English

Jahjaga: Gratë dinë, duan dhe ia dalin

Presidente Jahjaga ka përshëndetur takimin me temë “DITËT E BIZNESIT TË VOGËL 2013” si dhe ndarjen e çmimeve për gratë më të suksesshme ndërmarëse.

Në fjalën e saj ajo ka theksuar se gratë janë të vendosura të sfidojnë perceptimet tradicionale apo kulturore rreth rolit të gruas në shoqëri, kanë vendosmërinë të mos ndalen për të realizuar qëllimin, idealin dhe rolin e tyre të drejtë në zhvillimin e vendit dhe për të marrë vendin e tyre të merituar në shoqëri.
Gjithashtu ajo i ka bërë thirje gjithë shoqërisë për mbrojtjen e kësaj kategori
që është një ndihmë e madhe për vazhdimin e jetës.

"Nuk ka asnjë forcë dhe as individ në Kosovë që mund të kërcënojë me jetë dikë dhe të ushtrojë dhunë fizike ndaj dikujt që po mbron me aq vullnet pjesën e shoqërisë që i nevojitet përkrahja jonë e parezervë.

Ne si shoqëri duhet të luftojmë për realizimin e të drejtave të çdo qytetari.

Andaj, ju bëj thirrje të gjithëve – deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, komisioneve parlamentare, mekanizmave qeveritarë, përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe grupeve të interesit – të përqendrohemi bashkërisht në gjetjen dhe përcaktimin e formës më të përshtatshme për t’ua ofruar ndihmën tonë si institucione dhe si shoqëri viktimave të dhunës seksuale të luftës.

Nuk ka përgjigje të lehta në pyetje të vështira. Por, kjo nuk është arsye që t’i shmangemi obligimit tonë si shoqëri dhe të përkujdesjes tonë për këtë kategori të viktimave. Nuk do të lejoj që gratë e dhunuara të viktimizohen sërish dhe të stigmatizohen më tej nga pakujdesitë tona, nga bindjet personale, mospajtimet politike apo hezitimi që këto ditë ka dominuar sferën tonë publike".
Gratë nuk përfaqësojnë vetëm 50 për qind të popullatës, por dhe 50 për qind të potencialit, aftësive dhe talentit human. Në momentin kur gratë nuk përfshihen në secilin fushë të zhvillimit të një vendi qoftë të ekonomisë, politikës, vendimmarrjes apo në fushën sociale, ato mbeten burim dhe kapital human i pashfrytëzuar i një vendi.

Hulumtimet e dëshmojnë qartë se gratë po shndërrohen në konsumatoret më të madha dhe po e diktojnë tregun sepse janë gratë ato që marrin vendimet për blerjet pavarësisht nëse janë të punësuara apo jo. Ato shpenzojnë ndryshe dhe kanë preferenca të tjera nga meshkujt. Prandaj, për të përfituar sa më shumë nga kjo fuqi blerëse e grave, kompanitë gjithmonë e më shumë po përpiqen të kuptojnë gratë si konsumatore, duke i bërë ato partnere aktive.

Gjatë Forumit Ekonomik Botëror që u mbajt në janar të këtij viti, Christine Lagarde, Drejtoresha e FMN-së, foli për rëndësinë e pjesëmarrjes aktive të grave në ekonomi. Ajo prezantoi të dhëna tejet interesante rreth përfitimit ekonomik të pjesëmarrjes së plotë të femrave në fuqinë punëtore. Vetëm duke ngritur nivelin e punësimit të grave me atë të meshkujve, parashikohet se do kishte një ngritje në GDP në Shteteve të Bashkuara të Amerikës për 5 për qind, në Japoni për 9 për qind , në Indi për 27 për qind ndërsa në Egjipt prej 34 për qind.

Siç e ka cilësuar dhe ish sekretarja e Shtetit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës znj. Hillary Clinton “fuqizimi ekonomik i gruas flet për një ekonomi të mençur të një vendi”.

Pjesëmarrja e gruas në jetën ekonomike të një vendi sjell gjithashtu edhe diversitetin e duhur për gjenerimin e ideve të reja, për rritjet ekonomike, inovacionet dhe për rritjen e konkurrencës, si të kompanive ashtu dhe të vet shtetit.

Në vendin tonë bizneset e vogla janë shndërruar në burime të rritjes ekonomike dhe të hapjes së vendeve të reja të punës, duke ndikuar jo vetëm në rritjen e mirëqenies së gruas, por edhe të familjes, shoqërisë dhe gjithë vendit.

Jam e bindur që shumë prej jush, të pranishme sot këtu, jeni përballur me sfidën që keni hasur për të siguruar kapitalin e duhur për të filluar biznesin tuaj. Kjo vlen edhe për shumë gra të tjera, të cilat nuk mund të hapin bizneset e tyre pasi kanë akses të limituar në burime financiare dhe mundësi të vogla për kredimarrje.

Një ndër arsyet e kësaj është se te ne, pavarësisht faktit që Ligji për trashëgimi definon qartë barazinë në ndarjen e pasurisë në mes pasardhësve femër dhe mashkull, duke mos diskriminuar në bazë të gjinisë, janë vetë gratë ato që heqin dorë nga të drejtat e tyre, nga trashëgimia e tyre.

Dhe kjo mungesë e pronës, tokës apo pasurisë së patundshme, shfaqet si problem në momentin kur gruaja do të futet në fushën e biznesit dhe në mungesë të garancisë nuk ka akses në kredimarrje.

Sipas statistikave në rang kombëtar në Kosovë gratë janë pronare të vetëm 8 për qind të pasurisë së patundshme dhe të vetëm 6 për qind të bizneseve në Kosovë. Shifra këto shumë shqetësuese, që thërrasin për veprime të menjëhershme, pasi siguria ekonomike është siguri personale dhe njerëzore.

Tashmë numrit të konsideruar të organizatave që promovojnë pjesëmarrjen e gruas në biznes, pas Samitit Ndërkombëtar të Gruas, i është shtuar edhe një organizëm tjetër, Dhoma Ekonomike e Grave të Kosovës, G7. Jam e sigurt se në G7 do të gjeni një partner serioz që do t’ju asistojë në ofrimin e trajnimeve, në gjetjen e kapitalin të nevojshëm, lobimit, rrjetëzimit, për ta bërë biznesit tuaj më të suksesshëm apo nisjen e një biznesi të ri më të lehtë, kështu që Ju të keni mundësi të kontribuoni në mënyre aktive në zhvillimin ekonomik të vendit tonë.

Përgëzoj zëvendëskryeministren Kusari-Lila që në bashkëpunim më G7, këtë vit hapjen e ditëve të biznesit të vogël e bëjmë me shpërndarjen e çmimeve për bizneset më të suksesshme të udhëhequra nga gratë. Është shumë e rëndësishme të promovojmë sukseset e grave në fushën e ekonomisë dhe në çdo fushë tjetër të zhvillimit të shoqërisë dhe të shtetit, jo vetëm për të ndryshuar perceptimet, por për të ngritur vetëdijesimin për vlerën ekonomike, politike dhe sociale që sjell angazhimi i potencialit të grave si pjesë e barabartë e shoqërisë.

Ju uroj suksese duke iu ofruar mbështetjen time të plotë në punën dhe në angazhimin Tuaj. Gratë dinë, duan dhe ia dalin."

KOMENTE