Kryeministri Berisha ka zhvilluar sot një takim me përfaqësues të aksionerëve të Shah Deniz, të kompanive BP, TOTAL, STATOIL dhe SOCAR.
Aksionerët shprehen mirënjohjen për progresin e arritur nga të tre vendet, Shqipëria, Italia e Greqia e veçanërisht nga Shqipëria, me ratifikimin e marrëveshjes ndërqeveritare ndërmjet tre vendeve dhe firmosjes së marrëveshjes pritëse qeveritare.
Gjithashtu, autoritetet shqiptare u përshëndeten për angazhimin maksimal të tyre për miratimin rregullator e vlerësimin mjedisor, përmes së cilës u mundësua pajisja me lejen mjedisore. Ata parashtruan zhvillimet tejet të kushtueshme përsa i përket fazës së prodhimit dhe shfrytëzimit të rezervave të Shah Deniz. Në këtë këndvështrim, ata theksuan rëndësinë që ka fizibiliteti ekonomik i projektit, për t’u përzgjedhur në fazën e shpërndarjes, në fund të qershorit, mes TAP e NABUCCO-s.
Kryeministri Berisha ritheksoi avantazhin që paraqet TAP si projekti më ekonomik, duke i shërbyer një tregu të gjerë të jo vetëm vendeve transit, por edhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor.