Fjala e kryetarit të PS, Edi Rama në Korçë gjatë prezantimit të kapitullit të Programit “ Për një Rilindje Shqiptare”, për Kulturën, Sportin, Mjedisin.
Këtë program qeverisës ne do t’ua vëmë përpara shqiptarëve për të marrë vendimin e tyre historik në 23 qershor. Është një program qeverisës që ne e konsiderojmë një kontratë me shqiptarët. Për ne nuk është një instrument për t’u marrë votën e për t’u kthyer pastaj shpinën. Por është instrumenti përmes të cilit, ne, do të realizojmë ato aspirata që do i çojnë shqiptarët në kutinë e votimit për të votuar për Partinë Socialiste.
Të gjithë e panë apo e dëgjuan lajmin e djeshëm atë të rrahjes masive të sportdashësve të Tiranës, pasi në stadium bërtitën kundër qeverisë dhe jo vetëm të sportdashësve të Tiranës, por dhe të kameramanëve. Kjo, nga një polici, që ne e kemi thënë dhe që provon përditë, se është një polici që mbron qeverinë nga populli, jo popullin nga krimi. Nga një polici e cila është katandisur në një çetë barbarësh ku besoj është arritur niveli më i lartë, i papërfytyrueshëm i krahinarizmit në këtë planet. Nuk besoj të ketë shtet në botë, mbase mund të ketë një mundësi krahasimi me policinë dhe me ushtrinë e atij satrapit të Damaskut, po ajo për arsye që njihen në atë vend, por krahinarizëm si ky ku më shumë se 95% e drejtuesve të policisë vijnë nga një rreth i vetëm në një vend me 36 rrethe, kjo nuk është parë. E, për më tepër, që policia t’u turret tifozëve, sportdashësve, njerëzve që shkojnë për të parë sport, jo sepse ata ushtrojnë dhunë, por sepse ata bërtasin kundër qeverisë kjo mund të jetë parë vetëm në filmat e realizmit socialist për kohën e Zogut, po që të ketë ndodhur në ndonjë vend demokratik besoj është rast unikal, sepse Shqipëria nuk është vend demokratik, për këtë arsye. Edhe kjo është një arsye më shumë në zinxhirin e pafund të arsyeve pse në 23 qershor shqiptarët do ta largojnë këtë kryeministër, partinë e tij familjare dhe policinë, që është aty për të mbrojtur këtë parti familjare dhe jo për të mbrojtur familjet shqiptare, jo për të mbrojtur pronën e shqiptarëve, jo për të mbrojtur integritetin fizik të çdo individi në Shqipëri. Ashtu sikundër ajo që dje bënë sportdashësit e Tiranës nuk ishte asgjë tjetër veçse një klithëm dëshpërimi përballë rrënimit të sportit në tërësi dhe rrënimit të një historie që nuk mund të vazhdojë më kështu në asnjë mënyrë. E në qoftë se ka një nevojë urgjente, sot, Shqipëria për të rilindur, kjo rilindje duhet të fillojë nga depolitizimi i jetës shoqërore të shqiptarëve; Nga depolitizimi i jetës së njerëzve që jetojnë me një rrogë shteti; Nga depolitizimi i marrëdhënieve mes njerëzve brenda komuniteteve dhe mes komuniteteve; Nga depolitizimi i çdo forme të aktivitetit kulturor sportiv dhe shoqëror në Shqipëri.
Ky depolitizim është premisa që Shqipëria të fillojë të marrë frymë lirisht, që njerëzit të fillojnë të marrin frymë lirisht, që mendimi i lirë të fillojë të qarkullojë mes njerëzve jo në formën e pëshpërimës nga frika se kush po na dëgjon, por në formën e një shpirti të lirë që do e ndihmojë Shqipërinë të çohet dhe të fillojë të ecë përpara me shpejtësi.
