English

Berisha inauguron rrugën Hotolisht – Frare, në rrethin e Librazhdit

"Ne zotohemi se gjatë katër viteve që vijnë do të 3-fishojmë grantet për projektet tuaja, në mënyrë që ju të prosperoni, të ndërtoni kopshtet, serat, bahçet tuaja dhe të ecni të sigurt drejt një mirëqenie më të mirë; në mënyrë që ju të zhvilloni potencialet turistike të zonave tuaja të mrekullueshme”
Kryeministri Berisha ishte sot i pranishëm në inaugurimin e përfundimit të rikonstruksionit të rrugës Hotolisht – Frare, në rrethin e Librazhdit, financim i qeverisë shqiptare dhe Fondit të OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar (OFID), me vlerë 146 milionë lekë.

Segmenti rrugor Hotolisht – Frare, me gjatësi 6.2 kilometër, tashmë është zgjeruar dhe pajisur me të gjithë elementët e nevojshëm të infrastrukturës, përfshirë kanalizimet e ujërave të bardha, mure mbajtës, vepra arti, si dhe sinjalistikën e nevojshme vertikale dhe horizontale. Pjesë e këtij projekti është ndërtimi i trotuarit pranë shkollës së fshatit dhe urës së re. Kjo rrugë u lehtëson transportin 1500 banorëve të kësaj zone, u krijon mundësi atyre të lidhen me Përrenjasin, Librazhdin dhe Elbasanin. Kjo zonë është e njohur për pasuri minerare kromi dhe ndërtimi i rrugës lehtëson ndjeshëm aktivitetin e shfrytëzimit të minierave, por edhe transportin e mineralit. Fermerët e kësaj zone janë të njohur për prodhimet bujqësore dhe blegtorale, në mënyrë të veçantë për vreshtarinë.

Në këto vite, në rrethin e Librazhdit janë ndërtuar e rikonstruktuar mbi 100 kilometër rrugë, 23 shkolla e kopshte, 15 ujësjellës e kanalizime, 17 qendra shëndetësore e ambulanca; mbi 2 milionë dollarë subvencione në pemëtari, vreshta, ullinj, sera; mbi 2 miliardë lekë janë investuar në sistemin e energjisë elektrike. Gjithashtu, po punohet në ndërtimin e 6 HEC-ve në këtë zonë.

Kryeministri Berisha, në përshëndetjen e tij drejtuar banorëve të kësaj zone, u shpreh se “për ne, nga dita e parë e ardhjes në pushtet e deri më sot, Shqipëria rurale e zhvilluar, fshati shqiptar i zhvilluar përbëjnë kushtin më themelor të një Shqipërie të zhvilluar, të një Shqipërie evropiane”.

“Në katër vitet që vijnë, - tha Kryeministri, - ne do të finalizojmë të gjithë infrastrukturën tuaj. Ne jemi zotuar që çdo fshat të ketë infrastrukturën e lagjeve të qytetit. Ne qëndrojmë para barazisë së qytetarëve shqiptarë. Ne besojmë se kudo që ata jetojnë duhet të gëzojnë shërbime dinjitoze, shërbime cilësore. Kjo është arsyeja që gjatë këtyre viteve, 60 përqind të të gjitha investimeve ne i kemi investuar në fshatin shqiptar, në Shqipërinë rurale”.

KOMENTE