English

Rruga Shijak – Gjepalaj. Kryeministri Berisha merr pjesë në inagurim

Kryeministri Berisha inauguroi dje rrugën Shijak – Gjepalaj, në qarkun e Durrësit, një investim me vlerë 150 milionë lekë. Rruga, me gjatësi 6.3 kilometër dhe gjerësi 5.5 metër, e pajisur me të gjithë elementët e nevojshëm të infrastrukturës, u vjen në ndihmë 6 mijë banorëve të kësaj komune, të cilët merren me bujqësi, blegtori, pemëtari, vreshtari, etj., duke u lehtësuar atyre transportin e prodhimeve drejt tregut të Shijakut, Durrësit dhe më gjerë. Pjesë e këtij projekti ishte edhe ndërhyrja në qytetin e Shijakut, në rrugën Çamëria, lagja Dushk, e cila është trajtuar me parametrat e një rruge urbane bashkëkohore.

Nga subvencionet në bujqësi, në periudhën 2007-2012, në komunën Gjepalaj kanë përfituar gjithsej 219 fermerë, prej të cilëve 121fermere, me 83 hektarë tokë, në mbjellje ulliri; 21 fermerë, me 16 hektarë tokë, në mbjellje vreshtash; 23 fermerë, me 12 hektarë tokë, në mbjellje pemësh frutore; 30 fermerë, me 50 hektarë, në ujitjen me pika; 24 fermerë, me 900 krerë lopë, në ferma blegtorale.

Kryeministri Berisha përshëndeti banorët e kësaj zone, të mbledhur me këtë rast, si dhe u shpreh se “për ne zhvillimi rural është dhe mbetet përparësia më madhore për një Shqipëri të zhvilluar”. “Tetë vitet që shkuan, ne kemi ndërtuar në zonat rurale të Shqipërisë mbi 8 mijë kilometra rrugë; kemi ndërtuar dhe rindërtuar mbi 1 mijë shkolla; kemi ndërtuar dhe rindërtuar qindra qendra shëndetësore, mbi 400 sisteme ujësjellësish dhe kanalizimesh. Katër vitet që vijnë, ne do të përfundojmë në të katër anët e vendit infrastrukturën më moderne për zonat rurale të vendit. Ne do të bëjmë gjithçka të shumëfishojmë punësimin dhe prodhimin në këto zona”, u shpreh Kryeministri.

Në komunën Gjepalaj janë bërë investime shumë serioze në infrastrukturë, së shpejti do të fillojë edhe rruga drejt Çizmelisë, drejt Shetelit dhe do të përfundojë edhe ura e Erzenit. “Zoti kryetar i Komunës, unë të jap fjalën se do të financojmë çdo projekt me të cilin ju doni të ndryshoni jetën e qytetarëve të mrekullueshëm të Gjepalajt, grave dhe burrave punëtorë të kësaj komune, të cilët me mençurinë, me punën, djersën e tyre po rrisin çdo ditë e më shumë prodhimin e fermave të tyre”, tha Kryeministri.

Më tej, Kryeministri Berisha u ndal në zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit, duke u shprehur se “Partia Demokratike dhe e djathta shkojnë drejt këtyre zgjedhjeve si shumicë dërmuese e shqiptarëve; si forcat politike që integruan Shqipërinë në NATO, që liberalizuan vizat; si forcat politike të cilat ngritën dhe po ngrenë infrastrukturën më moderne në Shqipëri, po transformojnë Shqipërinë rurale, dyfishuan rrogat dhe pensionet, ulën papunësinë”.

“Në katër vitet e ardhshme, - tha Kryeministri, - Partia Demokratike dhe e djathta e bashkuar do të shndërrojnë Shqipërinë në vend të zhvilluar, do të shënojnë hapa vendimtare drejt integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian”.

KOMENTE