English

Panariti: Integrimi Europian i Shqipërisë, proçes me shumë nyje

Intervistë e Ministrit të Punëve të Jashtme z. Edmond Panariti për agjencinë e lajmeve ‘Balkanweb’.

Gazetarja: Zoti Ministër, jemi në një moment kur në politikë ende diskutohen 3 ligjet e integrimit. U votua një nismë e mazhorancës për kalimin e ligjeve me referendum popullor. Cili është mendimi juaj, a ishte kjo rruga e duhur dhe a do ta zgjidhë referendumi përfundimisht këtë ngërç me ligjet me shumicë të cilësuar?

Ministri Panariti: Referendumi është padyshim një instrument demokratik, në dispozicion të vendimmarrjes politike, sidomos për çështje të një interesi të madh shoqëror dhe shtetëror. Obstruksioni i zgjatur politik ndaj procesit të miratimit të ligjeve dhe të reformave të integrimit që po mban peng edhe çështjen e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, nxorri si alternativë edhe kalimin e këtij ngërci te vota popullore. Kjo është tërësisht demokratike dhe e ligjshme. Por parimi se “nyja që nuk zgjidhet duhet të pritet” nuk përputhet tërësisht me procesin e integrimit Europian të Shqipërisë, i cili në thelb të tij ka kompromisin dhe konsensusin midis palëve. Ky proces në vetevete ka shumë nyje, të cilat kërkohen që të zgjidhen dhe jo thjesht të priten. Në këtë këndvështrim instalimi i kulturës së kompromisit dhe arritja e konsensusit merr edhe më shumë rëndësi se sa vetë rezultati i këtij konsensusi.

Në fakt ajo që kërkohet nga të dy kampet e politikës është arritja e një kompromisi historik për të gjitha ligjet që i takojnë paketës së integrimit europian të vendit, pa kushte, pa artifica dhe pa asnjë “casus belli”, pavarësisht nga pozita e palëve në qeveri apo në opozitë. Në të kundërtën do të futemi në ciklin e djallit, në një udhë pa krye që dëmton rëndë interesat e vendit, të qytetarëve, por edhe të vetë atyre që zbatojnë stërkëmbëshin si mjet politik.

Gazetarja: Jemi rreth 3 muaj larg zgjedhjeve parlamentare. LSI ka vendosur që në Konventën e saj të paraqesë dhe koalicionin që do bëjë, sipas deklaratave të kryetarit Meta. Mendimi juaj për LSI, me kë do të ishte më i favorshëm koalicioni në këto zgjedhje parlamentare, bazuar në deklaratat e kryeministrit Berisha që e cilëson qeverisjen me partinë ku aderoni si të qëndrueshëm, dhe deklaratat e Ramës që çdo parti i ka dyert e hapura për koalicion me PS?

Ministri Panariti: LSI i takon koalicionit të interesave qytetare, shtetërore dhe atyre kombëtare. LSI i takon koalicionit të integrimit të shpejtë, pa hezitim dhe pa pengesa në BE. LSI i takon koalicionit të rritjes ekonomike dhe punësimit. Koalicionet tona nuk kanë qenë, nuk janë dhe nuk do jenë aritmetikë numrash, por sinergji vizionesh, objektivash, të programeve dhe të veprimeve.

Mbështetja jonë në popull po njeh një rritje të madhe dhe veçanërisht në pararojë të kësaj përkrahjeje qëndrojnë të rinjtë. Kjo i detyrohet fokusimit dhe angazhimit tonë drejt interesave shtetërore dhe atyre qytetare, drejt hapjes, zhvillimit dhe integrimit.

Këto do jenë edhe pikat e referimit që do të orientojne Konventën e Prillit në konfigurimin e pozicionit tonë politik parazgjedhor.

Gazetarja: Z.Ministër, Tirana zyrtare gjithmonë ka lobuar fort për Kosovën. Cilat janë hapat e fundit që janë ndërmarrë në këtë linjë?

