Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi uroi qytetarët në shënimin e përvjetorit të 14-të fillimit të bombardimeve të NATO-s për Kosovën.
Në urimin e tij thuhet:
"Katërmbëdhjetë vite më parë, Aleanca veriatlantike e NATO-s intervenoi në Kosovë kundër pranisë së dhunshme të aparatit shtetëror serb në Kosovë. Intervenimi i NATO-s në Kosovë ka qenë zgjidhja e vetme, e drejtë, humane, në mbështetje të lirisë së popullit të Kosovës dhe përpjekjeve tona për liri dhe pavarësi.
Aleanca e perëndimit për lirinë e Kosovës ishte rikonfirmim i fuqishëm se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte një luftë e drejtë, një luftë në mbrojtje të vlerave më kulmore të qytetërimit botëror.
Në këtë ditë të shënimit të këtij përvjetori të madh, kujtojmë me nderimin dhe respektin më të lartë institucional sakrificën e dëshmorëve dhe martirëve të Kosovës, që dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Ata janë themelet e shtetit të pavarur dhe demokratik të Kosovës.
Një dekadë e gjysmë më vonë, Republika e Kosovës është shtet i konsoliduar demokratik, në rrugë të sigurtë drejt integrimit në BE dhe në NATO, një shtet i tolerancës etnike, qytetare, politike, me një angazhim institucional për forcimin e bashkëpunimit rajonal.
Angazhimi i institucioneve shtetërore të Kosovës në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë, është një dëshmi e qartë e frymës evropiane të Qeverisë së Kosovës, duke mos harruar në asnjë mënyrë të kaluarën, por duke ndërtuar të ardhmen prosperuese për Kosovën dhe për rajonin.
Ne jemi të sigurt që në të ardhmen të afërt do të ndodhë njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, për t’i përmbyllur njëherë e përgjithmonë konfliktet njëshekullore, që kanë ndodhur në rajonin tonë, duke i hapur rrugë integrimit të dy vendeve në BE dhe në NATO.
Jam i lumtur të them se 14 vjet pas bombardimeve të NATO-s, Kosova është e gatshme të jetë pjesë e aleancës veri-atlantike, në mënyrë që të japë kontributin e saj në përpjekjet e popujve tjerë për liri, për rend demokratik, për sundim të ligjit dhe për të drejtat e njeriut.
Qytetarët dhe institucionet e Kosovës përherë me krenari dhe me mirënjohje të thellë do të kujtojnë mbështetjen e gjithanshme dhe strategjike të perëndimit për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Përmbyllja e bombardimeve të NATO-s me lirinë e Kosovës dhe me largimin e ushtrisë, policisë dhe administratës së dhunshme serbe nga Kosovës, hapi një kapitull të ri dhe vendimtar në procesin e shtetndërtimit të Kosovës".