English

Takim me një vajzë thuajse "jashtëtokësore"

Tregim nga Erion Selmani - Komentet e djemve nuk kishin të sosur e pasioni i tyre ngjante si zjarret gjatë stinës së verës, kur sapo fikej një vatër zjarri, merrte flakë pylli tjetër...
Edlira i kishte quajtur me mendjen e saj “Pylli i meshkujve” ato mesazhet e ftesat e panumërta të miqësisë on-line. Ajo as që do ta kishte hapur më postën eletronike tek profili i saj në internet sikur midis morisë të komenteve të mos spikaste një i panjohur i pazakonshëm.
Kur djemtë e tjerë komentonin fotot e saj në plazh në mënyrën sikur do ta “mbysnin në det” ose do t’i merrnin frymën... po t’u binte ndër duar, i panjohuri... jo vetëm që nuk përzihej në atë lëmsh po edhe e ledhatonte me fjalë. Në fakt ai “përkëdhelte” pamjen në foto, pozicionin e saj, shprehjen e syve duke i bërë krahasime me figura mitologjike, ose me yje, ende të pazbuluar... E kjo e bënte komentuesin enigmatik tepër interesant për Edlirën.
“Shkencëtarët janë vazhdimësisht në kërkim të yjeve, eksplorimit të universit, pa iu shkëputur shpresës së zbulimit të ndonjë planeti të ri, të ngjashëm me tokën, po ata nuk patën fatin të zbulonin të vetmen vajzë "jashtëtokësore" që ka ardhur nga qielli midis nesh. Janë sytë e tu që vërtetojnë preardhjen tënde nga një botë tjetër, mbase e shpikur nga fantazia ime, po meqë s’kam parë kurrë më parë një ikonë bukurie si ty, detyrimisht të përulem, të respektoj, e do të mbroj, ashtu siç mbrohen sytë e ballit....” Ky qe njëri nga komentet e djalit të panjohur dhe natyrisht Edlira kishte buzëqeshur, qe kënaqur dhe, e kishte mësuar përmendsh.

I egzagjeruar, i veçantë dhe ka llafe të lezetshme, u kishte thënë më pas mikeshave. – Po pse mua nuk më shkruan asnjëri kësi gjërash?! Hi,hi,hi Jepi dhe adresën e profilit tim! I kishte thënë një shoqe buzagaz.
Edlira u kishte treguar disa hollësira shoqeve; Ai nuk shton foto të vetat, nuk më nis foto në privat, flet për gjithçka po jo për veten e tij. Kjo gjë e bën edhe të “urryer” po edhe tundues. Jam kureshtare... dua ta njoh!...

Më shkruan në shqipen letrare dhe s’para bën gabime drejtshkrimore, krejt ndryshe nga shumica e atyre që komentojnë fotografitë, me atë gjuhën e keqshkruar: shatra/patra.

Ftesë për takim/e-mail
Edlira! Yjet ndriçojnë çdo natë, e unë s’mund të pres përherë natën për të të kërkuar me sy nëpër univers. Do të doja të të takoja gjatë ditës e jam i bindur se ti do i bësh konkurrencë diellit me dritën e bukurisë tënde, me zjarrin e fshehtë që ke brenda zemrës: madje më mirë të takohemi ndonjë ditë me shi, sepse do ta shijoj më tepër shkëlqimin e syve të tu. Rrezikoj të verbohem nga bukuria jote, po kjo s’më tremb. A dëshiron të njihemi nga afër?
Jetonin të dy në të njëjtin qytet dhe kjo i pakësonte telashet që shkaktonte njohja në distancë. Prej ditësh mendohej për atë takim e nuk i mbushej mendja ndonëse ja kishte ëndja ta njihte atë...

Përgjigje e-mail nga Edlira
Po mirë o miku im, më shpjego pse duhet të njihem me ty, kur ftesat më arrijnë nga të gjitha anët, kur e kam bezdi të dal shëtitje se më hedhin fjalë çunat përgjatë shëtitores. Kur s’gjej rehat sa herë që shkoj në plazh se më hanë me sy “ujqërit”... A kupton? Jam e “mbytur” me propozime..... Pse pikërisht ty ? Përse duhet ta pranoj takimin? Vetëm kaq më sqaro e më pas do vendos...

