Prezantimi i kapitullit për rininë, pjesë e programit për një Rilindje Shqiptare është pritur me entuziazëm nga të rinjtë e komunës Petrelë në rrethin e Tiranës. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i shoqëruar nga Sekretari për Rininë dhe Emigracionin, Erion Veliaj ka qenë në këtë komunë ku është zhvilluar një takim me të reja e të rinj, të cilëve u është paraqitur projekti i qeverisjes socialiste pas 23 qershorit. Duke i falenderur të rinjtë për pjesëmarrjen e gjerë në këtë takim, Erion Veliaj është shprehur se angazhimi i tyre masiv në fushatën e Partisë Socialiste, është prova më e qartë e fitores së padiskutueshme në 23 qershor, duke i hapur kështu rrugë realizimit të programit për një Rilindje Shqiptare, e në të njëjtën kohë duke krijuar hapësira dhe mundësi më të mira për çdo të re dhe të ri që do të jetojë e të ecë përpara me punë të ndershme.
Kreu i PS, Edi Rama, duke marrë fjalën në takim është ndalur fillimisht në rëndësinë që do t’i japë qeverisja socialiste reformimit të sistemit arsimor.
“Është një sistem arsimor që ju e njihni shumë më mirë se sa ne sepse jeni pjesë e tij, që nuk garanton asnjë perspektivë. Që nuk jep dijet e nevojshme për t’u përballur nesër me një jetë që është e vështirë. Ne duam që shkolla si një qendër komunitare të ofrojë më shumë akoma se sa orët e mësimit me librat përpara. Të ofrojë mundësi për sport, të ofrojë mundësi për art. Të ofrojë mundësi për aktivitete sociale dhe për zbavitje. Ne jemi të vendosur që t’i kthejmë shkollat në qendra komunitare. Ne jemi të vendosur që t’ua kthejmë investimet prindërve tuaj, që sakrifikojnë shumë për t’ju çuar juve në shkollë, por njëkohësisht t’ju kthejmë juve në fund të këtij rrugëtimi investimin e energjive, të kohës dhe të mundit tuaj për t’u pasuruar me dije”, ka theksuar kryesocialisti Rama.
Ai më tej është ndalur në nevojën për t’u dhënë të rinjve që jetojnë në fshat mundësinë që nëpërmjet punës me tokën, të fitojnë e të pasurohen duke krijuar më shumë mirëqenie: “Toka sot nuk u jep njerëzve që jetojnë në fshat mundësinë që të krijojnë mirëqenie, ne duam që toka t’a bëjë këtë. Ashtu siç e bën në të gjitha vendet e Europës, ku nuk ka më fshatarë të varfër, nuk ekzistojnë fshatarët e varfër. Sepse toka është një pasuri e madhe që mund të prodhojë pasuri të mjaftueshme për njerëzit që jetojnë në fshat dhe mund të garantojë vazhdimësinë e një jetë normale për gjeneratat e reja të fshatit”.
Kreu i PS u ka thënë të rinjve pjesëmarrës në takim se nëpërmjet programit për një Rilindje Shqiptare qeverisja socialiste do t’u rikthejë atyre besimin se ëndrrat dhe shpresat janë mëse të realizueshme: “Në programin tonë ne kemi një zotim, një zotim themelor, që vajzave dhe djemve të këtij vendi t’ju japim arsye të besojnë se ëndrrat dhe shpresat e tyre janë plotësisht të realizueshme nëse së bashku fitojmë zgjedhjet e ardhshme dhe së bashku e kthejmë fitoren në një instrument që të hapi rrugë të reja dhe perspektiva të reja për çdo vajzë dhe djalë të këtij vendi”.