English

Nishani i dorëzon Flamurin Kombëtar Ekipit Kombëtar të Peshëngritjes

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i dorëzoi dje Flamurin Kombëtar Ekipit Kombëtar të Peshëngritjes, i cili do të përfaqësohet në Kampionatin Europian të Peshëngritjes, që do të zhvillohet në vendin tonë.

Ceremonia e veçantë e zhvilluar në selinë e Institucionit të Presidentit të Republikës, nisi me Himnin Kombëtar. Më pas, Kreu i Shtetit duke u uruar sukses sportistëve të Ekipit Kombëtar të Peshëngritjes vlerësoi Federatën për punën e bërë për organizimin e Kampionatit Europian të Peshëngritjes në Shqipëri.
“Organizimi i Kampionatit Europian të Peshëngritjes në Shqipëri është vërtetë një arritje, por dhe një sfidë shumë e madhe për sportin tonë të peshëngritjes, i cili për hir të së vërtetës ka bërë histori në fushën e sportit dhe të kulturës shqiptare. Prandaj në këto momente do të desha t’u uroj suksese sportistëve tanë. Midis jush ka emra brilantë, të shkëlqyer të sportit të peshëngritjes. Jam i bindur, që secili prej jush është i motivuar nga emrat e mëdhenj të peshëngritjes sonë, të cilët në tërë historinë e sportit tonë kanë qenë në piedestalin e rezultateve, por dhe të emrit të sportit shqiptar, jo vetëm në Shqipëri, por dhe në botë”, theksoi Presidenti Nishani.

Kreu i Shtetit e shfrytëzoi këtë ceremoni edhe për të nxitur autoritetet dhe institucionet e vendit të adresojnë më shumë mbështetje për sportin shqiptar të peshëngritjes, por jo vetëm, duke vënë në dukje se çdo rezultat pozitiv i sportistëve tanë është krenari për secilin sportist, por edhe shpërblim për punën e trajnerëve.

Pas marrjes në dorëzim të Flamurit Kombëtar, sportisti Briken Calja, peshëngritësi shqiptar me rezultatin më të mirë në Lojërat Olimpike të Londrës, u zotua para Presidentit të Republikës, “Zoti President, zotohem në emër të flamurit kombëtar që do ta mbajmë gjithmonë lart këtë flamur kaq të bukur! Zotohem në emër të ekipit kombëtar që do të sjellë medalje në këtë Kampionat Europian! Zotohem që do të jem gjithmonë krenaria e kombit shqiptar!”.

Ceremoninë e përshëndeti edhe Presidenti i Federatës Kombëtare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, i cili e falenderoi Kreun e Shtetit për mbështetjen e veçantë që i jep sportit dhe e garantoi për realizimin e një kampionati model, ku sportistët tanë dhe Shqipëria të përfaqësohet me medalje.

Në këtë ceremoni ishin të pranishëm Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Visar Zhiti; Kryetari i Akademisë së Shkencave, Prof. Dr. Gudar Beqiraj një nga ikonat e peshëngritjes shqiptare, drejtues të Federatës Kombëtare të Peshëngritjes dhe sportistët e Ekipit Kombëtar të Peshëngritjes.

KOMENTE