Ambasadori Aleksandër Arvizu ka prezantuar sot mbështetjen e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zgjedhjet Parlamentare 2013 në Shqipëri.
Ai ka kërkuar angazhimin e të gjithë aktorëve për të zhvilluar zgjedhje të suksesshme.
Fjala e tij e plotë:
"E dashur Zonja Kryetare KQZ-së Lleshi, Zëvendës Kryetari Biba, Z. Gogo, Znj. Meçaj, kolegë, ambassador të shquar, OJQ, dhe ç’është më më të rëndësishmit, qytetarë të Shqipërisë që po na ndjekin nëpërmjet transmetiveme të drejtpërdrejta apo do na ndjekin sonte në lajme. Faleminderit që keni ardhur këtë mëngjes.
Ndodhemi këtu këtë mëngjes për një qëllim të thjeshtë dhe ky është të shpjegojmë se çfarë po bëjnë Shtetet e Bashkuara për të mbështetur zgjedhjet parlamentare të qershorit. Zgjedhjet e sukseshme janë absolutisht kritike për zhvillimin demokratik të Shqipërisë dhe integrimin e saj më të thellë në bashkësinë euro-atlantike. Të dyja këto janë në qendër të politikës amerikane ndaj Ballkanit Perëndimor dhe specifikisht Shqipërisë.
Në mënyrë që zgjedhjet të jenë të suksesshme, votuesit shqiptarë duhet të kenë një interes aktiv dhe konstruktiv për procesin zgjedhor. Gjithashtu, partitë politike, qeveria e Shqipërisë dhe palë tjera institucionale – këtu përfshij specifikisht gjykatat – të gjithë duhet të angazhohen në mbështetje të rezultateve të lira, të ndershme dhe transparente.
Sikurse Sekretarja Klinton iu tha deputetëve në fjalimin e saj në parlament në nëntor 2012: “Siguroni që zgjedhjet tuaja të ardhshme të jenë të lira dhe të ndershme dhe që të shihen si të tilla nga e gjithë bota. Në radhë të parë kjo duhet në mënyrë që populli i Shqipërisë të mund të ketë besim tek rezultati dhe tek ju si udhëheqësit e tyre.”
Është shumë e qartë, që zgjedhjet e 23 qeshorit të jenë të suksesshme do të varet nga ju: populli shqiptar dhe udhëheqësit tuaj.
Një rezultat i pranueshëm do të vijë vetëm përmes bashkëpunimit dhe gjithëpërfshirjes. Sekretari ynë i ri i Shtetit John Kerry vuri në dukje rëndësinë e kompromisit ndërmjet partive politike në cilëndo demokraci, në komentet gjatë vizitës së tij të fundit në Egjipt. Ai theksoi, “duhet të ketë vullnet nga të gjitha palët për të bërë kompromise kuptimplota mbi çështje që kanë më shumë rëndësi për … popullin.”
Në muajin janar, shkrova një editorial mbi zgjedhjet e ardhshme të titulluar, “Një përgjigje e Thjeshtë.” Sot, jam më i bindur se kurrë që një proces i suksesshëm zgjedhor është i arritshëm prej jush.
Por, në mënyrë që kjo të shndërrohet në realitet, iu kthehem gjithmonë kushteve kyçe të kompromisit dhe gjithëpërfshirjes. Gjithëpërfshirja është termi kyç dhe mendoj që njerëzit duhet t’i kushtojnë më shumë vëmendje. Partitë politike kanë një rol vendimtar në ndërtimin e besimit në institucionet demokratike dhe tek procesi.
Gjithashtu, qeveria ka detyrimin të zhvillojë zgjedhje në mënyrë transparente që janë në përputhje me kushtetutën shqiptare, Kodin Zgjedhor, dhe ligje të tjera përkatëse. Ajo është zotuar se do t’i bëjë zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit më të lirat dhe më të ndershmet në historinë e Shqipërisë. Ky është një synim fisnik. Është një synim i arritshëm dhe e nxisim qeverinë të bëjë gjithçka që mundet për ta përmbushur këtë.
Nëse zgjedhjet zhvillohen në një mënyrë që është e hapur dhe transparente – që do të thotë me kompromis dhe gjithëpërfshirje – atëherë do të jetë e mundur të rritet besimi i qytetarëve shqiptarë në integritetin e procesit, dhe për pasojë, edhe të rezultatit.
Ndërkohë që përgjegjësia për zgjedhjet është me të drejtë tek shqiptarët, Shtetet e Bashkuara, së bashku me miqtë dhe partnerët e Shqipërisë në bashkësinë ndërkombëtare, qëndrojm të gatshëm të ndihmojmë.
