English

Çfarë përfshin ligji i ri i sigurimeve shëndetsore

-Dita e djeshme do të duhej të ishte gati për zbatimin e ligjit të ri për sigurimet shëndetësore. Një vëzhgim i “Shekullit” në qendrën më të madhe spitalore në vend zbulon të kundërtën. Edhe pse i miratuar që para dy vitesh, ligji i ri për sigurimet shëndetësore nuk mundi të implementohej. Ligji i ri për sigurimet shëndetësore parashikonte që të gjithë pacientët, të siguruar apo të pasiguruar të përfitonin njëlloj nga shërbimet shëndetësore. Në fakt vetëm shërbimi i urgjencës është ai që do të jepet falas. Dita e parë që këta pacientë do të shtrohen në spitale, do t’u duhet të paguajnë për çdo ditë të shtruar. Tashmë, me ligjin e ri shërbimet spitalore për ata që nuk kanë kontribuar do të bëhet me para në dorë në sportelet e spitaleve. Në ditën e parë të hyrjes në fuqi të këtij ligji çdo gjë ka qenë si më parë. Të pyetur nëse ka pasur ndonjë ndryshim në mënyrën e pagesave, recepsionistet e spitaleve pohuan që deri dje nuk iu kishte ardhur asnjë shkresë apo direktivë për ndryshimin e marrjes së pagesave apo çdo lloj shërbimi tjetër. Drejtues të Institutit të Sigurimeve Shëndetësore në QSUT pranojnë se asgjë nuk është gati, as programi që do t’i përfshinte të gjithë njerëzit në nevojë, as paketat e shërbimit me indekse të reja shëndetësore. Në dy vitet e shqyrtimit të ligjit është folur shumë për përfitimet që do të kenë qytetarët, me apo pa sigurime shëndetësore. Ndërkohë nga ana tjetër ka pacientë që mendojnë se ligji i ri i sigurimeve shëndetësore nuk do t’i vjedhë më. Por e kundërta ndodh në realitet. Kështu flet për “Shekullin”, Bajazit Samarxhi. “Kam ardhur nga Dibra, pasi kam nusen e djalit të shtruar në spital. I kam plotësuar të gjitha dokumentacionet e nevojshme për të përfituar shërbimin falas dhe kur vij këtu më thotë doktori duhen 30 mijë lekë (të vjetra). Pse duhet t’i plotësoj të gjitha dokumentet kur në fund të fundit shërbimin e paguaj po njësoj si në privat.” Nga ana tjetër, drejtoresha e ISKSH, Elvana Hana ka deklaruar se transparenca do të jetë në të gjithë elementët, që nga futja e pacientit në sistem deri tek kostot që paguan Fondi për pacientët, në çdo hallkë të sistemit për çdo lloj shërbimi. “Ligji garanton paketa shërbimi mjaft mirë të përcaktuara, të kontraktuara nga ana e Fondit dhe shumë transparente ndaj popullatës, çka përbën dhe një element të rëndësishëm kundër korrupsionit.” Sa iu takon paketave shëndetësore, burime pranë ISKSH shprehen se do të duhet kohë që të zbatohet ligji i ri për sigurimet shëndetësore. Gjatë kësaj kohe do të vijojë puna me indekset e vjetra të çmimeve, derisa të ngrihen komisionet e posaçme të përpilimit të paketave të reja të shërbimeve. Ajo që bëhet e ditur deri tani dhe që nuk pritet të pësojë ndryshime është masa e sigurimeve që do të jetë 3.4 për qind. Subvencionim mund të bëhet vetëm për ata persona që parashikohen me ligj, të cilët nuk kanë të ardhura dhe mundësi. Në këtë grup futen edhe gratë shtëpiake, të cilat do të mund të përfitojnë shërbim shëndetësor falas me ligjin e ri të sigurimeve shëndetësore. Me anë të një vërtetimi të marrë në zyrën e Punës bëhet vërtetimi i gjendjes së tyre dhe përfitimi falas i shërbimeve spitalore. 
Spahiu: Ligji i ri godet të vetëpunësuarit
ISKSH është shprehur disa herë që pagesa e kontributeve do të jetë e njejtë, në masën 3.4 për qind. Deri këtu jemi në rregull. Por kjo vlen vetëm për të punësuarit. Të vetëpunësuarit janë ata që do të kenë barrën më të madhe të pagesave të kontributeve. Sipas këtij ligji, kontributi i detyrueshëm i të vetpunësuarve do të rritet me 45%. “Pagën mbi të cilën paguhen kontributet për të vetpunësuarit e ka përcaktuar sa mesatarja midis minimales dhe maksimales. Sot ato janë 1 me 5, mesatarja del 3 dhe veprimi del ky që është këtu... Çfarë do të thotë kjo? 45% më shumë do të paguajnë të vetpunësuarit për kujdesin shëndetësor, ose 585 lekë më shumë në muaj, ose 7025 lekë në vit më shumë, pra 70 dollarë më shumë”, shpjegon për “Shekullin” Klodiana Spahiu. Edhe pse është trumbetuar për një mbulim universal me ligjin e ri të ISKSH-së, në fakt nuk ndodh një gjë e tillë. Spahiu shprehet se ky ligj lë disa kategori jashtë mbulimit. Dhë janë pikërisht ata që nuk janë të pajisur me librezë shëndetësore. “Të papunët e paregjistruar në zyrën e punës dhe ato që punojnë në të zezë janë më shumë se 1 milion. Ky ligj nuk ndryshon asgjë për këtë kategori.” Po ashtu, paketa e shërbimeve të sigurimit të detyrueshëm nuk përfshin shërbime themelore që ndikojnë në gjendjen shëndetësore të popullatës si shërbimet e parandalimit, shërbimet e rehabilitimit, shërbimin dentar etj.

KOMENTE