Vitet e fundit, sektori i shpendarisë ka pasur një zhvillim të shpejtë. Për tu njohur më nga afër me zhvillimin e këtij biznesi në Shqipëri, Kryeministri Berisha vizitoi sot Stabilimentin “Agrotek-Al” në Fushë –Krujë. Ky stabiliment njihet për prodhimin e mishin e freskët të pulës.
Pas inspektimit të stabilimentit ku është njohur më nga afër me teknologjinë e rritjes së zogjve, thertoren dhe më pas fabrikën e përpunimit, Kryeministri Berisha përshëndeti investitorët për punën serioze që ata kanë bërë.
Në mbështetje të këtij sektori, Kryeministri Berisha, shprehu gatishmërinë e qeverisë për të investuar në rritjen e prodhimit të mishit të pulës, i cili sot shkon në 17 mijë ton.
Duke qenë se sot në botë mishi i pulës përballon 30 përqind të kërkesave të mishit, Kryeministri Berisha premtoi se qeveria do të bëjë gjithçka për dyfishimin dhe mbi dyfishimin e prodhimit të tij në vend si dhe do të mbështesë fuqishëm pultarinë për vezët.
“Sot Shqipëria prodhon rreth 1 miliard vezë në vit, është një prodhues i rëndësishëm që eksporton vezë në Rajon dhe më gjërë. Ne do të bëjmë gjithçka që gjatë katër viteve që vijnë edhe ky sektor të rritet së paku me 30 përqind. Punësimi në këtë sektor të rritet me 30 përqind, të ardhurat nga ky sektor të rriten me 30 përqind”, - u shpreh Kryeministri Berisha.
Pasi ka përmendur investimet e rëndësishme që ka bërë qeveria gjatë këtyre viteve, në infrastrukturë, ndërtimin e shkollave, ujësjellësve, kanalizimeve, pemëtarisë, blegtorisë etj, Kryeministri Berisha garantoi investitorët se mandati i ardhshëm do të jetë mandati i mbështetjes më të fuqishme për çdo fermer shqiptarë.