në universitete sakaq është reformuar duke bashkëpunuar edhe me bankat në vend. Për të marrë një shërbim në universitet, për një vërtetim të caktuar, për të marrë një dokument apo për të zotëruar një informacion të firmosur e të vulosur nga institucioni ku studenti vijon studimet apo i ka përfunduar ato duhet të paguajë.
Sipas studentëve për vërtetime, të cilat u duhen të lëshohen nga institucioni ata duhet të kalojnë pagesën për këtë shërbim nëpërmjet sistemit bankar. Në rastin më të thjeshtë ky shërbim kushton 150 lekë të reja, ndërkohë që për këtë shërbim banka mban edhe komision bankar prej 200 lekësh të reja.
Provimet
Provimet me pagesë në një sezon shtesë, do të zbatohen për herë të parë me nisjen e vitit të ri akademik. Në muajin tetor çelen studimet në universitete.
Sezoni shtesë nënkupton, një periudhë riprovimi nga ku studentët mund të përfitojnë kohë dhe mundësi për të mbyllur vitin akademik pa provime të mbartura apo për të mos rrezikuar më tej shtyrjen e diplomës për vitin e ardhshëm. Ndryshimi i rregullores është miratuar në vitin 2011, ndërkohë që çmimet në fakultetet e Universitetit të Tiranës, për një provim nisin nga 2 mijë lekë të reja në 3500 lekë të reja.
Të gjithë studentët që duan të shpëtojnë nga provimet e mbartura mjaftojnë të paraqiten pranë këshillit studentor të japin një kërkesë me shkrim për të vërtetuar iniciativën e tyre për të ridhënë provimin.
Është rënë dakord që tarifa e provimeve në sezonin me pagesë ta ketë çmimin dysheme 25 mijë lekë të vjetra. Më pas, me anë të “shpenzimeve” dhe përllogaritjeve që bën secili fakultet mund ta rrisë këtë çmim në bazë të nevojave dhe kërkesave që ka institucioni, shkruan gazeta shqip.
“Studenti ka të drejtë të japë provim në tre sezone të rregullta: sezonin e verës, vjeshtës dhe dimrit. Në raste të veçanta, me kërkesë të Këshillit Studentor mund të hapen edhe dy sezone (dhjetor dhe prill), për të cilat ata u nënshtrohen tarifave për shërbimin e ofruar”, thuhet në rregulloren e miratuar të Universitetit të Tiranës.