Ashtu sikundër, ndodh me policinë, ndodh edhe me pyjet në Shqipëri. E dini sa përqind e njerëzve që sot paguhen nga shqiptarët për t’u marrë me pyjet janë profesionistë në Shqipëri. 5%! Të tjerët janë të gjithë druvarë. Druvarë politikë të vendosur aty medemek për të ruajtur pyjet, por që janë brejtësit më të babëzitur të pyjeve dhe prerësit më vandalë të pyjeve, me rrogën e paguar nga taksat e shqiptarëve për të qenë mbrojtësit e pyjeve. Edhe aty, si kudo, në çdo fushë të jetës politizimi po sjell pasoja dramatike. Sot në Shqipëri dhe këtu në qarkun e Korçës dëshmitë janë rrëqethëse. Pyjet po sakatohen në mënyrë barbar. Pyje të tëra, një thesar i tërë i gjelbër, duke i shkaktuar mushkërive të vendit atë lloj masakre që nuk ia ka shkaktuar asnjë pushtues. Nuk ia kanë bërë turqit, nuk ia kanë bërë pushtuesit e mëpastajmë, nuk janë kanë bërë as fashistët, as nazistët, as komunistët, absolutisht, këtë që po i bëjnë këta druvarë të politikës së përçarjes dhe të sundimit me vota të vjedhura për të vjedhur gjithë Shqipërinë.
Ne jemi shumë të vetëdijshëm që situata është më shumë se sa alarmante. Ne duam të angazhohemi përpara shqiptarëve në një zotim solemn; që të fillojmë mbas 23 qershorit një aksion të pandalshëm për të mbjellë në territorin e Shqipërisë 1 milionë pemë.
Nga ana tjetër ne duam të fillojmë po ashtu një aksion të pandalshëm për të zhdukur nga territori i Shqipërisë një “lule kombëtare” që është mbjellë dhe zhvillohet në mënyrë epidemike që është qesja plastike, shishja plastike, sendi plastik, që ka mbuluar plazhe të tëra, ka mbuluar liqene, ka mbuluar territore të tëra. Ne duam t’i shpallim luftë kësaj “luleje” të vdekjes së mjedisit dhe ta kthejmë Shqipërinë në një vend ku varfëria do të dojë më shumë kohë për t’u luftuar e për t’u shëruar, po ku pastërtia si një vlerë dhe virtyt i traditës shqiptare të rifitojë terrenin e humbur.
Kemi vendin më të pisttë të Europës për shkak të keqqeverisjes dhe megjithëse jetojmë në një nga vendet më të bukura të Europës, për shkak të bujarisë së Zotit apo të Natyrës për ata që nuk besojnë në Zot, jemi të dënuar që të zvarritemi përmes plehrave dhe të bashkëjetojmë me plehrat në çdo pjesë të territorit të Shqipërisë. Kjo është e patolerueshme! Kjo është e pafalshme! Kjo është e papranueshme! Kjo është e padurueshme! Dhe, mbi të gjitha kjo është një përgjegjësi që ne nuk mund ta ndajmë me ata që e kanë. Ata që e kanë do ikin në 23 qershor nga detyra dhe ne do të marrim përgjegjësinë që ta pastrojmë Shqipërinë. Zgjedhja e 23 qershorit është edhe kjo.
Nuk mund të tolerojmë asnjë kilogram mbeturina të importuara nga jashtë, jo më që vendi të kthehet në një kazan plehrash për t’i hapur rrugë gjithë kanaleve të mafias ndërkombëtare, që dihet botërisht se zotëron një influencë vrastare në këtë tregti të madhe të plehrave dhe sidomos të plehrave toksike. Lajmet e dala për ekzistencën e plehrave toksike në sasinë e plehrave të importuara nga jashtë, falë atij ligjit famëkeq të kësaj qeverie, janë lajme rrëqethëse, sepse ky vend nuk ka asnjë mundësi të mbrohet, asnjë strukturë që të mund të garantojë plehrat që vijnë nga jashtë si të parrezikshme dhe asnjë mekanizëm monitorimi të mënyrës se si ato trajtohen. Arsyeja pse vendet e varfra janë rëndom shënjestra e kësaj lloj historie të rëndë me shumë helm brenda është pikërisht kjo; sepse janë vulnerabël dhe janë në pamundësi për të bërë kontrolle të përpikta, siç bëjnë vendet e zhvilluara. Tragjeditë e disa vendeve të varfra ku njerëzit janë detyruar të shpërngulen me mijëra e dhjetëra mijëra nga vendbanimet e tyre për shkak të helmimit të tokës janë një mësim shumë i madh dhe tërësisht i mjaftueshëm për ne që në 100 ditët e para t’i vëmë bllokadë totale plehrave të importit.
