Ambasada amerikane ne Tirane disa dite me pare ka bere nje deklarate publike ku eshte shprehur se mirëpret vendimin e për të shtyrë votimin e kuvendit mbi anëtarësinë në KQZ, dhe nxit partitë politike që ta përdorin këtë kohë për diskutime konstruktive dhe konsultime të gjera. Shtetet e Bashkuara iu kanë bërë thirrje në mënyrë konseguente dhe të përsëritur të gjithë aktorëve politikë në Shqipëri – atyre në qeveri dhe atyre në opozitë – që të veprojnë në mënyra të tilla që rrisin besimin e publikut në ndershmërinë dhe integritetin themelor të procesit zgjedhor. Të tilla veprime do të përmirësonin perspektivën që rezultati i zgjedhjeve të pranohet nga të gjitha palët dhe nga publiku, në të mirë të demokracisë dhe integrimit më të thellë të Shqipërisë në bashkësinë euroatlantike të kombeve.
Për sa i përket përbërjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), është me rëndësi të mbahet mend që anëtarët e KQZ-së – të cilët u përzgjodhën dhe emëruan mbi bazën e konsensusit ndërpartiak, në përputhje me Kodin Zgjedhor – konsiderohen se janë apolitikë. Me t’u emëruar, anëtarët e KQZ-së janë betuar, dhe janë të detyruar, që të kryejnë detyrat e tyre për të realizuar zgjedhje të lira, të ndershme e demokratike në Shqipëri. Duke pasur parasysh një kontekst të tillë – si dhe për hir të qartësisë morale – ne nxisim të gjitha aktorët politikë që të riafirmojnë përkushtimin e tyre të shpallur ndaj integritetit dhe transparencës procedurale kur shqyrtojnë çfarëdo veprimi të mundshëm lidhur me përbërjen e KQZ-së.
Perseri dje, ambasadori amerikan ne Tirane Aleksander Arvizu nga qyteti i Vlorës pas zhvillimit të një konference me tematikë “Fuqizimi Ekonomik i Personave me Aftësi të Kufizuara” ka deklaruar se “Nuk ndryshohen rregullat në mes të lojës”.
Arvizu tha më tej se, SHBA-të nuk ndryshojnë qëndrim në lidhje me kërkesën e Partisë Demokratike për të ndryshuar përbërjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve duke shkarkuar anëtarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilirjan Muho nga institucioni i administrimit të zgjedhjeve.
Ai ritheksoi se KQZ është një institucion i pavarur dhe si i tillë duhet të qëndrojë i lirë nga ndërhyrjet e çdo partie. “KQZ ka përgjegjësinë kryesore për organizimin e zgjedhjeve të 23 Qershorit. KQZ është formuar dhe është institucion për zhvillimin e zgjedhjeve të lira. Është e rëndësishme të respektohet pavarësia e këtij institucioni, duhet të jetë e lirë nga ndërhyrjet e çdo partie”, nënvizoi Arvizu .