Ai u përgjigj me vrull dhe eufori.
Ke të drejtë Edlira! Po me lejen tënde po shpreh mendimin tim duke të premtuar se do respektoj çdo vendim që ti do marrësh. Arsyeja pse do të ishte mirë të takohemi mund të jetë një, po ndoshta ka edhe njëmijë arsye për të mos u takuar. Pra ti mund të kesh njëmijë arsye për të më refuzuar, dhe vetëm një për të më pranuar.
Kam vënë re se na pëlqen të bisedojmë së bashku. Mirëkuptimi ynë, ëmbëlsia e karakterit e ndoshta edukata njerëzore me të cilën shoqërohen bisedat tona on-line, janë disa motive që na afrojnë. Në të njëjtën kohë nuk na largon asgjë. Jemi kaq pranë, në ide, në shijet tona, madje në të njëjtin qytet. Përse mos të shihemi sy më sy si njerëz të lirë, si dy të rinj që kanë interesa të përbashkëta e duke u njohur nga afër, mund të lidhen shpirtërisht. Ndërkaq do të bëj të ndihesh e lirë, të bësh një përzgjedhje si të ta dojë ty zemra, ngaqë unë nuk sillem si “ujqërit” që përmende. Eja të shihemi dhe merr sa kohë të duash për të vendosur...
Po si nuk qenke kurioze të më shohësh? Ku ta dish, ndoshta të pëlqej...?!
///\\\\
Edlira hyri në qëndrën tregtare ku do takoheshin. E kishte menduar gjerë e gjatë vendin e takimit dhe kishte zgjedhur një vend të tejmbushur me njerëz për të shmangur ndonjë të papritur.. të papëlqyeshme. Nuk i dihej kurrë se me kë bisedoje në internet... Gjithsesi s’i kishte thënë dot “jo”. Ajo nuk duronte dot më pa lexuar mesazhet e tij, komentet e shumta të fotove. I lexonte disa herë e i kujtonte herë pa here fjalët e tij. E nuhaste që personi i komenteve kishte diçka të veçantë. E ndiente se kjo njohje mund t’i ndryshonte mjaft gjëra të përditshmes se saj. Do të mund të lindte një histori dashurie...? Nuk i dihej.

“unë kam bërë dashuri me fjalët e tua” tha me vete ajo kur po i afrohej djalit tek vendi i takimit...
Ajo ngriu në vend dhe shqyeu sytë. – Edlira, jam unë Rudi. Besoj se më mban mend. Si je me shëndet?
Edlira nuk foli. E shikoi me ankth, drojtje, e në çastet e fundit provoj mall. Sa kohë kishte rrjedhur nga takimi i fundit.
-Rudi?! Po pse nuk ma the në fillim që ishe kthyer? Ke dy muaj që më shkruan ndërmjet internetit?
Ata qëndronin të palëvizur përballë njëri-tjetrit. Tetë vjet nga takimi i tyre i fundit. Kishin qenë çift, të dashuruar në universitet po ai papritur ja kishte mbathur jashtë shtetit në një kontinent të largët ashtu siç bënin shumë të tjerë...
-Të lutem Edlira më dëgjo me vëmendje!- Pas kaq vitesh nuk e shihja të logjikshme të paraqitesha përballë teje si ish i dashuri yt. Nuk pata kurajo të të dilja përballë sepse ti nuk më përket, ti je e lirë e nuk më detyrohesh asgjë. Ai u mendua pak për të gjetur argumenta të përshtatshëm dhe i tha:
E dija se me ty do të lypej të rifilloja nga e para, të të vardisesha njëlloj si ata që nuk ke njohur kurrë, sikur të mos kisha qenë kurrë i yti. Prandaj të kontaktova në internet dhe të “ledhatova” me fjalët e mia me shpresën se do të rifitoja simpatinë tënde e të me jepje mundësinë e takimit. Në të vërtetë komentet e mia qenë veç grimca fjalësh, thërime të papërfillshme të paafta për të përshkruar bukurinë tënde... shpirtërore.
Unë jam kthyer e mbase historia jonë mund të rifilloi paçka se për këtë nevojitet shumë kohë. E kuptoj që ti ke të drejtën tënde të mendohesh dhe të bësh zgjedhjen më të përshtatshme, për veten tënde, pa u prekur nga nostalgjia për historinë tonë. Dhe, nëse më lejon ta them; as andej nëpër botë s’kishte bukuroshe si ty. He, he, he, Edlira buzëqeshi.

– Ti më braktise Rudi... si mund të ta fal. Dakort se ashtu rrodhën ngjarjet e të gjithë çunat e shumë goca provuan të iknin nga ky vend. Po ky fakt, se nuk jam e vetmja ndër të braktisurat... nuk më ngushëllon. Vetë e the se jam ndryshe, jashtëtokësore e të tjera broçkulla, me të cilat shkrihesha së qeshuri sa herë që m’i shkruaje. Rudi! Ti s’ke të drejtë të ikësh e të kthehesh kur të të dojë qejfi.