Teksa këtu ishin fikur dritat, Bashkia e Tiranës nxjerr me titra që “unë paskam bërë një akt të dëshpëruar duke manipuluar politikisht me sportin dhe bashkia s’paskërka lidhje me atë që ka ndodhur dje, ku janë rrahur nga policia e Saliut sportdashësit e Tiranës”. Në fakt Bashkia e Tiranës ka lidhje me diçka tjetër, me kthimin e klubit të futbollit në një organizatë partie. Se këta kudo ku shikojnë 5 njerëz bashkë menjëherë duan të bëjnë një organizatë të Partisë Demokratike. Për më tepër manipulim politik me sportin nuk është të drejtosh gishtin tek plagët që politika i ka hapur sportit, por manipulim politik me sportin është të shkosh deri në rrahjen e sportdashësve pse paskan bërtitur kundër qeverisë. Në qoftë se ka një gjë në vargun e gjërave të pabesueshme nga këta është që sportdashësit e Tiranës u manipulokan nga Partia Socialiste. Është njësoj si ajo historia e dhimbshme e të përndjekurve politik ku Pandi tha “kush vallë mund ta besojnë që për Partinë Socialiste arritkan deri t’i vënë zjarrin vetes”. Sportdashësit e Tiranës kanë të gjithë të drejtën e botës që të jenë shumë të revoltuar, sepse i kanë besuar tradicionalisht Partisë Demokratike, janë ndjerë tradicionalisht më pranë Partisë Demokratike dhe si të gjithë ata që qorrazi kanë shkuar pas Partisë Demokratike, tani po ndjejnë në zverk hurin e Partisë Demokratike, siç e ndjejnë në zverk hurin e Partisë Demokratike të përndjekurit, siç e ndjejnë në zverk hurin e Partisë Demokratike ata që kanë pritur 20 vjet legalizimin dhe sot vazhdojnë të jenë në shtëpi të palegalizuara, siç e ndjejnë në zverk hurin e Partisë Demokratike të gjithë ata që nuk e kanë marrë akoma mësimin nga Saliu dhe që i besojnë akoma verbërisht gënjeshtrave të Saliut.
Programin ynë për Rilindje, është një program që tek sporti ka vendosur një thelb të veçantë. Jam shumë krenar për atë që ka bërë grupi i punës i programit në tërësi për udhëheqjen e shkëlqyer që i ka bërë në tërësi Ilir Beqaj sekretari ynë për programin, për çfarë kanë bërë me programin të gjitha grupet. Por jam shumë mirënjohës për punën e Fidel Yllit dhe të grupit të punës që kanë ndërtuar një program për sportin, që është programi i parë real dhe serioz që një qeveri shqiptare do fillojë të zbatojë për sportin.
Sporti sot është në këtë farë katandie, pikërisht, sepse është lënë gjithmonë si xhep fallco në buxhet dhe në vëmendjen e qeverisë. Sot ne jemi të gjithë dëshmitarë të gjendjes së përgjithshme. Ndërkohë që ne e konsiderojmë sportin jo vetëm kompeticion, por shumë më tepër se kaq. E konsiderojmë sportin shëndet. Jemi, absolutisht, të vetëdijshëm se një lek i investuar në sport është një lek i kursyer në shëndetësi. Ne e konsiderojmë sportin kulturë qytetare e kulturë demokratike dhe jemi absolutisht të vetëdijshëm që duke futur sportin për të gjithë në shkolla, duke rikthyer klasat sportive, duke krijuar hapësirën ku fëmijët, të rejat dhe të rinjtë të mund të merren me sport dhe duke e tërhequr tërësisht pushtetin nga terrenet sportive si forcë politizuese, për t’i lënë terrenet e tyre të lira nga politika, ne përmes sportit do të shëndoshim në mënyrë të konsiderueshme edhe kulturën tonë demokratike dhe kulturën tonë qytetare. Sepse sporti është në të njëjtën kohë një rrugë e shëndetshme që ndërton hapësirën alternative ndaj veseve, ndaj kafeneve, ndaj bingove, ndaj alkoolit, ndaj bixhozit, ndaj drogës, ndaj të gjitha atyre qorrsokakëve që për fat të keq sot thithin shumë të reja dhe të rinj në mungesë të alternativave.
