Në datën 02.04.2013, në Ministrinë e Financave u zhvillua mbledhja e Grupit Këshillimor të Stabilitetit Financiar (GKSF). Mbledhja u kryesua nga Ministri i Financave dhe në të morën pjesë Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Kryetari i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave (ASD), drejtues të tjerë dhe eksperte të këtyre institucioneve.
Sipas programit të mbledhjes, anëtarët e GKSF u njohën fillimisht me një vlerësim të AMF lidhur me zhvillimet dhe sfidat që ekzistojnë në tregun e sigurimeve. AMF rekomandoi që kuadri rregullativ mbikëqyrës i këtij segmenti të sistemit financiar të përmirësohej për t’i paraprirë potencialit zhvillues të këtij tregu, për të monitoruar më mirë ndërlidhjen e tij me sektorin bankar, si edhe për të përmirësuar kuadrin mbikëqyrës me standardet më të mira. Në këtë drejtim, përfaqësuesit e AMF shtruan nevojën për finalizimin e rishikimit të projekt-ligjit “Për Sigurimet”, i cili është përgatitur prej disa kohësh. Më tej, përfaqësuesit e AMF diskutuan rreth disa elementeve teknikë të veprimtarisë financiare të shoqërive të sigurimit që lidheshin me strukturën e investimeve të tyre, mënyrën e mbajtjes së fondit të garancisë dhe format për të siguruar më tej qëndrueshmërinë e tij. Anëtarët e GKSF vlerësuan se tregu i sigurimeve ka një potencial të rëndësishëm zhvillimi, duke veçuar produktet e sigurimit të shëndetit e të jetës. Zbatimi i standardeve më të mira në drejtim të transparencës, të aftësisë paguese dhe të qëndrueshmërisë financiare të këtyre institucioneve, do të rrisë kërkesën e publikut për produktet e sigurimit në mënyrë të qëndrueshme. Anëtarët e GKSF mbështetën kërkesën për finalizimin e projekt- ligjit “Për sigurimet”, në një kohë sa më të shpejtë.
Në vijim të mbledhjes, përfaqësuesit e Bankës së Shqipërisë informuan anëtarët e GKSF lidhur me paketën e ndryshimeve rregullative të miratuara nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë në datën 27 mars, 2013 për nxitjen e kreditimit në ekonomi dhe mbështetjen më të mirë të procesit të ristrukturimit të kredive. Në këtë kuadër, u bë një përshkrim i elementeve që përmban kjo paketë dhe u diskutua rreth mënyrës së zbatimit të saj. Anëtarët e GKSF vlerësuan se kjo paketë vjen në kohën e duhur, dhe i rekomanduan Bankës së Shqipërisë të vlerësojë ndikimin e saj në mënyrë të vazhdueshme. Ky ndikim do të zmadhohej nëse do të shoqërohej me miratimin dhe zbatimin veprimeve të tjera që përmirësojnë mjedisin kreditues, ku veçohen ndryshimet e propozuara ligjore për ekzekutimin e kolateralit.
Më tej, përfaqësuesit e Bankës së Shqipërisë theksuan rëndësinë e fshirjes së kredive të humbura nga bilanci i bankave. Ky proces, pastron bilancin e bankave nga asete që nuk performojnë, që deformojnë strukturën dhe cilësinë e bilancit, si edhe që angazhojnë në mënyrë joeficiente burime të vlefshme të bankës. Më tej, ky është një veprim që vendos në një raport më të drejtë marrëdhëniet financiare që bizneset dhe familjet kanë me bankat dhe me njëri-tjetrin përsa i takon transparencës së gjendjes financiare, duke nxitur ristrukturimet e ndryshme në treg. Në këtë kuadër, përfaqësuesit e Bankës së Shqipërisë paraqitën në mbledhje shqetësimin e industrisë bankare lidhur me trajtimin tatimor të këtij procesi. Anëtarët e GKSF theksuan rëndësinë e fshirjes së kredive të humbura nga bilanci i bankave në kohën dhe mënyrën e përshtatshme. Ata rekomanduan që përmes një bashkëpunimi ndërinstitucional, të evidentohet saktë problematika me të cilën ndeshet ky proces për shkak të trajtimit tatimor dhe të propozohen mënyrat e zgjidhjes së tyre në një kohë të shkurtër.
Sipas programit të mbledhjes, pjesëmarrësit diskutuan mbi mënyrën e administrimit të kërkesave për valutë nga sektori publik për një periudhë afatmesme. Në këtë kuadër, u diskutua mbi veprimet konkrete që përmirësojnë ruajtjen e burimeve në valutë dhe që përputhin më mirë në kohë disponueshmërinë e fondeve në valutë me nevojat përkatëse.