Ajo u mendua dhe i tha: -Unë s’kam besim tek ty Rudi edhe pse dikur të desha si e çmendur. Ti ishe i pari për mua, të dashuroja verbërisht. Ti u zhduke për tetë vite....
Rudi mbeti i topitur. U prek nga fjalët e asaj. Iu lidh goja, nuk mund të mohonte asgjë. Edlira thoshte të vërtetën. Ndarjet e çifteve të reja dhe familjeve për arsye mërgimi qenë të panumërta, e kalonin vite derisa kryheshin ribashkimet e familjeve... e kjo dihej tashmë nga të gjithë. Ndihej fajtor ndaj Edlirës dhe e parashikonte se qe një “betejë” e humbur. Ai s’kishte asnjë dëshirë ta mashtronte... dhe nuk foli fare.
Shumë persona bënin varavingo në qendrën tregtare, kurse ata të dy rrinin të ngrirë si dy shtatore.
-Më fal Edlira! Tha ai syulur siç bëjnë djemtë e turpshëm e jo rrallë edhe fajtorët.
-O Rudi, për çfarë më kërkon falje? Për ikjen tënde, për këtë ardhjen e beftë, apo për ato komentet e fotografive të mia? Ti më bëre të ëndërroja... , mezi i prisja mesazhet e tua, më merrte malli, pothuajse uria... për “ushqim” shpirtëror. Ku i ke mësuar ti gjithë ato gjëra? Apo atje në atë kontinentin e arratisjes tënde?

-Ah jo, Edlira! Për komentet s’të kërkoj falje. Këtë ta heqësh nga mendja, sepse kur shkruaja komente nuk gënjeja. Unë thjesht ngrita një “monument” me paragrafë për bukurinë tënde. Duke qenë kështu, deri diku jam i shfajësuar për ikjen apo rikthimin tim. Ndërkaq ti erdhe plot kurreshtje e dëshirë për njohje në takim gjë e cila do të thotë se neve mund të marrim kohë, për të shkrirë akullin e viteve të mungesës time. Edlira, mbase do të jetë më mirë lidhja me mua që më njeh se kush jam, që më lexove e dëgjove se si flas, që e di shumë mirë se si sillem, sesa një tjetër me të cilin mund të ndodhi për fat të keq edhe ndryshe, që mos të kesh jetë të lumtur, të të tradhëtoj, keqtrajtoj etj,. Të paktën me mua disa garanci i ke, edhepse nuk mjaftojnë kurrë. Për mendimin tim do të ishte e vlefshme të frekuentohemi disa kohë e shohim nëse midis nesh do të mund të rilindi një histori dashurie....

Ai rifitoi pozicionin e tij si orator i paepur dhe kërkonte me shumë takt që ajo të bindej për qëllimet e tij të sinqerta. Edlira e dëgjonte pa i ndarë vështrimin zhbirues dhe e ndjeu se Rudi i pëlqente shumë. Për dreq ai kishte njëfarë avantazhi psikologjik ndaj saj. Ishte thuajse në epërsi ndaj saj, meqë ishte i pari djalë me të cilin Edlira kishte fjetur...
I mirë apo i keq, ai qe i pari fare... e detyrimisht i paharrueshëm. Paçka se i paharueshëm, nuk do të thoshte se qe i pazëvendësueshëm... Tashmë qe burrëruar e kishte marrë një tjetër hije, më joshës se kurrë! Kur e kishte dashuruar si e marrë nuk e imagjinonte dot jetën pa atë, dhe ja tani ai ndodhej sërisht përballë saj, afër saj, po ajo ende se kishte prekur... e dëgjonte e përhumbur, deri diku e mposhtur. Detajet e oratorit qenë të shumta. Dalëngadalë ai po fitonte terren e nga goja i dilnin fjalë bindëse. Edlira po dorëzohej..., s’donte të dëgjonte argumenta të tjera: Mjaft. Qenë sqaruar.
Ajo zbukuroi shikimin, buzëqeshi, e provokoi me sy të ëmbël siç bëjnë gocat kur u pëlqen djali. Po përpiqej të jepte pështypjen se qe dakort. Ai e kuptoi dhe përfitoi menjëherë me shkathtësi vendimtare. Shkathtësia e reagimit, shpejtësia e të menduarit shumë shpeh ndihmonin e jo rrallë shkatërronin.
-Kështu pra Edlira, erdhi momenti më i lumtur i jetës time. Sapo lexova në sytë e tu magjepsës fjalën; përqafim. Duket sikur thua:“Më përqafo”
-Ti Rudi i lexon sytë sipas leverdisë tënde po je tejet i çuditshëm pasi shtove edhe fjalën magjepse ha,ha,ha . Ty nuk të mjafton përqafimi po kur e lexon këtë fjalë e do të shkruar në sy magjepsës. Jo sy dosido hi.hi,hi Qeshi edhe ai dhe me pak frikë të përzier me padurim e përqafoi me ndjenjë
“Më paska marrë shumë malli” mendoi Edlira gjatë përqafimit, e në të njëjtë kohë ai i mumuriti
– Më ke munguar shumë!!
Ajo nuk iu përgjigj. E shtrëngoi fort me krahët e saj atë që kishte qenë i dashuri i saj i parë, çmenduria e parë, emocioni më i fuqishëm, plaga e madhe kur ai ishte ikur. Gëzimi më i madh sepse ai qe kthyer...

Emigracioni ndonëse i lodhi, i ndau njerëzit, nuk i shkatërroi të gjitha dashuritë. Kur qe e shkruar nga perëndia, dashuritë triumfonin..., pas shumë peripecish ose me shumë vonesë...

KOMENTE