Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, në kuadër të vizitës zyrtare në Francë, të mërkurën ka zhvilluar takime të ndara me anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme, të Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura të Senatit francez si dhe me anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Komisionit për Çështje Evropiane të Asamblesë Nacionale të Francës.
Gjatë takimeve, Hoxhaj ka prezantuar progresin e gjithanshëm që është arritur në Kosovë viteve të fundit, duke veçuar fuqizimin e vazhdueshëm të subjektivitetit ndërkombëtar, proceset e brendshme shtetndërtuese dhe avancimin e rrugës integruese euroatlantike.
Gjatë takimit me anëtarët e Senatit, Hoxhaj foli për prioritetet e politikës së jashtme kosovare, rritjen e vazhdueshme të numrit të shteteve që po e njohin pavarësinë e Kosovës, anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare si dhe për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.
Hoxhaj po ashtu theksoi zhvillimin e vazhdueshëm të kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Gjatë takimit me anëtarët e komisioneve të Asamblesë Nacionale Franceze, ministri Hoxhaj tha se pas shpalljes së pavarësisë, Qeveria e Kosovës ka qenë e fokusuar në ndërtimin e një shteti nga themelet në tërë territorin.
“Kemi ndërtuar institucione demokratike, kemi një Qeveri proaktive që po ndërmerr shumë reforma në ekonomi, në sundim të ligjit, kemi krijuar një sistem të arsimit, drejtësisë, sistem të shëndetësisë etj.”, tha Hoxhaj.
Ministri po ashtu foli për integrimin e të gjitha komuniteteve në jetën institucionale të shtetit të Kosovës.
Hoxhaj kërkoi nga asamblistët francezë që të ushtrojnë ndikimin dhe autoritetin e tyre për të bërë presion tek vendet që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës që të marrin një vendim të tillë, si dhe të ndihmojnë Kosovën në rrugën e saj të integrimeve evropiane.
“Për Kosovën, agjenda evropiane nuk është vetëm agjendë integruese por edhe reformuese”, tha Hoxhaj, duke njoftuar asambleistët francezë për përmbushjen konkrete të kritereve të përcaktuara nga Komisioni Evropian.
Hoxhaj ndër të tjera bëri të ditur se paralelisht me MSA-në, Kosova pret të avancojë në procesin e liberalizimit të vizave, i cili do të nxirrte nga izolimi i pamerituar qytetarët e Kosovës.
Ndërsa, lidhur me dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, Hoxhaj ka thënë se ky proces e ka fuqizuar pozitën ndërkombëtare të Kosovës dhe se është treguesi më i mirë se Serbia po lëvizë drejt njohjes së realitetit të ri në Kosovë.
Kryetarja e Komisionit të Asamblesë Nacionale për Punë të Jashtme dhe Çështje Evropiane, Élisabeth Guigou tha se Franca i kushton një rëndësi të madhe marrëdhënieve me shtetin e Kosovës.
Kryetarja Guigou foli edhe për proceset integrues të Kosovës në BE dhe raportin e ardhshëm të Komisionit Evropian për Kosovën.
“Ne i përcjellim me kujdes të veçantë zhvillimet në shtetin tuaj. Do të ishim shumë të kënaqur që përparimet e konstatuara të përfundonin me përcaktimin e një date për hapjen e negociatave për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit. Kjo do të ishte padyshim një hap shumë i rëndësishëm në zhvillimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe BE-së”, tha Guigou.
Anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Komisionit për Çështje Evropiane të Asamblesë Nacionale të Francës, të kryesuara nga Élisabeth Guigou dhe Danielle Auroi, janë shprehur shumë të kënaqur edhe me të arriturat e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, duke shprehur besimin se këto bisedime do të mundësojnë zgjidhjen e problemit te strukturave paralele në veri të Kosovës.