Ministri i Punëve të Jashtme, z. Edmond Panariti, u prit nga Kryeministri i Republikës Arabe të Egjiptit, z. Hisham Qandil. Në fillim të takimit, të dy bashkëbiseduesit vunë në dukje lidhjet historike dhe miqësinë tradicionale që ekziston mes dy popujve. Ata i konsideruan marrëdhëniet politike mes dy qeverive shumë të mira. Ministri Panariti theksoi nevojën e shpeshtimit të vizitave të nivelit lartë dhe me këtë rast transmetoi ftesën për një vizitë në Shqipëri të Kryeministrit Qandil.
Në vijim u bisedua mbi bashkëpunimin mes dy vendeve në fushën ekonomike, tregtare, arsim, kulturë e shkencë. Ministri Panariti theksoi se Qeveria shqiptare inkurajon investimet egjiptiane në Shqipëri si në fushën e energjitikës, turizmit, bujqësisë dhe transportit. Me këtë rast ai kërkoi vlerësimin e mundësisë për vendosjen e një linje direkte fluturimi Tiranë-Kajro.
Duke u ndalur në zhvillimet në vendet respektive, Ministri Panariti theksoi se Qeveria shqiptare përshëndet procesin e reformave demokratike që po ndërmerr Qeveria egjiptiane në drejtim të demokratizimit të vendit dhe konsolidimit të shtetit të së drejtës. Ai tha, gjithashtu, se Shqipëria mund të shërbejë si model i tolerancës dhe harmonisë ndërfetare.
Më tej, Ministri Panariti iu referua zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor dhe posaçërisht dialogut Kosovë – Serbi, ku ai shprehu besimin se të dy palët do të arrijnë së shpejti një marrëveshje mes tyre. Ai shprehu vlerësimin për raportet që janë vendosur mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Egjiptit vitet e fundit si dhe falenderoi për mbështetjen që Egjipti i ka dhënë Kosovës në anëtarësimin në Bankën Botërore, FMN dhe BERZH. Me këtë rast, ai shprehu dëshirën për formalizimin e njohjes së Shtetit të Kosovës nga Egjipti.
Nga ana e tij, Kryeministri Qandil theksoi se Qeveria egjiptiane ka vendosur marrëdhënie bashkëpunimi me Qeverinë e Kosovës dhe do të vazhdojë ta mbështesë atë në të ardhmen. Qeveria egjiptiane është duke e shqyrtuar me seriozitet njohjen e shtetit të Kosovës duke e konsideruar këtë si një proces gradual.