English

Serbia do të mbajë seance të jashtëzakonshme për Kosovën

Qeveria e Serbisë, të hënën, do të mbajë një seancë të jashtëzakonshme, në të cilën do të sillen vendime për dialogun me Kosovën. Mediat në Beograd shkruajnë se konsultimet e autoriteteve më të larta të Serbisë, lidhur me këtë çështje, do të vazhdojnë edhe në fundjavë.

Nënkryetari i Qeverisë serbe, Rasim Lajic, u ka thënë gazetarëve se të gjithë në qeveri pajtohen se propozimi që ka dhënë Brukseli për normalizim marrëdhëniesh me Kosovën, është i keq dhe nuk plotëson interesat e serbëve në Kosovë, sidomos të atyre në veri.

“Nuk ka zgjidhje të mirë dhe çfarëdo vendimi që marrim, do të pendohemi”, ka thënë Lajic, transmeton Rel.

Autoritetet në Prishtinë dhe ato në Beograd kanë konfirmuar se baronesha Catherine Ashton, e cila është ndërmjetësuese e bisedimeve midis dy vendeve, u ka kërkuar atyre që të deklarohen deri të martën nëse e pranojnë apo jo marrëveshjen e ofruar nga Brukseli. Të martën e kaluar, palët kanë dështuar të arrijnë pajtim.

KOMENTE