Vlerësojmë udhëheqjen e fortë që OSBE, nën drejtimin e Ambasadorit Uollfarth, po bën në bashkërendimin e përpjekjeve tona në terren për të mbështetur zgjedhjet. Shtetet e Bashkuara do të kontribuojnë me delegacionin më të madh të mundshëm për misionin e vëzhguesve ndërkombëtare të OSBE/ODIHR-it, çka përfaqëson një pjesë të rëndësishmë të angazhimit të Sh.B.A. brenda asistencës së përgjithshme ndërkombëtare.
Shtetet e Bashkuara janë gjithashtu mirënjohëse për përpjekjet e Delegacionit të BE, i udhëhequr prej Ambasadorit Sequi, dhe të Komisionit Europian, siç u demonstrua nga vizita në fillim të javës e Komisionerit për Zgjerimin e BE-së, Stefan Fyle.
Duhet të njohim gjithashtu asistencën e të tjerëve në bashkësinë ndërkombëtare, përfshirë Këshillin e Europës dhe shtete anëtare individuale europiane, disa prej të cilave janë të përfaqësuara sot këtu. Ju faleminderit.
Kur Sekretarja e Shtetit Clinton vizitoi Shqipërinë, ajo foli mbi rëndësinë që një proces zgjedhor i fortë dhe i ndershëm ka për të ardhmen europiane të Shqipërisë dhe ajo u zotua për mbështetje konkrete të SHBA për procesin zgjedhor.
Ndodhem këtu këtë mëngjes për t’ju informuar që planifikojmë ta përmbushim këtë premtim. Asistenca jonë prej mbi një milionë dollarësh do të përqendrohet në tri fusha: e para, asistencë teknike për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ); e dyta, nxitja e vëzhgimit vendor të zgjedhjeve; e treta, nxitja e angazhimit qytetar në procesin zgjedhor.
Më lejoni të trajtoj secilin seksion shkurtimisht.
Asistenca për KQZ
Zonja Kryetare Lleshi dhe Zëvendës kryetari Biba, ju, kolegët tuaj në KQZ, dhe personeli profesional që punon në Komision, e dimë që keni punuar fort që të gjithë për të adresuar sfidat e stërmëdha për menaxhimin e zgjedhjeve, si në aspektin teknik ashtu edhe në atë politik.
Administrimi dhe organizimi i zgjedhjeve është një punë intensive dhe komplekse. Ata nga ne që shohin nga jashtë nuk duhet të nënvlerësojnë vështirësitë dhe trysnitë me të cilat ju përballeni çdo ditë.
Për t’ju ndihmuar, Shtetet e Bashkuara po ofrojnë asistencën më të fundit teknike për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, duke u përqendruar në veçanti në Teknologjinë e Informacionit për përmirësimin e aftësive teknologjike të KQZ-së për këto dhe zgjedhjet të ardhshme. Duke pasur sisteme më të mira të teknologjisë së informacionit, mund të presim një raportim më të efektshëm dhe transparent të rezultateve zgjedhore.
Do të doja të falenderoja Kryetaren Lleshi, Zëvendës kryetarin Biba dhe kolegët e tyre të KQZ për bashkëpunimin dhe përkushtimin e tyre. Mbetet shumë punë për t’u bërë, por ju mund t’ia dilni mbanë nëse ekziston vullneti për të pasur sukses.
Vëzhguesit Zgjedhorë Vendorë -
Siç dihet nga të gjithë, anembanë botës, vëzhgimi vendor zgjedhor është një element vendimtar dhe i domosdoshëm për transparencën dhe një verifikues i pavarur i proceseve zgjedhore. Kam kënaqësinë të njoftoj se do të mbështesim Koalicionin e Vëzhguesve Vendorë në përpjekjet e tyre.
Koalicioni ka përvojë të gjerë teknike dhe vazhdimisht përmirëson metodologjinë e tij për të qëndruar në pararojë të teknologjive në punën e tij. Besojmë se ata do të zhvillojnë një përpjekje të besueshme vëzhgimi dhe raportimi.
Do t’i nxisja përfaqësuesit e shtypit që të përpiqen të komunikojnë me Koalicionin, ndërsa ata raportojnë mbi çështjet zgjedhore përpara, gjatë dhe pas Ditës së Zgjedhjes. Do të shtoja që pjesëmarrja e përgjegjshme e medias në procesin zgjedhor është gjithashtu kyçe në çdo demokraci funksionuese. Media duhet të jetë e lirë prej trysnive dhe duhet të jetë e lirë prej ndikimeve të pajustifikuara.
