Këshilli Bashkiak i Tiranës i ka hapur dje në (9 prill) rrugë nisjes së ndërtimit të bulevardit të ri të Tiranës. Me një grant prej 7 milionë eurosh, akorduar nga shteti i Katarit, brenda muajit prill do të nisë puna për zgjatimin e bulevardit, në vendin ku sot është Stacioni i Trenit. Ky vendim u abstenua nga këshilltarët e PS dhe mori miratimin e të gjithë anëtarëve të tjerë të Këshillit Bashkiak të Tiranës. Kreu i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha e ka cilësuar nisjen e punës për bulevardin e ri, pjesë të përpjekjes për Tiranën moderne evropiane, për zhvillimin ekonomik dhe rritjen e punësimit në kryeqytet.
“Me këtë vendim, sot Këshilli Bashkiak shënon fundin e fazës përgatitore të këtij projekti dhe fillimin e fazës së investimit të bulevardit të ri të Tiranës, pjesë e projektit të bulevardit dhe lumit të Tiranës. Në sipërfaqen e tij urbane “ngërthen” pothuajse ¼ e qytetit të Tiranës. Vjen pas miratimit nga ky Këshill të planit urban dhe është pjesë e përpjekjes sonë për t’i dhënë Tiranës një plan modern, evropian zhvillimi por po kështu një plan të zbatueshëm siç tregon në rastin e këtij investimi publik edhe hapi tjetër që do të hedhim, ky i investimit të bulevardit të ri të Tiranës. Nga pikëpamja e vlerës së shtuar për kryeqytetin, do të ndalesha tek dy momente; i pari afatshkurtër që ka të bëjë me zotimin tonë për të bërë punësimin dhe zhvillimin ekonomik, çështje kryesore të axhendës së kësaj Bashkie dhe në këtë pikë, pa dyshim fillimi i një investimi kaq madhor është një lajm i mirë jo thjesht për industrinë e ndërtimit, kompanitë të cilat do të përfshihen drejtpërdrejt në ndërtimin e bulevardit por për të gjithë zinxhirin ekonomik që tërheq me vete, për zhvillimin në dy anët e këtij aksi, për vëmendjen e veçantë që ka ngjallur tek investitorët e huaj, duke filluar me vetë donatorët, ata të Katarit të cilët po përgatisin një mision të dytë për të finalizuar investime në fushën e hotelerisë dhe qendrave komerciale në aksin e bulevardit. Natyrisht, nuk janë të vetmit, pasi ka edhe shumë të tillë. Pra, hap një kapitull të ri në “zemrekun” ekonomik të Shqipërisë dhe mu në zemër të këtij “zemreku”, që është aksi veri-jug i qytetit të Tiranës” - u shpreh z.Basha.
Kryebashkiaku Basha ka bërë të ditur se përveç shtetit të Katarit, ky projekt ka marrë mbështetje të gjerë edhe nga donatorë të tjerë. Puna, sipas zotit Basha, do të nisë me zhvendosjen e linjave të tensionit të lartë dhe Hekurudhës.
“Hapi i parë do të hidhet dy apo tre javët e ardhshme, zhvendosja e linjave të tensionit, zhvendosja e Hekurudhës dhe pastaj përmes këtij granti, ne do të nisim menjëherë nga puna për ndërtimin e komponentëve të parë të bulevardit të ri të Tiranës.
Faza e parë prej 7 milionë eurosh parashikon pjesën e parë të bulevardit, nga fillimi i Stacionit të Trenit deri në afro 600-700 metra thellësi, duke përfshirë këtu një vepër madhore të bulevardit që është një parkim i madh nëntokësor, publik në pjesën ku sot ndodhet Stacioni i Trenit, ndërkohë që me fonde të tjera të donatorëve, me një kredi me terma të butë që është negociuar dhe është në proces përfundimi me një tjetër partner të rëndësishëm tonin, Fondi i Zhvillimit të Abu Dhabit (ka kontribuar edhe gjysmën e parave për tunelin e Kërrabës) do të plotësohen edhe komponentët e tjerë financiarë që përfshijnë pjesën tjetër të bulevardit dhe rehabilitimin e shtratit të lumit të Tiranës, ndërtimin e infrastrukturës shoqëruese” - u shpreh kreu i Bashkisë.
Një tjetër vendim i miratuar në mbledhjen e Këshillit Bashkiak ishte dhe përcaktimi i kritereve dhe proçedurave për përzgjedhjen e bankës së nivelit të dytë për të mundësuar një kredidhënie të lehtë, të shpejtë, me interesa të ulëta, pa burokraci të tepërta dhe transparencë për të gjithë përfituesit e fondit te garancive. Ky projekt është në vazhdën e nismave të Bashkisë së Tiranës, për të nxitur zhvillimin e biznesit dhe rritur punësimin.
“Është një vendim i cili shkon drejtpërdrejt objektivit tonë për të bërë maksimumin e mundshëm si Bashki për punësimin. E kam thënë dhe vazhdoj ta them, Bashkia, kryetari i Bashkisë dhe ju si Këshill Bashkiak nuk mund të bëni gjithçka për punësimin por mund të bëjmë diçka për punësimin. E kemi provuar se kemi bërë diçka për punësimin dh eme këtë vendim jam i sugurt se hedhim një hap akoma të paprekur nga pushteti lokal por me leverdi të madhe sa i përket rolit që pushteti lokal, qeverisja vendore ka për të siguruar zhvillim ekonomik dinamik dhe shanse për punësim, veçanërisht për brezin e ri” – theksoi z. Basha.
Lidhur me akuzat e përsëritura nga këshilltarët socialistë për planin urbanistik, Kryebashkiaku Basha u ka rikujtuar se plani ishte gjithëpërfshirës.
“Plani u konsultuar me te gjithë ekspertet, përfshirë edhe ata që sot janë zëdhënësit më të zjarrtë kundër planit. Ishin aty pjesëmarrës me të drejta të plota, me zërin e tyre të dëgjueshëm dhe të transkriptuar në qëndrimet që kanë mbajtur dhe në fakt kanë mbajtur qëndrime në tërësi konstruktive gjatë diskutimeve të planit. Plani u diskutua me qytetarët në një përballje që zgjati afro 3 muaj, pra transparenca ka qenë e plotë. Plani nuk ka njolla, ju a sqaroj edhe një herë! Në këtë Këshill duhet të kemi një qartësi. Plani nuk vendos njolla, vendos parametra të zhvillimit, është një kushtetutë urbane e Tiranës. Plani katërfishon gjelbërimin, sikundër kam kënaqësinë të ndaj me ju sot që për momentin, me përfundimin e kësaj fushate të mbjelljes së pemëve në kryeqytet, numri total i pemëve të mbjella gjatë jetëgjatësisë së këtij Këshilli Bashkiak, në Tiranë ka arritur në 12 500. Nëse doni ta krahasoni me 15 mijë pemë të mbjella në periudhën 2001-2011, do shikoni se kemi bërë një punë jo fort të keqe dhe kjo do të vazhdojë. Bulevardi është gjithashtu një projekt gjelbërues”.