Në ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës u nënshkrua Marrëveshja e Palës Pritëse midis Këshillit të Ministrave dhe Konsorciumit “TAP AG” për Projektin e Gazsjellësit “TAP”.
Nga pala shqiptare marrëveshjen e firmosi ministri z.Florian Mima, ndërsa për “TAP A.G”, nga Drejtori i Përgjithshëm, z.Kjetill Tungland.
Ministri Mima theksoi se me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje “Shqipëria tregon mbështetjen e fuqishme për Projektin “TAP”, që siç shtoi “vlen të cilësohet si projekti i këtij shekulli për vendin tonë”. Sipas ministrit Mima, marrëveshja i dërgon një mesazh shumë të qartë, Konsorciumit në Shah Deniz në Azerbajxhan se “TAP” është i mirëpritur në Shqipëri” dhe se “Qeveria e Shqipërisë do të bëjë çdo gjë dhe do të marrë çdo masë për realizuar këtë projekt strategjik”.
Duke theksuar gjithashtu se si investim 100% me kapital privat, “TAP” është më i madhi në historinë e Shqipërisë dhe që shifra shkon nga konsorciumi mbi 1 miliard euro.
“Realizimi i projektit “TAP” do të krijojë direkt dhe indirekt afro 20 mijë vende pune në Shqipëri. Por, mbi të gjitha, realizimi i këtij projekti do të jetë transformues për Shqipërine nga ana energjetike”-tha z.Mima.
Drejtori i Përgjithshëm i kompanisë Trans Adriatic TAP AG, Kjetil Tungland tha gjatë fjalës së tij se firmosja e marrëveshjes së sotme ndihmon Shqipërinë në arritjen e synimeve strategjike në lidhje me energjinë, ku TAP do të ofrojë mbështetje teknike dhe ekspertizë për zhvillimin e tregut të gazit në Shqipëri.
Fjala e Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës z. Florjon Mima në ceremoninë e nënshkrimit të Marrëveshjes së Palës Pritëse midis Këshillit të Ministrave dhe Konsorciumit “TAP AG” për Projektin e Gazsjellësit “TAP”
“Është një kënaqësi e veçantë, që e nis ditën e parë të punës si Ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës duke nënshkruar Marrëveshjen e Përfunduar të Palës Pritëse midis Shqipërisë dhe Konsorciumit “TAP AG” për Gazsjellësin TransAdriatik.
Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje të përfunduar është i një rëndësie mjaft të veçantë dhe rezultat i një pune disavjeçare midis Qeverisë shqiptare dhe konsorciumit “TAP”.
Me nënshkrimin e Marrëveshjes së Përfunduar të Palës Pritëse midis Këshillit të Ministrave dhe Konsorciumit “TAP” Shqipëria tregon mbështetjen e fuqishme për Projektin “TAP”, që ja vlen të cilësohet si projekti i këtij shekulli për vendin tonë, por dërgon një mesazh shumë të qartë, Konsorciumit në Shah Deniz në Azerbajxhan që “TAP” është i mirëpritur në Shqipëri dhe Qeveria jonë do të bëjë çdo gjë dhe do të marrë çdo masë për realizuar këtë projekt strategjik.
Ky do të jetë një investim 100% me kapital privat dhe më i madhi në historinë e Shqipërisë, investimi i drejtpërdrejtë nga Konsorciumi “TAP” për këtë projekt do të kapë shifra mbi 1 miliard euro
Realizimi i projektit “TAP” do të krijojë direkt dhe indirekt afro 20 mijë vende pune në Shqipëri. Por, mbi të gjitha, realizimi i këtij projekti do të jetë transformues për Shqipërinë nga ana energjetike.
Shqipëria, ka qenë shteti i parë që ka nisur negociatat për këtë projekt dhe ka qenë një ndër aktorët kyç për ecurinë e tij, projekt që këto ditë, është në finalizimin e marrjes së statusit të projektit fitues për të transportuar gazin natyror të Detit Kaspik drejt Bashkimit Evropian. Ky projekt është i një rëndësie strategjike dhe madhore jo vetëm për Shqipërinë dhe rajonin, por për të gjithë Evropën, pasi “TAP” është një aktor kryesor në krijimin real të Korridorit Jugor të Gazit, për të rritur diversifikimin e burimeve të energjisë në Evropë dhe për të rritur sigurinë e energjisë për vendin, rajonin dhe kontinentin tonë.
Shqipëria me realizimin e projektit “TAP” jo vetëm që do të përfitojë nga gazi natyror që do të ngelet dhe përdoret në zhvillimin e një tregu të ri të gazit natyror, por do të shndërrohet në një qendër të tregtimit me gaz natyror në Ballkanin Perëndimor, pasi në plan është lidhja e projektit “TAP”, me projektin “IAP” (Gazsjellësi Jon-Adriatik), që nëpërmjet lidhjes që do të kenë në Fier, do të mundë të eksportohet gaz natyror në Malin e Zi, Bosnje e Hercegovinë dhe Kroaci.
Këto zhvillime të rëndësishme për realizimin e projektit “TAP” janë dhe një hap i sigurtë dhe shumë i rëndësishëm për krijimin dhe zhvillimin e tregut të gazit natyror në Shqipëri, pikërisht për këtë çështje janë firmosur dy marrëveshje shumë të rëndësishme me shpërndarësit e gazit në Evropë si me kompaninë zvicerane “AXPO” dhe me gjigandin energjetik gjerman “E.ON Ruhrgas”.
Krijimi i tregut të gazit natyror në Shqipëri do të sjellë në periudhë afatshkurtër konkurrueshmërinë ekonomike të Shqipërisë në këtë fushë të energjisë, do të krijojë më shumë vende pune dhe do të sigurojë energji më të lirë për të gjithë shqiptarët, gjë që do të rrisë cilësinë e jetesës për qytetarët shqiptarë.
Jemi krenarë për këtë bashkëpunim të frytshëm me Konsorciumin “TAP” dhe për firmosjen e kësaj marrëveshjeje, pas një tjetre të rëndësishme, Marrëveshjes Ndërqeveritare, Shqipëri-Itali-Greqi më 13 shkurt. Ne kemi besimin e plotë që ky projekt është projekti fitues për të transportuar gazin natyror nga Kaspiku drejt Evropës”.