English

Jonathan Moore takon kryeministrin Berisha

Kryeministri Berisha ka pritur sot në takim Drejtorin e Zyrës për Çështjet e Europës Jugore dhe Qendrore, në Departamentin e Shtetit zotin Jonathan Moore, i cili erdhi ne Shqipëri në kuadrin e një turi vizitash në rajon.

Zoti Moore shprehu kënaqësinë për këtë takim me kryeministrin Berisha dhe për mikpritjen. Në vijim të takimeve në rajon, ai nënvizoi shpresën për rezultate pozitive në dialogun Prishtine – Beograd. Kryeministri Berisha falenderoi qeverinë e SHBA për mbështetjen e fuqishme që po i jep këtij procesi dhe theksoi se arritja e një marrëveshjeje mes dy shteteve ka një rëndësi të jashtëzakonshme për paqen dhe stabilitetin jo vetëm midis tyre por edhe për të gjithë rajonin.

Bashkëbiseduesit diskutuan edhe për zhvillimet në Shqipëri. Zoti Moore theksoi ndryshimin e jashtëzakonshëm të Shqipërisë në 20 vitet e fundit të dëshmuar prej tij dhe vlerësoi lidershipin e kryeministrit Berisha dhe klasës politike gjatë këtyre viteve në këtë transformim.

Kryeministri Berisha e siguroi zotin Moore për angazhimin e palëkundur të tij dhe të mazhorancës së udhëhequr prej tij për çuarjen përpara të të gjitha reformave të nevojshme për integrimin e Shqipërisë në BE. Ai e siguroi zotin Moore se qeveria shqiptare do të bëjë gjithçka për standartet më të larta në zgjedhjet e 23 qershorit dhe se do të pranojë rezultatin e dalë prej këtyre zgjedhjeve. Ai nënvizoi se besimi për procesin zgjedhor bazohet në një kornizë ligjore plotësisht konsensuale dhe në përputhje me rekomandimet ndërkombëtare, një infrastrukturë zgjedhore moderne dhe përgatitje solide. Kryeministri Berisha nënvizoi se balancimi politik i KQZ dhe të gjithë administratës zgjedhore është guri i themelit që ka çuar në përmirësimin shumë të madh të procesit zgjedhor që nga viti 2005 gjeri sot dhe se ruajtja e këtij parimi si dhe integriteti i çdo anëtari ka rëndësi themelore për mbarëvajtjen dhe besimin e të gjitha palëve në proces.

Në këtë kuadër kryeministri Berisha shprehu shqetësim për politizimin e mëtejshëm nga zoti Rama të çështjes së KQZ nëpërmjet tërheqjes së dy anëtarëve dhe shprehu shpresën se Partia Socialiste do të plotësojë brenda afateve ligjore anëtarësinë e KQZ.

Në takim bashkëbiseduesit ndanë shqetësimin e presioneve të papranueshme politike të ushtruara mbi deputetin Kastriot Islami dhe familjen e tij.

Në përfundim kryeministri Berisha theksoi se garancia më e madhe për zgjedhjet është zbatimi rigoroz dhe me vullnet të mirë politik i Kodit Zgjedhor konsensual dhe falenderoi qeverinë amerikane për gatishmërinë për të dërguar një numër sa më të madh vëzhguesish zgjedhor.

KOMENTE