Ministri Panariti: Objektiv i pandryshueshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe imi personal është intensifikimi në këtë vit i lobingut që do të kryejmë për njohjet e reja të Kosovës, në koordinim me qeverinë e Kosovës. Aktualisht po punojmë për rritjen e hartës së njohjeve të reja për Kosovën. Jemi fokusuar kryesisht në vendet e Lindjes së Mesme. Unë kam pasur kontakte me ministrin e Punëve të Jashtme të Tunizisë, dhe kam kërkuar që Tunizia të njohë sa më parë pavarësinë e Kosovës. Po punohet për arritjen sa më parë të këtij objektivi. Këtë fundjavë nisem për në Egjipt për një vizitë zyrtare, ku do të takohem me autoritetet më të larta të vendit. Në krye të agjendës se bisedimeve me autorietet Egjiptiane, do të jetë përmbyllja formale e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Egjipti. Po kështu, në vizitën në Liban si pjesë e të njejtit tur, do punohet dhe me autoritetet e Libanit për njohjen e Kosovës. Më lejoni të kujtoj që në fund të vitit të kaluar gjatë kontakteve që pata me sekretaren amerikane të Shtetit, Hillari Klinton, i kërkova në mënyrë të drejtpërdrejtë që të ndikonte te autoritetet e Izraelit për njohjen e shtetit të Kosovës. Pra, siç e shikoni, unë nuk do humbas asnjë rast të vetëm për të kërkuar njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ato shtete që nuk e kanë bërë. Ky është objektiv i përbashkët i qeverisë Shqipërisë dhe Qeverisë së Kosovës që në fillim të vitit të arrijmë numrin 100 të njohjeve, në mënyrë që të vazhdojmë më pas me njohjet e reja, dhe aplikimin e Kosovës për statusin e vëzhguesit në OKB, për të synuar pastaj me arritjen e 2/3 të njohjeve në OKB dhe anëtarësimin e plotë në këtë organizatë. Nga ana tjetër, mendoj se duhet të intensifikojmë në koordinimin me qeverinë e Kosovës, anëtarësimin e Kosovës në shumë organizata ndërkombëtare, si p.sh., në UNESCO, ku situata është pozitive, votat janë aty dhe mendoj me një intensifikim të përpjekjeve do të bëhet e mundur që të anëtarësohet Kosova në këtë organizëm të rëndësishëm të OKB-ve, për të vazhduar me anëtarësimin e saj dhe në organizma të tjerë. Sfidat janë të shumta, por mendoj se me një dinamizëm më të madh, me një vullnet më të madh ne do t'i realizojmë këto qëllime.

Gazetarja: Jemi në vazhdën e dialogut Kosovë-Serbi, a do të japë fryte ky dialog, kur opozita kosovare kundërshton çdo marrëveshje të arritur nga qeveria Thaçi?

Ministri Panariti: Në fakt garanci e vetme për ecurinë dhe rezultatet e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, janë zbatimi i marrëveshjeve të ndërmjetësuara nga BE dhe posaçërisht marrëveshja në menaxhimin e integruar të kufijve midis dy vendeve. Ne përshëndesim dhe mbështesim dialogun tashmë të institucionalizuar midis dy vendeve sovrane. Madje jemi të inkurajuar edhe nga fakti se kjo po ndodh në nivelet më të larta të hierarkive shtetërore dhe institucionale përkatëse, si rruga e vetme për arritjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme edhe për veriun e Kosovës.

Ky dialog duhet të vazhdojë duke respektuar integritetin territorial dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës, duke shmangur që në embrion çdo përpjekje që kërkon enklavizim të Kosovës, gjë që do të prodhonte një situatë të pashpresë dhe vatër permanente tensioni dhe konflikti, sipas modelit të Bosnjës. Kjo nuk është as në interes të Kosovës dhe as të Serbisë, për më tepër as në interes të paqes, stabilitetit dhe progresit në Ballkan dhe shkon ndesh me perspektivën integruese të rajonit në Bashkimin Europian.

Gazetarja: Vihet re një tensionim i marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Kosovës lidhur me bllokimin reciprok që po u bëhet mallrave respektive ushqimore. Kjo filloi me qumështin dhe po shtrihet me miellin. Cili është komenti juaj ?

Ministri Panariti: Fryma vëllazërore dhe partneriteti strategjik midis dy vendeve tona synon krijimin e kushteve për hapësira gjithnjë e më të gjera mbarëshqiptare për lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave dhe të shërbimeve.

Nënshkrimi i protokollit të bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve dhe vënia në lëvizje e mekanizmave nëpërmjet krijimit të komisioneve të përbashkëta të ekspertëve, nënkupton koordinim dhe bashkëpunim për adresimin e problemeve që mund të dalin në të dy anët e kufirit lidhur me cilësinë dhe sigurinë e mallrave dhe të shërbimeve.

Është një detyrim institucional që rrjedh edhe nga marrëveshja e nënshkruar që komisioni i përbashkët të informohet urgjentisht për çdo shkelje apo parregullsi të pretenduar nga ana e autoriteteve përkatëse, përpara se të ndërmerren hapa ekzekutive.

Është e nxituar, e pajustifikuar dhe e dëmshme që pa u njoftuar autoritetet përkatëse të ndërmerren akte bllokimi dhe sekuestro për mallrat dhe shërbimet përkatese.

Le të përpiqemi që me anë të mekanizmave institucionale, të vlerësimeve serioze shkencore të rrezikut të pretenduar nga të dy palët si dhe me bashkëpunim të autoriteteve dhe institucioneve të fushës, të përmbajmë spekulimet dhe spekulantët nga përpjekjet për të dëmtuar interesat e konsumatorëve dhe të bizneseve midis dy vendeve tona.

Gazetarja: Qëndrojmë dhe tek Serbia, si konsiderohen marrëdhëniet tona mes 2 vendeve, krahasuar me shtete të tjera në rajon?

