English

Berisha: Do të adaptoj në Shqipëri reformat më të shkëlqyera të trajnimit, të kualifikimit të tregut të punës

Kryeministri Berisha vizitoi sot panairin “Formim & Punësim”, organizuar nga Ministria e Punës Çështjeve Sociale dhe Shanceve të Barabarta

Duke përshëndetur përzemërsisht organizimin e këtij panairi, Kryeministri Berisha tha se, kjo nismë e shkëlqyer ka disa vite që është konsoliduar dhe konsolidohet si një traditë e rëndësishme dhe e mirë e tregut të punës në Shqipëri, si një ngjarje, e cila ofron mundësi konkrete dhe reale punëkërkuesve, për të gjetur vende pune dhe për tu punësuar.

Kryeministri theksoi faktin se, qëllimi numër një dhe më kryesori i të gjitha reformave që ndërmerr qeveria është punësimi i qytetarëve shqiptarë.

Megjithëse kriza ekonomike botërore ka pasur ndikimet e veta duke bërë që në shumë vende të Rajonit papunësia të dyfishohet, Kryeministri Berisha tha se, ekonomia shqiptarë i rezistoi recensionit, ajo sigurisht u përballa me pasojat e kësaj krize, por në asnjë rast nuk ra në recension dhe mbeti ekonomia e vetme në Rajon, që pati jo rritje, por rënie të papunësisë.

Gjithashtu, kryeministri Berisha theksoi se, gjeneratori kryesor i punësimit është sektori privat me rritjen e tij ekonomike, ndaj dhe qeveria shqiptare për ti zgjeruar hapësirat sektorit privat, për gjenerimin çdo ditë të dhjetëra e qindra vendeve pune, vendosi pak vite më parë taksën e sheshtë.

Kryeministri Berisha ka premtuar se përsa kohë të votohet Partia Demokratike dhe qeveria e saj do të ketë vetëm ulje të vazhdueshme të taksave, tarifave dhe detyrimeve të tjera të investitorëve dhe kjo me qëllimin më kryesor, për nxitjen e madhe të rritjes ekonomike, nxitjen e madhe të punësimit të shqiptarëve.

“Ju garantoj, se katër vitet që vijnë tregu i punës do të jetë në epiqendër të reformave tona. Do të adaptoj në Shqipëri reformat më të shkëlqyera të trajnimit, të kualifikimit të tregut të punës. Reforma, të cilat kanë faktuar se për të njëjtën rritje ekonomike mund të garantosh rritje shumë më të lartë punësimi”, - u shpreh Kryeministri Berisha.

KOMENTE