Ne e kemi ngritur sportin, sot, me këtë program në rangun e një politike të mirëfilltë kombëtare. Ne duam që Shqipëria të rifillojë të vrapojë, që Shqipëria të rifillojë të ushtrohet, që Shqipëria të rifillojë të ndjejë nevojën për sport duke filluar nga më të vegjlit. Duke vazhduar me klasat sportive, duke vazhduar me klasat e shkollave të mesme dhe me fakultetet. Ne duam që në të njëjtën kohë talentet të vlerësohen. Se dakord mund të gjenden arsye për të justifikuar pse një sërë sportistësh gjenialë të lindur këtu mes nesh në fillim vitet ’90 u arratisën, u detyruan të ndërrojnë nacionalitet, u detyruan të hipin nëpër podiume duke dëgjuar himne të tjera nga himni kombëtar, kohë të vështira mund të thuhet. Po sot çfarë e justifikon qeverinë e këtij vendi që një talent gjenial si Elis Guri, pjesëtar i skuadrës tonë olimpike në Pekin, i treguar me gisht nga gjithë specialistët, i treguar me gisht në sytë e kryeministrit nga Fideli, që asokohe ishte i deleguar i Komitetit Olimpik, si një kampion i ardhshëm i botës, ta braktisë Shqipërinë dhe të shkojë të ngrejë flamurin e Bullgarisë si kampion bote. Pse? Sepse Shqipëria nuk pati sy për të parë dhe nuk pati një dorë për t’ia dhënë këtij kampioni. Sepse Shqipëria ashtu si në të gjithë fushat e tjera edhe në sport nuk ka qeveri, por ka një çetë qorrash dhe të paaftësh, që edhe në sport kanë futur krimbin e tmerrshëm të politizimit. I kanë kthyer të gjitha plejadat në vatra sherri politik. Ka disa federata që kanë dy kokë, pikërisht sepse i ka çarë politika. Ndërkohë, rezultatet i shihni, përfundojnë si në olimpiadën e fundit ku lamë nam sepse u dalluam vetëm për doping, dhe u dalluam për një mizerabilitet, që është jo produkti real që mund të nxjerrë Shqipëria në sport, por që është produkti i keqqeverisjes. Ai ministri i sportit del dhe thotë “ikja e Elis Gurit ishte rezultat i liberalizimit, iku se u bë njeri i lirë”. Ne duam që të krijojmë Federatën e Sportit Universitar, e cila të jetë në varësi të Ministrisë së Arsimit, të ketë degët e saj në të gjitha rrethet dhe të koordinojë dhe të gjallërojë jetën sportive në të gjitha shkollat e vendit, si një hapësirë jetësore e munguar sot e gjithë ditën. Ne duam të sigurojmë burimet dytësore për sportin. Ne e dimë që sporti kushton. Por dimë në të njëjtën kohë që me programin që kemi, me më pak lekë ne do të bëjmë më shumë punë, në të gjithë sektorët edhe në sport. Do të ndërtojmë një politikë stimuluese për të pasur më shumë burime dytësore dhe për të mos ja lënë të gjithën buxhetit të shtetit.
Do ta ndryshojmë ligjin e lojërave të fatit dhe do të risimin kontributet e lotarive sportive në favor të sportit.
Kemi marrë një angazhim. Ka një Lotari Kombëtare si askund tjetër i është dhënë një subjekti privat, pra gjithë populli shqiptar do hyjë në lojë dhe nga përfitimin i asaj loje do fitojë një subjekt privat. Ndërkohë që në gjithë botën normale populli hyn në lojë, por nga fitimet e lojës që quhet Lotari Kombëtare, fiton përsëri publiku në formën e investimeve për sportin, për kulturën, për trashëgiminë kulturore dhe rininë. Ne do bëjmë pikërisht këtë gjë, ne Lotarinë Kombëtare do t’ia kthejmë publikut. Do t’i japim mundësi edhe sportit që të përfitojë nga të ardhurat e kësaj lotarie.
