Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti sot pasdite një delegacion nga Lugina e Preshevës, i përbërë nga Kryetari i Komunës Preshevë, zoti Ragmi Mustafa; Kryetari i Komunës së Bujanovcit, zoti Nagip Arifi dhe Kryetari i Lëvizjes Progresi Demokratik, zoti Jonuz Musliu.
Gjatë takimit u bisedua për çështjet që shqetësojnë shqiptarët e Luginës së Preshevës, me fokus të veçantë, statusi i shqiptarëve të Luginës, çështjet ekonomike, të sigurisë, arsimit dhe kulturës.
Presidenti Nishani i garantoi përfaqësuesit nga Lugina e Preshevës se Shqipëria do t’i kushtojë vëmendjen e duhur zgjidhjes së problemeve të parashtruara prej tyre dhe kërkoi që ata të vazhdojnë dialogun politik dhe rrugën institucionale për realizimin e kërkesave të shqiptarëve që jetojnë atje.
Bashkëbiseduesit ndanë mendimin se garantimi i sigurisë dhe rritja e investimeve janë faktorët bazë për ekzistencën e faktorit shqiptar në Preshevë, Bujanovc dhe Medvegjë dhe se për këtë duhet të punohet me plan dhe projekte konkrete.