English

Tahiri: Gojën s'ma mbyllin dot me asnjë formë presioni

Saimir Tahiri Kryetari i PS-së së Tiranës, njëkohësisht deputeti socialist, ka reaguar lidhur me arrestimin nga policia të babait të tij, duke deklaruar se me asnjë formë presioni, pushteti nuk do të mundet t’ja mbyllë gojën si deputet i opozitës. Komentet e deputetit socialist janë bërë përpara Drejtorisë së Policisë së Tiranës ku së bashku me avokatin, Tahiri kishte shkuar për të takuar babain e tij.

Më poshtë deklarata e kryetarit të PS-së së Tiranës, Saimir Tahiri:

“Erdha të takoj babain tim, siç besoj se do bënte çdo fëmijë për babain e tij, ose për familjarët e tij dhe vazhdoj të ritheksoj atë që kam deklaruar në publik gjatë gjithë kohës: Sipas meje askush nuk duhet të qëndrojë mbi ligjin. Jam këtu për të thënë se inkurajoj gjithkënd që ligji ja ngarkon, që të hetojë mirë cilindo, pa asnjë përjashtim qoftë edhe im atë.
Por nuk mund të rri këtu pa e thënë, se besoj janë këta njerëz, Sali Berisha, Flamur Noka, Agron Kuliçi, që nuk kanë hezituar për hir të fëmijëve të Saliut, për hir të eksponentëve të mazhorancës të më gjobisin nëpërmjet policisë, po këta persona që nuk kanë hezituar të vrasin edhe njerëz në bulevard, kësaj radhe bënë shumë pak kundra meje. Mbase mund të kishin gjetur edhe ndonjë inskenim tjetër për të bërë më shumë.
Jua garantoj me gjithçka jam unë, jua garantoj në emër të çdo sekonde të jetës sime, jua garantoj në emër të gjithë kontributit tim dhe devotshmërisë sime dhe vullnetit tim dhe përkushtimit tim për publikun, ja garantoj Sali Berishës, Argitës, Shkëlzenit, Lul Bashës, Flamurit, familjarëve të tyre, Agron Kuliçit, jua garantoj që të gjithëve që s’do ma mbyllin dot gojën me asnjë instrument. Jua garantoj se nuk do rri asnjë sekondë pa denoncuar dhe pa drejtuar gishtin kundër krimeve që kanë bërë, jua garantoj që unë nuk do rri kurrë rehat pa siguruar që të gjithë qytetarët të jenë të barabartë përpara ligjit dhe pa siguruar që të gjithë ata që janë në pushtet të mbajnë përgjegjësi për ato që kanë bërë në kurriz të qytetarëve duke shkelur ligjin.
Unë shpresoj që të shkojë gjithçka mirë për tim atë. Unë shpresoj që hetimi të bëhet sa më i plotë, shpresoj që edhe fëmijët e Saliut t’i bëjnë llogaritë mirë, shpresoj që edhe këta që janë në pushtet t’i bëjnë llogaritë mirë, sepse kjo çështje, jo çështja ime personale, por çështja e barazisë përpara ligjit nuk mbyllet dot, siç çështja e denoncimeve të opozitës, çështja e denoncimeve të mia nuk mbaron dot me cilindo lloj presioni që mund të më bëjnë. Ta kenë të sigurt që mua më kanë në ballë.
Unë këtu kam ardhur si djali i babit tim. Unë nuk kam vrarë njerëz në Gërdec siç ka vrarë djali i Sali Berishës, unë nuk kam vjedhur shuma marramendëse duke bërë tregti me tokat siç ka bërë vajza e Sali Berishës, unë kam ardhur këtu si deputet, i përkushtuar ndaj ligjit, ndaj të vërtetës, ndaj luftës kundër korrupsionit, ndaj barazisë së qytetarëve para ligjit, ndaj drejtësisë. Kam ardhur të takoj si djali i babait dhe s’më ndalon asgjë ta bëj këtë. Por si deputet ju premtoj të gjithë këtyre shushunjave në pushtet që sot po rrojnë duke vjedhur popullin ju premtoj që s’ma mbyllin dot gojën me cilëndo mënyrë.
Faleminderit”

KOMENTE