Punësimi ka qenë kryefjala e takimit të Edi Ramës me banorët e Gramshit, gjatë prezantimit të Rilindjes Shqiptare edhe në këtë qytet. Edi Rama është shprehur se është e papranueshme që në vitin 2013 shqiptarët jetojnë të zhytur në varfëri dhe në mëshirën e fatit. Në ushqimoret e Shqipërisë për bukën e gojës shifra e borxheve të qytetarëve është 150 milionë euro. Janë 150 milionë euro borxhe nëpër ato librat e veresieve. Partia Socialiste është angazhuar me programin e saj për hapjen e 300 mijë vendeve të reja të punës dhe ky nuk është një premtim elektoral, por një angazhim qeverisës. Nuk ka lënë pa shigjetuar Edi Rama dhe përpjekjen e rrejshme të kryeministrit në dështimin e tij me punësimin, ku vendet e punës jo vetëm që nuk janë shtuar, por përkundrazi janë pakësuar.
“Në 3 vitet e mandatit të dytë të kësaj qeverie që premtoi 160 mijë vende të reja pune sipas institutit të statistikave të vetë qeverisë që varet nga kryeministri kanë humbur punën 51 mijë shqiptarë. Pra borxhi që u ka kryeministri shqiptarëve është 160 mijë që ua premtoi dhe si gjithmonë nuk e mbajti premtimin dhe 51 mijë që i kishin dhe ua hoqi. Kështu që çdo njeri kur dëgjon Saliun që premton aty duhet të ruhet se aty e ke më keq seç je. Kur thotë që këtu s’je mirë, unë do të rregulloj, aty do të jesh më keq.”
Në fjalën e tij në qytetin e Gramshit Rama ka sqaruar edhe strukturën e re për shëndetësinë që do të themelojnë socialistët në qeveri pas 23 qershorit Shërbimin Kombëtar Shëndetësor. Ky do jetë një institucion i ri që t’ua ofrojë shërbimin shëndetësor çdo shqiptari falas qoftë nga qyteti apo nga fshati, i pasur apo i varfër, nga veriu apo nga jugu.
“Kush është i papunë, është edhe i pasiguruar dhe për shkak se është i pasiguruar, pra nuk paguan sigurime shëndetësore, po u sëmur e ka keq punën.
Këta thonë kush nuk ka lekë nuk duhet të sëmuret, sepse kujdesi shëndetësor është mall dhe duhet ta blesh. Do shëndet?! Po. Blije! S’ke lekë. Vdis! Prandaj ne do ta heqim skemën e sigurimeve shëndetësore dhe shërbimin shëndetësor do ta blejë shteti dhe do t’jua japi falas atyre që kanë nevojë.”
“Kurrë më prodhime që hidhen në lumë, sepse qeveria nuk ka sy për të parë, nuk ka veshë për të dëgjuar, nuk ka zemër për të ndier dhimbjen e atyre që mezi e nxjerrin atë prodhim nga toka,” është angazhuar kështu Edi Rama nga Gramshi teksa ka rikujtuar disa pika të planit të socialistëve për lehtësimin e barrës fiskale në fshat. Plani fiskal i socialistëve përmban heqjen e akcizën e naftës, heqjen e taksës së qarkullimit të naftës apo heqjen e TVSH- së së makinerive bujqësore pa asnjë kufizim në vlerë, si dhe do të pesëfishohet financimi publik për rilindjen e fshatit.
“Nëse Vota e 23 qershorit do të thërrasë Partinë Socialiste për të qeverisur dhe mua për të qenë në krye të qeverisë, unë do të jem mbrojtësi, mbështetësi dhe garanti më i zjarrtë i çdo shqiptari në fshat që do të synojë të ndërtojë jetën e familjes së tij me punë të ndershme prodhuese dhe ju siguroj që personalisht, në vetë të parë, bashkë me të gjitha strukturat e qeverisë do të bëjë gjithçka do të kem në dorë që mos mbetet kilogram prodhim pa u shitur.”