Një tjetër goditje, vetëm dy muaj përpara zgjedhjeve, merr përsëri KQZ-ja, organi kryesor për administrimin e zgjedhjeve në vend.
Është dorëhequr nënkryetari i KQZ-së Denar Biba.
“Megjithëse të propozuar nga struktura parlamentare e të votuar me shumica, që tejkalojnë ngjyrimet partiake në Kuvend, dje, ne u trajtuam si anëtarë të rëndomtë partie, duke na fyer, e madje ndonjërin, edhe duke e cënuar në nderin e dinjitetin e tij personal e profesional. Në rrethana si këto, kur mbrojtja ligjore e institucionale, që supozohej se e kishim të garantuar si anëtarë të institucionit të ngarkuar nga ligji, për t’u dhënë shqiptarëve zgjedhje të lira e të ndershme, është përdhosur haptazi, vlerësoj se duhet të jap dorëheqjen nga detyra e zëvendëskryetarit dhe njëherësh anëtarit të Komisioni Qendror të Zgjedhjeve. Populli ynë e meriton demokracinë dhe shtetin e së drejtës, ndaj ne nuk mund të tallemi, duke i servirur atij një KQZ si teatër marionetash, në duart e politikanëve. Le të shërbejë ky akt vullneti personal i imi, si nxitje për reflektim për secilin nga ju. Përfitoj nga rasti t’iu drejtohem bashkëqytetarëve të mi: Mos harroni, forca e pushtetit të popullit është më e madhe se forca e ca njerëzve në pushtet!”, ka deklaruar Biba.
Ndërsa Ambasadori i OSBE-së Eugen Wollfarth ka paralajmëruar largimin e tij në Shqipëria pas zgjedhjeve të 23 qershorit.
Në një prononcim për mediat, ambasadori Wollfarth ka deklaruar se atij i është ofruar një punë e mirë nga Ministria e Jashtme gjermane, të cilën e ka pranuar.
“Po është e vërtetë. Jam diplomat gjerman që kam tre vjet këtu. Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë më ka ofruar një post të mirë që shumë do e ëndërronin dhe unë e kam pranuar. Kjo bëhet brenda këtij viti. Meqë jemi këtu dua të theksoj se unë do të rri edhe për zgjedhjet” tha ai.
Gjithashtu ambasadori Wollfarth theksoi se respekton vendimin e Denar Bibës për t`u dorëhequr si nënkryetar i KQZ-së.
“Kam një respekt për Bibën dhe vendimin e tij. Për mendimin tim ai ka krijuar një atmosferë kontuktive për përgatitjen e zgjedhjeve të 23 qershorit, për përgatitjet teknike. Do të doja të përgëzoja anëtarë e KQZ-së dhe jam i sigurt që do të na marrë malli për të. Jam i bindur që ai do të ketë një të ardhme profesionale sepse ai e meriton.Unë jam i sigurt që do të ketë një pasardhës që do të punojë profesionalisht po jam i bindur që KQZ-ja do të vijojë të operojë në mënyrë teknike dhe profesionale” tha ambasadori.
Ambasadori Wollfarth ka sqaruar se nuk është ai që shkruan raportin për zgjedhjet në Shqipëri.
“Nuk jam unë për të shkruar raportin e ODIHR-it, duhet të jetë e qartë që misioni i vëzhgimit të zgjedhjeve të ODIHR-it vëzhgon e raporton kanë mandat të ndarë nga prezenca e OSBE” tha ambasadori.