Ministri Panariti: Pa asnjë dyshim dhe hezitim ne jemi të vendosur për të ecur në rrugën e marrëdhënieve të bashkëpunimit dhe të fqinjësisë së mirë me shtetet e rajonit. Kjo vlen në përgjithësi për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshi këtu edhe Serbinë. Këtë vullnet pata rastin t’ja komunikoj ministrit të jashtëm serb z. Mërkic gjatë vizitës që ai bëri në Tiranë, vitin që shkoi. Sigurisht është e mirëpritur nga ne një vizitë e planifikuar në Beograd, për të rimarrë edhe një herë tempin e bashkëpunimit dypalësh. Por që kjo të ndodhë, duhet që paraprakisht të dy vendet tona të bien dakord për nënshkrim të marrëveshjeve dypalëshe në fusha të rëndësishme të interesit të përbashkët. Kjo gjë do t'i jepte substancë bashkëpunimit, duke mos e lënë atë vetëm në nivelet e dëshirës së mirë. Me shumë rëndësi është nënshkrimi i marrëveshjes për njohjen reciproke të diplomave të arsimit të lartë, gjë që në fakt Serbia e ka arritur me Kosovën dhe nuk shoh asnjë arsye se përse kjo të mos arrihet me Shqipërinë. Jo me më pak rëndësi janë edhe marrëveshje të tjera në fushën e doganave, transportit publik etj.

Si detyrim kushtetues, por edhe në respekt të akteve dhe të së drejtës ndërkombëtare, Shqipëria duhet të interesohet dhe të mbrojë të drejtat e bashkëkombësave tanë, kudo. Në këtë këndvështrim interesimi për të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës do të jetë pjesë e agjendës së bisedimeve në Beograd, sikurse ndodhi edhe në Tiranë. Fryma e dialogut, kompromisit dhe e vullnetit të përbashkët për të zgjidhur çështjet duhet të mbizotërojë mbi paragjykimet dhe fobitë.

Gazetarja: Situata në rajon ka qenë e brishtë, sidomos aty ku jetojnë komunitetet shqiptare. Pas Preshevës, këto ditë janë shënuar tensione në lagje shqiptare të Shkupit. Mendoni se këto janë fragmente tensionesh, apo një vatër që sa vjen dhe nxehet dhe pse?

Ministri Panariti: Shqetësimi ynë më i madh është se rishfaqja e incidenteve me sfond etnik dhe rritja artificiale e tensioneve në Republikën e Maqedonisë, është sinjal alarmi për të gjithë ata, që të ardhmen e rajonit tonë e shohin në familjen e Bashkimit Evropian, dhe jo si një rikthim tek e shkuara e tensioneve apo konflikteve etnike.

Ne nuk do të rreshtim së bëri thirrje të gjithë faktorëve politikë në Maqedoni dhe veçanërisht faktorëve politikë shqiptarë të tregojnë maturi, pjekuri dhe veprim politik të përgjegjshëm.

Shprehim bindjen se dialogu konstruktiv, fryma e tolerancës, mirëkuptimit, si dhe bashkëpunimit efektiv mes të gjitha forcave të shoqërisë, për gjetjen e zgjidhjeve për çdo problem a situatë të brendshme të vështirë, është rruga e vetme në shërbim të stabilitetit të vendit, të integrimit të tij në strukturat evropiane dhe euroatlantike si interes madhor i të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë, dhe rajonit gjithashtu.

Shqiptarët janë brenda të drejtave të tyre si qytetarë të Republikës së Maqedonisë për të reaguar ndaj ushtrimit të dhunës, por protestat duhet të jenë paqësore, demokratike dhe qytetare. Është përgjegjësi e forcave politike shqiptare të bëjnë të gjitha përpjekjet që këto protesta të ligjshme të ruajnë me cdo kusht përmasat dhe standardet demokratike dhe paqësore.

Gazetarja: Z Ministër, kemi një konkurrencë të qartë mes NABUKO dhe TAP, projektet e gazsjellësave në vend. SHBA është mbështetëse e interesave të Shqipërisë, por në këtë pikë, është kundër TAP. Keni folur me përfaqësues të SHBA lidhur me këtë ështje?

Ministri Panariti: Më lejoni të theksoj se qëndrimi zyrtar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës lidhur me të dy projektet e transmetimit të gazit, është asnjëanës. Por Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin fuqishëm përshirjen e Shqipërisë në nyjet e transmetimit të gazit dhe të energjisë nga Europa Lindore drejt asaj Perëndimore. Dëshmi e kesaj mbështetje ishte edhe prania e autoriteteve të larta të Departamentit të Shtetit për Energjinë, në ceremoninë e nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë, Greqisë dhe Italisë për projektin TAP.

Ndërkohë, nismës dhe ftesës tonë për të instensifikuar përpjekjet për lobim të përbashkët të tre vendeve në mbështetje të projektit TAP, iu përgjigjën pozitivisht Italia dhe Greqia dhe shumë shpejt në Romë do të zhvillohet një takim midis palëve në nivel të zv/ministrave për të hartuar një agjendë të integruar dhe të përbashkët të lobimit.

Ndërkohë gjatë takimit që unë pata me homologun tim malazez, u ra dakord që edhe vende të tjera të rajonit si Mali i Zi, Kroacia, Kosova dhe Bosnja të mbështetin politikisht nëpërmjet një memorandumi mirëkuptimi midis vendeve tona për përfshirjen e tyre potenciale në zgjerimin e mundshëm të rrjetëzimit TAP drejt veriut.

KOMENTE