Në këtë libër të programit ne kemi një fotografi, që është një ndeshje futbolli e zhvilluar në Tiranë në vitin 1943. Në vitin 1943 luhej futboll midis Shqipërisë dhe Kosovës. Sot mbas kaq vitesh liri në Kosovë dhe mbas më shumë se 5 vitesh shtet të Kosovës, nga ana e shtetit shqiptar për shkak të vizionit, tërësisht, arkaik dhe për shkak të botëkuptimit, tërësisht, të mykur nga politizimi të kësaj qeverie dhe këtij kryeministri, ne nuk kemi arritur të vëmë dot asnjë gur në themelin e bashkëpunimit mes të dyjave shteteve tona në funksion edhe të sportit. Madje, kemi parë edhe “skeçe Portokallie” kur kryeministri merr fjalën atje tryezën e qeverisë dhe i thotë ministrit të bëhet Liga. Jam i bindur që ai nuk e ka idenë se çfarë është Liga. Por, ajo që duhet bërë është që si në disa fusha të tjera, si në arsim, si në bujqësi dhe zhvillim rural, si në energji, si në turizëm, ashtu edhe në sport ne kemi detyrimin të ndërtojmë një hapësirë të përbashkët. Kemi detyrimin të ndërtojmë një hapësirë të përbashkët për të rritur në mënyrë të shpejtë ndërveprimin mes nesh. Ne kemi dy shtete, por faktikisht, në rast se ne kemi vizionin e duhur dhe në rast se ne jemi në gjendje ta shikojmë të ardhmen jo me sytë e të shkuarës, kufiri mes dy shteteve nuk pengon që i njëjti popull, që është këtej dhe andej kufirit, të ketë një jetë të përbashkët dhe të ketë aktivitete të përbashkëta. Në sport ne jemi të bindur se duke e shtrirë gjithë aktivitetin e sportit në shkolla dhe në universitete në të gjithë territorin përfshirë të dy shtetet dhe duke ndërtuar kompeticion të përbashkët kemi hedhur një gur shumë të rëndë themeli për atë që ne e quajmë bashkimi kombëtar, por, i cili, po të jemi në gjendje të shohim, ka ndodhur. Ka ndodhur sepse, e përsëris, kufiri mes Shqipërisë dhe Kosovës, nuk na pengon që të krijojmë një jetë shumë aktive për të njëjtin popull. Jeta e ndarë politike nuk mund të jetë në asnjë mënyrë arsyeja pse ne të mos kemi një jetë të përbashkët sociale, një jetë të përbashkët kulturore, një jetë të përbashkët ekonomike, një jetë të përbashkët në të njëjtin qiell që është qielli i Europës, si një komb, si një popull i vetëm, që jeton në dy shtete. Të jetuarit në dy shtete jo vetëm që nuk është problem, por përkundrazi na jep mundësinë që të përfitojmë nga njëri tjetri. Të jemi shumë më pranë nevojave dhe interesave të qytetarëve në dy shtetet respektive kur vjen puna tek kujdesi shtetëror, por në rast se arrijmë të shohim larg, padyshim, brenda viteve të para mes Shqipërisë dhe Kosovës ne do të kemi një tjetër jetë ekonomike, një tjetër jetë sociale, një tjetër jetë kulturore dhe kjo do të jetë pa asnjë diskutim një trashëgimi e shkëlqyer që ne socialistëve e ditëve të sotme do t’i lëmë gjeneratave që vijnë.
Unë dua të citoj njërin nga deputetët tanë për të vazhduar për të folur për trashëgiminë kulturore, deputetin e Devollit, doktorin e nderuar Ylli Ziçishtin, i cili ka atje përballë një llogaritar kooperative që është bërë Ministër Finance, pasi e shkatërroi njëherë Shqipërinë me piramidat dhe tani po e shkatërron për herë të dytë me borxhet dhe me gropat e kudondodhura në ekonomi. E gjeti belaja deputetin tonë sepse kudo ku shkonte njerëzit i qanin halle dhe duke qenë se e ka për herë të parë, i pyeti “po mirë çfarë hallesh keni zgjidhur, apo i keni qarë këto halle edhe me atë tjetrin se është edhe Ministër Financash”. Ai thanë “ka vetëm një gjë për të na thënë, ju bëra këtë rrugën këtu, ju bëra atë rrugën aty, po se ç’bëhet në anë të rrugës me ne, me prodhimin, me shkollimin e fëmijëve, me problemet e mëdha ekonomike dhe sociale ai nuk merret”. Dhe Ylli e ka gjetur përgjigjen e duhur që është në fakt edhe përgjigjja jonë socialistëve, që “ai merret me rrugët, kurse unë merrem me njerëzit që ecin në rrugë”.
Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë ka garantuar mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Ndërkohë që, ne jemi dëshmitarë se çfarë po ndodh në Shqipëri. Në qoftë se Shqipëria ka një pasuri të madhe është bukuria e saj. Në qoftë se bukuria e saj është e larmishme brenda kësaj larmie është edhe kjo pjesë që e bën Shqipërinë një vend tërheqës, që quhet trashëgimi kulturore. Janë ç’ka kanë ndërtuar të parët tanë, çka kanë ndërtuar në shekuj duar dhe mendje të ndritura. E pra, sot ne jemi katandisur në pikën ku kemi një qeveri që nxjerr ministrin, dhe fatkeqësisht është i njëjti, se është një lloj specie që e përfaqëson më së miri atë idotësinë e kësaj qeverie, i cili thotë “po ne nuk kemi çfarë t’i bëjmë se s’kemi roje për çdo monument kulture”. Dhe ky tërheq rojet dhe monumentet bien njëra mbas tjetrës. E për çfarë duhet ky lloj roje në Ministrinë e Kulturës dhe të Sportit? Kjo është një pikëpyetje që me siguri shqiptarët do ta zgjidhin në 23 qershor.
Por ajo që unë dua të prek si pjesë të programit tonë është kthimi i vëmendjes së plotë të shtetit ndaj kësaj pasurie. Ajo që po ndodh sot me Krujën pas 8 vjetësh qeverisje, të këtyre që i bien gjoksit si patriotët më të mëdhenj dhe të këtyre që akuzojnë opozitën që po i lë jashtë rrugëve të integrimit shqiptarët, është fotografia e marrëzisë kriminale të kësaj qeverie, e budallallëkut kriminal të këtyre injorantëve. Që e kanë kthyer këtë djep të trashëgimisë kulturore, këtë djep të historisë sonë, por edhe këtë pikë referimi për trashëgiminë dhe për historinë e kontinentit tonë, që është Kruja, në një territor të barbarizuar për të nxjerrë gurë, për të prodhuar çimento, për të prodhuar gëlqere në një territor të mbytur nga tymi, të shkatërruar fizikisht me buldozerë e me eskavatorë e me gjithfarëllojë mjetesh që i shkojnë malit të Krujës m’u në zemër, që po e rrethojnë Skënderbeun siç nuk e rrethuan dot turqit. Këtë po i bëjnë këta asaj perle. Nga ana tjetër shikojeni cilët turq, cili sulltan, me cilat batalione iu afrua kështjellës së Krujës kështu siç po i afrohen këta ushtarët prej betoni të drejtuar nga jeniçerë që i thonë vetes sulltan, se as për jeniçerë nuk vlejnë këta që drejtojnë sot Shqipërinë dhe që drejtojnë Krujën atje. A ka shtet, a ka vend, a ka komb, a ka popull, ku në cilën pikë të planetit do t’ia tolerojë vetes përmes qeverisë së vet këto lloj llahtaresh. Sikur fqinjët tanë të kishin Krujën, ju siguroj, se do ta kishin kthyer në zemrën e vëmendjes për të gjithë vizitorët e huaj. Ne bëjmë sherr në televizor për Skënderbeun. Ne fryhemi si gjela përpara tribunave për Skënderbeun. Ne i biem gjoksit a thua se jemi vetë Skënderbeu në mbrojtje të gjoja Skënderbeut, por ja se çfarë i bëjmë ne Skënderbeut?! Kjo është fytyra e vërtetë e këtyre patriotëve, nacionalistëve, skënderbegasve, çfarë të doni ju, që nuk janë gjë tjetër veçse tradhtarë të këtij populli. Nuk janë gjë tjetër veçse shkatërruesit më të mëdhenj që kanë shkelur në tokën shqiptare qysh se toka shqiptare filloi të pushtohej. Ky është pushtimi më i patolerueshëm sepse është pushtim shqiptarësh që vjedhin shqiptarët. Është pushtim nga një çetë e cila nuk i ka lejuar shqiptarët që të votojnë dhe e cila me vota të vjedhura shikojeni se çfarë