Bashkia e Tiranës ka nisur punën për paisjen me dokumentet e pronësisë të banesave të ndërtuara deri në muajin gusht të vitit 1991. Nga vendimi i qeverisë që i hap rrugë hipotekimit të këtyre objekteve, pritet të përfitojnë rreth 5000 familje. Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka mbledhur sot grupin e punës të ngritur për këtë qëllim në Bashkinë e Tiranës si dhe drejtues të institucioneve të tjera të ndërlidhura me këtë proces, si Këshilli i Qarkut, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (AKKP), Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive dhe ALUIZNI. Kreu i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, ndërsa ka garantuar qytetarët për vendosmërinë tij në përmbylljen sa më parë të këtij procesi, u ka bërë thirrje të paraqesin dokumentacionin pranë Bashkisë së Tiranës. Aktualisht, pranë Bashkisë janë paraqitur 100 kërkesat e para:
“Periudha e harresës për këta qytetarë nga Bashkia e Tiranës ka marrë fund. Sot kemi një kuadër të plotë ligjor dhe jemi gati të nisim procesin e evidentimit dhe të pajisjes me dokumente të plota të pronësisë për të gjithë banorët e qytetit të Tiranës, ndaj duke marrë shkas nga nisja e procesit në mënyrë vullnetare nga 100 familje të qytetit të Tiranës, u bëj thirrje të gjithë banorëve, bashkëqytetarëve të tjerë që ndodhen në kushtet ligjore të parashikuara nga ky vendim i qeverisë shqiptare, që kanë banesa të përfunduara deri në gusht të vitit 1991 por që për çdo arsye nuk kanë pasur mundësi të formalizojnë pronat e tyre, banesat e tyre, shtëpitë e tyre, të paraqiten pranë Bashkisë së Tiranës dhe të bëjnë aplikimin fillestar. Ky aplikim do t’i hapë rrugë brenda një periudhe jo më shumë se tre mujore, por shpresojmë që do lëvizim edhe më shpejt, sa i përket procesit të pajisjes tuaj me dokumentin e pronësisë, dokument të cilin sipas këtij vendimi, ne mund ta japim, dokument të cilin ju e meritoni plotësisht, si pronarë të ligjshëm të këtyre banesave” – u shpreh Kryebashkiaku Basha.
Z. Basha ka kërkuar nga të gjithë institucionet e përfshira në këtë proces, që të procedojnë me shpejtësi me shqyrtimin e kërkesave, në mënyrë që të përmbyllet vendimi për to, përpara afatit 120 ditor që përcakton vendimi i Këshillit të Ministrave.
“Personalisht jam i lumtur që ky hap do t’i japë zgjidhje një problemi me të vërtet të mbetur pa zgjidhje për një kohë të gjatë, por për motive enigmatike të harresës apo mospërfilljes, problem të cilin e kemi prekur siç thashë në Shkozë në mënyrë më masive, por që shtrihet anembanë qytetit. I siguroj të gjithë kryefamiljarët dhe familjarët e këtyre 5 mijë banesave për një veprim të shpejtë në zbatim të këtij vendimi të Këshillit të Ministrave, për transparencë të plotë, për mungesa totale të pengesave burokratike dhe e vetmja gjë që kërkohet nga ata është interesimi sa më parë pranë Bashkisë së Tiranës, për të nisur procesin e dhënies së dokumenteve të pronësisë për të gjitha këto banesa, për të gjithë këto familje, për të gjithë këta kryefamiljarë” – theksoi kreu i Bashkisë së Tiranës.
Përfitues nga ky vendim janë të gjithë ata persona që plotësojnë kushtet e përcaktuara, si më poshtë vijon:
Objektit të ndërtuar t'i ketë përfunduar karabinaja dhe mbulesa, deri më 10.8.1991;
Trualli funksional duhet të rezultojë fizikisht i lirë dhe i pazënë nga ndërtime pa leje, të cilat janë objekt i ligjit nr. 9482, datë 3.4.2006 "Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje", të ndryshuar. Madhësia e sipërfaqes së truallit funksional në posedim të përfituesit, të jetë ajo që është miratuar sipas dispozitave ligjore ekzistuese, deri në daljen e ligjit nr. 7693, datë 6.4.1993 "Për urbanistikën";
Në rastet kur madhësia e sipërfaqes së truallit funksional, në posedim të përfituesit është më e madhe se ajo që është miratuar sipas dispozitave ligjore ekzistuese deri në daljen e ligjit nr. 7693, datë 6.4.1993 "Për urbanistikën", ajo sipërfaqe kalon në pronësi nga shteti tek individi, sipas procedurave të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi;
Objekti, trualli nën të dhe trualli funksional, të mos jenë të regjistruar në regjistrin publik të pasurive të paluajtshme apo edhe kur janë të regjistruar, mungon akti i fitimit të pronësisë;
Objekti i ndërtuar dhe trualli funksional janë të patrajtuar nga legjislacioni përkatës për njohjen, kthimin e kompensimin e pronës apo për legalizimin dhe urbanizmin e ndërtimeve pa leje