English

Fillon trajnimi i policëve që do të ngarkohen për mbarëvajtjen e zgjedhjeve

Policia e Shtetit filloi, dje, procesin e trajnimit të punonjësve të policisë, që do të ngarkohen me detyra për garantimin e mbarëvajtjes së zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë, që do të zhvillohen më datë 23 qershor 2013. Në këtë trajnim të parë, të zhvilluar pranë Qendrës së Formimit Policor, janë përfshirë drejtuesit më te lartë të Policisë së Shtetit në nivel Qendror dhe Lokal, ndërkohë që në ditët në vijim do zhvillohen të tjera trajnime për të gjithë punonjësit e policisë, që do angazhohen me detyra gjatë këtij procesi zgjedhor.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, gjatë fjalës së tij në hapjen e këtij trajnimi, i vlerësoi zgjedhjet e 23 qershorit 2013, për Kuvendin e Shqipërisë, si një ngjarje shumë të rëndësishme politike e sociale për vendin, por edhe si një detyrim i madh për të gjithë strukturat e Policisë së Shtetit, detyrim i cili kërkon domosdoshmërish parapërgatitjen e të gjithë strukturave për të përballuar ngarkesat si në aspektin teorik për zotërimin e legjislacionit përkatës, ashtu edhe atë praktik për perfeksionimin e sjelljeve specifike në përputhje me kërkesat e procesit zgjedhor.

Z. Burgaj, gjithashtu siguroi të gjithë aktorët e shoqërisë shqiptare dhe faktorit ndërkombëtar, se Policia e Shtetit ka qenë dhe mbetet e vendosur në përmbushjen e përgjegjësive të saj për të krijuar një klimë sigurie e mirëbesimi, për të gjithë shtetasit dhe subjektet politike shqiptare, për një proces zgjedhor normal në përputhje të plotë me ligjin dhe Kodin Zgjedhor.

Në vijim të fjalës së tij z. Burgaj kërkoi nga të gjithë punonjësit e policisë që të manifestojnë etikë profesionale në përmbushjen e kërkesave të Kodit Zgjedhor.

“Parimi i shtetit të së drejtës “askush nuk mund të dalë mbi ligjin” është shprehja konkrete e etikës profesionale të çdo punonjësi të Policisë së Shtetit. Morali i punonjësit të policisë, më shumë se në çdo aspekt tjetër të veprimtarisë së tij në këtë proces zgjedhor, duhet të manifestojë etikë profesionale në përmbushjen e të gjithë kërkesave të Kodit Zgjedhor, të shpalos dinjitet si shtetas, si qytetar, si përfaqësues dhe të jetë garantues i sigurisë publike, duke qenë tërësisht i paanshëm dhe i depolitizuar përkundrejt vetë procesit zgjedhor.” – evidentoi Z. Burgaj.

Mbështetur në dispozitat ligjore të Ligjit “ Për Policinë e Shtetit”, ku përcaktohet shprehimisht, që policia është e depolitizuar dhe policia duhet ti kryejë detyrat në përputhje me ligjin, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë kërkoi , që për çdo punonjës policie, i cili do të veprojë në kundërshtim me ligjin dhe aktet e tjera nënligjore, që normojnë veprimtarinë e strukturave të Policisë së Shtetit në procesin zgjedhor, të fillojë menjëherë ecuria disiplinore ose penale, sipas rastit.

“Askush dhe për asnjë motiv nuk mund të penalizojë organizatën e Policisë së Shtetit me veprimet apo mosveprimet e tij, në përmbushje të detyrës së ngarkuar me ligj. Këtë ta keni parasysh mirë ju si drejtues dhe ua transmetoni edhe punonjësve në varësi tuaj.”- theksoi Z. Burgaj.

Më tej Z. Burgaj, duke theksuar se drejta e votës është e shenjtë, ndaj dhe të gjithë duhet të jemi krenarë dhe të privilegjuar, që ligji na ngarkon me detyrën fisnike të ruajtjes së shenjtërisë së kësaj të drejte, nënvizoi:

“Policia e Shtetit e ka për detyrë, që jo vetëm të garantojë rend e siguri para, gjatë dhe pas procesit zgjedhor, por edhe të paraqesë me dinjitet vlerat e saj si garantuese e zbatimin dhe respektimit të ligjit. Është në nderin dhe dinjitetin e çdo punonjësi të policisë të çdo niveli drejtimi të paraqesë e manifestojë vlerat më të mira të profesionalizimit në mbështetje të qytetarëve për të ushtruar të drejtën e tyre themelore për të votuar dhe të drejtën për siguri dhe liri të shprehjes. Policia e Shtetit ka tashmë një eksperiencë të vyer e të suksesshme në menaxhimin e proceseve elektorale, si për zgjedhjet e përfaqësuesve të pushtetit vendor, ashtu edhe për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë”.

“Le të konfirmojmë të gjithë së bashku edhe njëherë se Policia e Shtetit do të jetë pararojë dhe promotor i vlerave më të mira të një shoqërie demokratike”- theksoi në mbyllje të fjalës së tij Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit .

Ndërkohë Kreu i Prezencës së OSBE-së në Tiranë Z. Eugen Wollfarth, duke e cilësuar punën e Policisë së Shtetit gjatë procesit zgjedhor absolutisht thelbësore për suksesin e zgjedhjeve, evidentoi dhe rolin profesional të policisë gjatë proceseve të mëparshme zgjedhore.

“Gjatë zgjedhjeve të viteve 2007, 2009 dhe 2011, raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR, ka vërejtur, që roli policisë ishte profesional gjatë gjithë proceseve zgjedhore. Kjo është një histori e shkëlqyer. Zgjedhjet parlamentare demokratike të 23 qershorit 2013 do të përfaqësojnë një aktivitet me shumë rëndësi në Shqipëri dhe procesi i suksesshëm, do të jetë më i përshtatshëm ose më i përshtatshmi për ambiciet e vendit për integrim në familjen evropiane dhe për popullin shqiptar. Unë kam besim se Policia e Shtetit Shqiptar do të bëjë sërish më të mirën dhe do të rezultojë e suksesshme në mbështetjen e një procesi zgjedhor demokratik”. – theksoi Z. Wollfarth.

Në vijim të fjalës së tij Z. Wollfarth duke shprehur kënaqësinë që po ndihmojnë policinë përmes këtij procesi trajnimi, shprehu dhe vlerësimet për punën e kryer nga strukturat e Policisë së Shtetit.

“Për Prezencën e OSBE-së vazhdon të mbetet kënaqësi që të ndihmojë policinë në këtë proces të rëndësishëm trajnimi dhe unë ju uroj shumë sukses në këtë detyrë në shërbim të qytetarëve shqiptar.

Më lejoni që të deklaroj se Prezenca e OSBE-së është shumë krenare për punën që ju keni bërë dhe ndihet e sigurt që gjatë vitit 2013 ju do të jeni në gjendje që të bëni punën tuaj me standarde edhe më të larta.

Unë kam besim se Policia e Shtetit shqiptar do të jetë pjesë e historisë së suksesit, që ne të gjithë do të donim ta shihnim” – u shpreh Kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.

Në bashkëpunim me Zyrën e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri çdo punonjësi policie të angazhuar me detyra në kuadër të procesit zgjedhor, do t’i vihet në dispozicion një libër xhepi, broshurë, me të gjithë informacionin e vlefshëm, duke qenë një udhëzues shumë efikas për secilin punonjës, por edhe për çdo strukturë.

KOMENTE