i punon shqiptarëve, çfarë i punon historisë së tyre, çfarë i punon gjeneratave që vijnë dhe çfarë turpi i lë pas stërnipërve të Skënderbeut. E njëjta situatë është kudo. Shikoni Gjirokastrën, shikoni Beratin. Dy perla të gjithëpranuara botërisht, si perla të trashëgimisë kulturore botërore, që po zhduken, që po bien, që po rrënohen. Shikojeni se çfarë ndodh sot me Butrintin. Është merita e Auronit që në fund të viteve ’90 kur unë u bëra Ministër Kulture më sensibilizoi në mënyrën e duhur që të investoheshin për ta vendosur Butrintin në mbrojtje dhe për të ndërtuar një Park Kombëtar që u kthye në pikë referimi për Shqipërinë, që u bë kartolina e një Shqipërie tjetër. Që nxori Shqipërinë në ekranet e botës si vendin e kulturës, jo si vendin e kallashnikovëve dhe si vendin e barbarëve, sikundër një stereotip shumë i dëmshëm e ka pikturuar Shqipërinë përmes mediave ndërkombëtare, falë edhe qeverive që kemi pasur me Saliun e parë dhe me Saliun e dytë. Po çfarë ndodhi? Sot ai park përsëri po bien në duar barbare. Sot gjithçka që u ndërtua dhe u mbrojt me aq kujdes dhe me aq vizion është përsëri në rrezik.
Ashtu sikundër si ka mundësi që këtu në Korçë të rrijë në disa zgafella një thesar i madh i kulturës tonë kombëtare, që është thesari i ikonave, të mos ketë mundësi ta shohë askush. Gjithë ky thesar rri nëpër qoshe dhe ruajna Zot që të marrim vesh ndonjë ditë që është vjedhur. Ashtu sikundër, është një tjetër pasuri e madhe e krijuar në një kohë të zezë për Shqipërinë, një monument historie si Spaçi për të cilin qysh në krye të herës Fatos Lubonja, Maks Velo dhe një grup njerëzish kishin idenë e jashtëzakonshme për ta kthyer në një muze, në një muze të memories. E keni dëgjuar Saliun sa herë ka ndonjë shqetësim publik lidhur me ndonjë problem që lidhet me keqqeverisjen del dhe premton një institucion të memories, premton të njëjtën monument për të përndjekurit, premton të njëjtat gjëra që si ka bërë kurrë dhe s’do t’i bëjë kurrë, tani s’ka as kohë t’i bëjë se në 23 qershor e mbaron edhe ai misionin e tij. Por, kurrë nuk është kujtuar që atë monument të historisë që është Spaçi dhe që të jeni të sigurt që në çdo vend të Europës do ta kishin kthyer në një vend të memories historike europiane, jo shqiptare, ta mbrojë nga rrënimi. Po shkon i gjithë për skrap. Po shkon i gjithë për skrap siç shkuan për skrap nëndetëset e famshme të fundit të dashurisë së Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik, të cilat do të ishin sot një kuriozitet i jashtëzakonshëm turistik dhe siç po shkojnë në esfel shumë e shumë pjesë të tjera të kësaj pasurie të madhe, që është bukuria e këtij vendi. Bukurinë që ja dha Zoti dhe nuk ja morrën dot pushtuesit njëri mbas tjetrit po ia merr një qeveri barbarësh, e cila mban një përgjegjësi historike për çka po i ndodh Shqipërisë europiane sot. Po ç’europianizon Shqipërinë në objektet e veta, në dëshmitë e veta materiale të të qenit një vend europian. Po e ç’europianizon! Por po bën që të zhduken ato pjesë të patjetërsueshme të të qenit të Shqipërisë një vend europian. Po barbarizon gjithë imazhin e vendit tonë me këtë lukuninë e ndërtimeve pa leje m’u në sqetull të monumenteve të kulturës. M’u aty ku duhet në fakt të vezullojnë xhevahiret që na kanë lënë të parët.