Së treti, kemi shoqërinë civile -
Edhe organizatat e shoqërisë civile luajnë një rol vendimtar në proceset zgjedhore duke nxitur diskutimin e çështjeve të rëndësishme që iu interesojnë qytetarëve shqiptarë, duke mbështetur pjesëmarrjen aktive në proceset zgjedhore mes të gjithë votuesve me të drejtë për të votuar, dhe dukë vëzhguar dhe raportuar mbi vetë procesin zgjedhor.
Nuk mund ta nënvizoj mjaftueshëm ndikimin që qytetarët, si përmes pjesëmarrjes së tyre në shoqërinë civile ashtu edhe përmes vetë vendimeve të tyre të përgjegjshme, mund të kenë mbi cilësinë e zgjedhjeve.
Do të doja të shprehja admirimin dhe mbështetjen time ndaj përfaqësuesve të grupeve të shoqërisë civile sot këtu. Demokracia e Shqipërisë do të jetë më e fortë si rezultat i angazhimit tuaj aktiv dhe punës suaj të madhe.
Jam krenar për faktin që Ambasada e Shteteve të Bashkuara po mbështet një gamë të gjerë organizatash të shoqërisë civile në punën e tyre lidhur me proçesin zgjedhor. Përmes Programit tonë të Granteve të Vogla të Komisionit për Demokraci, po financojmë 13 projekte të veçanta në lidhje me zgjedhjet. Këto projekte përfshijnë punën me ata që votojnë për herë të parë; angazhim me të rinjtë dhe gratë, mbështetje për votuesit me aftësi të kufizuara, dhe përpjekje që theksojnë çështje kyçe si mjedisi. Jemi shumë të lumtur që kemi disa përfaqësues këtu sot. Mund t’ju kërkoj të ngriheni? Faleminderit.
Të gjithë e dimë se ndërsa zgjedhjet janë një proces, ato qendërzohen në zgjedhjet e bëra prej vetë votuesve individualë. Kritike për proçesin demokratik është aftësia e qytetarëve për të marrë vendime të informuara, çka mund të ndodhë vetëm nëse ata zotërojnë njohuri konkrete mbi platformat e ndryshme partiake.
Jam i kënaqur të njoftoj që do të punojmë ngushtësisht me përfaqësuesit e Forumeve Rinore të pesë partive politike për të zhvilluar mbajtur një seri prej tri debatesh që bazohen mbi çështje, të hartuara për t’u përqendruar në platformat politikash të qenësishme dhe jo në reteorika boshe dhe sulme personale; këto të fundit janë tepër të zakonshme në shkëmbimet dhe diskutimet politike shqiptare.
Shumë prej jush janë të familjarizuar me formatin – përdoret në Shtetet e Bashkuara për debatet presidenciale dhe anembanë Europës. Si pjesë e kësaj përpjekjeje, kemi një eksperte, një stiudiuese me bursën Fulbright, e cila ka kryer mbi 40 orë trajnimi profesional me këta përfaqësues të rinj të pesë partive politike. Kemi kënaqësinë t’jua prezantojmë këta udhëheqës të rinj. E fillojmë në Shkodër, javën e ardhshme; më pas jemi në Fier; dhe e mbyllim me finalen e madhe këtu në Tiranë. Shoh moderatorët këtu – Znj. Semini, nga Shkolla e Magjistraturës, Z. Furxhi nga Albanian Screen, nuk di nëse është Ilva këtu, po, ja tek është. Faleminderit që do të jeni moderatorët. Faleminderit përfaqësuesve të medias që do të mbulojnë këto aktivitete me rëndësi.
Pak fjalë për rrugën përpara -
Zonja dhe zotërinj, Shtetet e Bashkuara, siç është më se e qartë, janë mike dhe aleate të Shqipërisë. E kemi shumë për zemër të ardhmen e Shqipërisë dhe forcimin e thelbit të saj demokratik, çka mbështet fort mbi përmirësimet në zhvillimin dhe ekzekutimin e procesit zgjedhor.
Jemi krenarë që mbështesim punën e madhe të të gjithë atyre që përfaqësohen sot këtu. Besojmë fuqimisht që të gjithë ju mund t’i bëni zgjedhjet parlamentare shqiptare të 2013-ës të suksesshme. Mos e shpërdoroni këtë mundësi. Thjesht bëjeni të ndodhë. Bëjeni të ndodhë!
Si partnerët tuaj të përkushtuar dhe sëbashku me miqtë tuaj në bashkësinë ndërkombëtare, ju urojmë të gjithëve suksese në përpjekjen tuaj për t’i bërë këto zgjedhje vërtet të suksesshme – të tilla në të cilat zëri i njerëzve të dëgjohet qartë dhe ku rezultatet të jenë të pranuara prej cilitdo.
Thjesht bëjeni të ndodhë! Faleminderit."