Kryeministri Berisha shtroi gjithashtu ka shtruar për zgjidhje, në mbledhjen e qeverisë, disa nga shqetësimet e problematikat e shprehura gjatë bashkëbisedimeve me grupe interesi dhe qytetarë.
Kryeministri Berisha udhëzoi ministrin e Punëve Publike dhe Transportit që në bashkëpunim me ministrin e Financave t’i përgatisë aktin ligjor për përgjysmimin e taksës për makinat e përdorura. Kjo, tha Kryeministri, është shqetësim i shprehur nga shumë qytetarë dhe njëkohësisht i jep zgjidhje një padrejtësie, që penalizon ata që nuk e kanë mundësinë e pasjes së një makine të re.
Pas disa takimeve me fermerë, Kryeministri kërkoi nga ministri i Bujqësisë trajtimin e disa problemeve të parashtruara nga fermerët, si subvencioni i fermerëve për serat mbi bazën e vlerësimit të prodhimit, sigurimi i energjisë elektrike për stallat në zonat larg qendrave të banuara, rishikimi i regjistrit të vlerës për tokën bujqësore, i procedurave të regjistrimit të tokës bujqësore.
Ndërsa pas shqyrtimit që i është bërë problematikës dhe sugjerimeve të bëra në takimin me operatorët turistikë, Kryeministri njoftoi heqjen e tarifës prej 10 eurosh për çdo vizitor që vjen në Shqipëri me charter, si dhe nisjen së shpejti të projektit për thellimin e kanalit prej 4 kilometrash të ankorimit të anijeve në portin e Durrësit. Sikundër Ministria e Financave do të shqyrtojë çështjen e TVSH-së së hoteleve.
Kryeministri i kërkoi ministrit të Kulturës sjelljen në qeveri të ligjit për statusin e artistëve.