Do ta mbyll me Voskopojën. Ju e dini mirë se ç’është Voskopoja. E dini mirë se çfarë i kanë punuar këta Voskopojës. Si është e mundur që këto zona, të cilat, sot, duhet të ishin pika ku ne të kapeshim fort për të ndërtuar krenarinë kombëtare dhe për të ndërtuar mirëqenie ekonomike janë sot në këtë gjendje. Është një injorancë vrastare e cila meriton të ndëshkohet jo vetëm nga opozitarët, por meriton të ndëshkohet nga çdo shqiptar që e jeton Shqipërinë sot dhe që e di veten prind përpara sesa ta dijë zgjedhës. E di veten individ që ka një emër, që ka një familje, që ka disa detyrime ndaj të parëve të vet dhe ndaj pasardhësve të vet përpara sesa ta dijë veten zgjedhës, si dhe e di veten qytetar të Europës pavarësisht gjendjes ekonomike dhe sociale përpara sesa ta dijë veten zgjedhës të Partisë Demokratike. Çka ka ndodhur nën këtë qeverisje është arsyeja që çdo shqiptar që i thotë vetes shqiptar dhe që tek fjala shqiptar kërkon arsye për t’u krenuar bazuar jo mbi broçkullat e Saliut, po mbi historinë tonë dhe në çka jemi në gjendje të bëjmë, të distancohet nga partia familjare e një kryeministri i cili në rrugën drejt fundit të tij kërkon të marri me vete dhe të çojë deri në fund Shqipërinë. Por, Shqipëria do të rilindë në 23 qershor dhe të gjithë atyre që duan të dinë vazhdimisht se ç’është rilindja, rilindja është edhe kjo, rikthimi i vëmendjes ndaj të gjitha atyre trashëgimive materiale që po zhduken në të gjithë territorin e Shqipërisë, të cilat provojnë se ky popull është një popull europian dhe se ky vend është një djep i kulturës europiane dhe jo një territor i askujt në dorë të barbarëve të rinj që e përsëris për të disatën herë, po ia bëjnë këtij vendi ashtu siç nuk ja bëri asnjë pushtues, qysh se ky vend u prek dhe u pushtua nga këmbë të huajsh.
Ky ishte në vija të përgjithshme libri i tretë i programit tonë, i cili në fund do të jetë një libër i plotë që do i përmbledhë të gjitha. Në vija të përgjithshme nënvizuam zotimet bazë, ndërkohë që Programi është shumë më i detajuar akoma. Është një instrument qeverisës.
Në 23 qershor njerëzit do të zgjedhin dy modele. Modeli i tyre është gllabëro, shpërdoro, varfëro si të ishte një familje që brenda të hënës shpenzon të gjitha paratë dhe ha gjithshka ka ruajtur për javën. Ndaj ne sot kemi ardhur në pikën ku njerëzit thonë “nuk mban më, nuk mban më, nuk mban më” sepse po konsumohen burimet. Po konsumohen burimet me shpejtësi, ndërkohë që nuk po arrijmë dot të prodhojmë dhe as të administrojmë në mënyrë krijuese dhe prodhuese burimet ekzistuese. Modeli ynë është tjetër. Është modeli i punësimit real përmes nxitjes së prodhimit, i garantimit të rrugëve të prodhimit, i konsiderimit të gjithë kësaj trashëgimie kulturore, si një nga burimet e mirëqenies dhe padyshim i krijimit të një mjedisi ku qytetarët të ndjehen njerëz, të trajtohen si njerëz dhe të vendosin si njerëz, jo të ndjehen zgjedhës të trajtohen vetëm si zgjedhës dhe kur vjen puna të zgjedhin as të mos vendosin dot sepse vota e tyre vidhet. E pra, në 23 qershor Shqipëria do të bëjë zgjedhjen më të rëndësishme pas asaj të vitit 1992, sepse një model zhvillimi ka shteruar dhe tanimë mund të prodhojë vetëm varfëri, krim dhe dëshpërim dhe një model i ri është gati të marrë jetë. Është gati me programin tonë, është gati me skuadrën tonë, është gati me koalicionin tonë, është gati me vullnetin tonë për ta kthyer eksperiencën e të shkuarës në një bazë për të shkuar shumë më shpejt drejt të ardhmes me energji të reja, me një vizion të ri dhe pa asnjë dyshim me një qasje të re ndaj atdheut tonë të përbashkët.